UBT

Kush është idioti këtu?

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – Për ata që me veprimet idioteske të bëjnë të dukesh idiot si ta. Për ata që jetojnë në një botë imagjinare, të ndërtuar nga deklarata qeverie me të cilat mbushen edicionet e lajmeve e shkrimet e gazetave. Për ata që bëjnë garë kush është më idiot se tjetri.

Rrëfimi është i thjeshtë: një vajzë shkon në zyrën e ofiqarit për të marrë një vërtetim se nuk është idiote. Vërtetimi i duhet si dëshmi për t’u martuar. Por, ngjarja zhvillohet asisoj dhe vajza detyrohet të tregohet idiote. E detyron ofiqari me sjelljet e tij.

Gjithçka ndodh në një dramë, të vënë në skenë nga regjisori Besim Ugzmajli. Një dramë e shkruar nga rusja Muza Pavlova qysh në fillim të shekullit të shkuar, por që përshtatet tmerrësisht shumë me kohën që e jetojmë.

Ofiqari është një burokrat tipik, asi çfarë mund të gjesh me bollëk gjithandej Kosovës. Është personazhi që personifikon më së miri një zyrtar shtetit t’shituem ideologjie e t’verbuem partie, i cili bën çmos që edhe ata që janë në rregull t’i bëjë si vetja. I shtyn të bëhen idiotë.

Ai jeton në një botë imagjinare, të ndërtuar nga deklarata qeverie me të cilat mbushen edicionet e lajmeve e shkrimet e gazetave. Ai, vetëm ai dhe të tjerët si ai e shohin përparimin e vendit. Ata, madje, akuzojnë të tjerët se me qëllim nuk po shohin se si shteti po zhvillohet.

Në vend se të përkushtuar ndaj punës, tipat si ky ofiqari janë të përkushtuar ndaj partisë, ndaj liderit të partisë, ndaj zyrtarëve të lartë e aparatçikëve të tjerë. Ndaj atyre që e kanë punësuar e presin që ky t’ua kthejë nderin. Qoftë edhe duke treguar arrogancë prej idioti në përpjekje për t’i bindur të tjerët se vendi ku jetojnë po lulëzuaka, por ata po u bëkan me kast të verbër e nuk po e shihkan.

* * *

Ofiqari burokrat partiak personifikon një numër të madh zyrtarësh shtetërorë e partiakë, të cilët jo rrallë zgjedhin të vendosin se kush është idiot e kush jo. Certifikatat e idiotllëkut të lëshuara nga ta mund të përmbajnë emrin e secilit që i kritikon, ndonjë gazetari a opozitari. Ata provojnë të ta mbyllin gojën e të mos flasësh, të etiketojnë, shajnë e fyejnë po që se nuk bëhesh pjesë e iluzioneve të tyre optike për vendin që po zhvillohet e po përparon.

ARKATANA

Vetëm për të arritur qëllimet e veta, ata nuk ngurrojnë të vënë në jetë edhe veprime perfide si, ta zëmë, të ftojnë në kryeministri sindikalistë e t’i shtyjnë të falënderojnë publikisht shefin e qeverisë që ua ka rritur pagat. Ta falënderojnë personalisht. Sa veprim i ulët, sa veprim i mjerë.

Kur i sheh sindikalistët teksa me përulje prej robi i thurin lavde kryeministrit, të krijohet përshtypja se ai ua ka rritur pagat nga paratë e veta, e jo nga paratë e qytetarëve.

Ofiqari personazh i shfaqjes personifikon zyrtarë të tipit të njërit nga një komunë e vogël kosovare, i cili pa pikën e marres përpiqej të arsyetohej se nuk ishte bërë kurrfarë shkelje pse në punë ishte pranuar një i afërm i kryetarit të komunës, me shkollë të mesme, e jo dikush tjetër nga ata që kishin aplikuar, me shkollim superior.

Ofiqari personazh i shfaqjes personifikon zyrtarë të tipit të ndonjë deputeti që përpiqet të tregohet i përgjegjshëm e transparent duke thënë se nuk nuk e dëshiron rritjen e pagës, teksa me vite të tëra ka marrë pagë të majme, disa fish më të lartë se mesatarja e qytetarëve të rëndomtë që punojnë, bile edhe ka votuar për t’i ngritur pagat e vetes e të kolegëve. Dhe, reagimin e bën ekskluzivisht për çështje elektorale, ashtu siç kryeministri rritjen e pagave. Nuk dihet cili veprim meriton më parë certifikatë idiotllëku.

E për një të tillë certifikatë janë në garë edhe shumë të tjerë – të atillë që përpiqen të imponojnë identitete tjera që s’kanë të bëjnë asgjë me ne, të atillë që janë në gjendje të bëjnë çmos me qëllim të realizimit të agjendave të tyre të dyshimta.

* * *

Ofiqari burokrat i shfaqjes “Idiot” është njëfarë shpërlarësi i trurit, i cili qëllim kryesor ka që secilin klient ta shtyjë me zor që të bëhet idiot. Të bëhet si ai vetë. Sepse, ai di të funksionojë vetëm në një botë idiotësh. Si ata që e kanë sjellë aty jo për t’iu shërbyer të tjerëve, por për t’i maltretuar ata. Jo për t’iu ndihmuar, por për t’ua fyer inteligjencën me veprimet idioteske dhe për t’i bërë që ta pështyejnë në fytyrë.

Në këtë mënyrë ai arrin qëllimin: ka arsye për të dhënë edhe një certifikatë idiotllëku. Sepse, ai jeton mirë vetëm kur sa më shumë të tjerë bëhen si ai – qoftë edhe për hall, qoftë edhe me zor. Bëhen pjesë e një sistemi idiotesk.