RCCOLA

Kush e “ndërton” lajmin ndërkombëtar për shqiptarët?

/ 9 minuta lexim

Shkruan:Gezim Mekuli-E mbroj mendimin se asnjë kanal televiziv, e veçanërisht ato të lajmeve, nuk janë objektive dhe nuk janë të pandikuara nga interesat politike, ideologjike e ekonomike.

Të gjitha kanalet televizive “shohin botën” nga perspektiva e tyre politike dhe kulturore. Shumë ndodhi e lajme ndërtohen sot nga mediat me fuqi. Këto shpesh paraqesin dhe prezantojnë kombe, kultura dhe procese të ndryshme politike të vendeve nga mbarë bota. Por, “ndërtimi” i lajmit për një “komb tjetër” është me përgjegjësi të madhe dhe i ndërlikuar.

Prandaj, shumë shtete me dominim global nuk pajtohen që të flitet rreth tyre duke u bazuar në lajmin që përpunohet nga “të tjerët” e kulturat tjera. Andaj, alternativë e mirë për këta popuj është vetëprezantimi i fotografisë së kulturave të tyre në opinionin botëror.

Këtu do marr si shembull senatorin rus Slutsker, i cili rishtazi tha se është më se e i domosdoshëm themelimi i një kanali televiziv ndërkombëtar për popullin çifut. Ky planifikon që të themeloj një kanal televiziv global çifut. Dëshira është që t’i bëhet konkurrencë, në mes tjerash, kanalit televiziv arab Al-Jazeera Internacional.

Ky televizion arab që nga fillimi i transmetimit të lajmeve televizive në gjuhën angleze (16 nëntor të vitit 2006), ka arritur që të fitojë një popullaritet dhe besim tek më shumë se 100 milionë pranues televiziv nga e tërë bota.

Ky megatelevizion ka respekt dhe ndikim të fuqishëm edhe në SHBA dhe tek intelektualët e vendit. Në rrafshin e mediave ndërkombëtare dhe në peshën që Al-Jazeera Internacional ka sot, ky stacion gjigant televiziv është duke u krahasuar me BBC World dhe CNN Internacional. Reporterët e këtij televizioni ndërkombëtar thonë se misioni i këtij kanali televiziv është të ndërtojnë ura mes kombeve, kulturave e feve, të kërkojnë “të vërtetën” dhe të “ndryshojnë” botën.

Pse Al-Jazeera flet në gjuhën angleze?

Sot televizioni global ka të bëjë edhe me ndryshimin e stereotipave të fotografisë së botës. Kjo është “luftë për të vërtetën”. Politika redaktuese e këtij televizioni është që opinionit publik amerikan t’i ofrohet “një fotografi tjetër” për arabët dhe për Lindjen e Mesme. Ky stacion televiziv ka si qëllim që të “çojë përpara” interesat amerikane.

Është fakt se, para dhjetë vitesh, të gjitha lajmet për Lindjen e Mesme arabët i kishin të përgatitura, “të ndërtuara” e të lansuara nga evropianët. Këtë fenomen e hulumton shkencërisht edhe filozofi i madh i shekullit, amerikani me prejardhje palestineze, katoliku i mbështjellë me kulturën myslimane, profesori i universiteteve më me reputacion në SHBA, Edward Said.

Mirëpo, sot është e kundërta: Tani janë arabët (Al-Jazeera) ata që transportojnë dhe “ndërtojnë” lajmin në Evropë dhe për evropianët.

“Lufta” ndërkombëtare televizive ka sot një trekëndësh: Evropën, Lindjen e Mesme dhe SHBA-të si epiqendër. E them këtë sepse është vet Franca ajo e cila më 6 dhjetor – pra vetëm tre javë pasi që Al-Jazeera International filloi transmetimin ndërkombëtar në gjuhën angleze, me yllin anglo-amerikan David Frost në bord – lansoi kanalin televiziv ndërkombëtar France 24.

Dhe këtë, përpos gjuhës franceze, televizioni France 24 ka edhe versionin e tij në gjuhën angleze. Edhe Rusia, në vitin 2005, filloi me kanalin e saj televiziv Russia Today TV. Përderisa Kina këtë strategji mediatike e kishte filluar që në vitin 2000 me kanalin televiziv CCTV-9.

Që të dyja këto kanale televizive servojnë dhe lansojnë “ndodhitë e botës” në gjuhën angleze: 24 orë rresht. Dhe, këto emisione gjinden falas edhe në internet. Qëllimi parësor i këtyre televizioneve është që të pasqyrojnë e “fotokopjojnë” botën, por tani shikuar nga këndi dhe kultura Kineze dhe Ruse.

Ishte ish presidenti francez Jacques Chirac, nismëtari dhe arkitekti i kanalit televiziv France 24. Përderisa për kanalin televiziv Al-Jazeera International është emiri nga Katari, ai që është garantuesi i këtij televizioni, për televizionin France 24 është shteti dhe qeveria franceze ajo që qëndron si garantuese e tij.

Arsyeja kryesore për të themeluar kanalin televiziv Al-Jazeera ishte lufta në Irak në vitin 2003 dhe mbulimi mediatik i kësaj lufte. Na kujtohet se ishin vetëm dy kanale televizive që bënë mbulimin me lajme rreth luftës në Irak.

Ishin CNN dhe BBC World. Francezët dhe opinioni intelektual francez mendonin dhe dyshonin se perspektiva e tyre kulturore ishte injoruar apo edhe ishte dobësuar nga lajmi i televizioneve CNN dhe BBC. Duhet nënvizuar se këto kanale televizive njihen për objektivitetin e tyre në lajm.

UBT

Mirëpo, francezët e Viktor Hygos nuk e pëlqyen këtë. Sipas tyre, të gjitha lajmet dhe informacionet prezantohen e “ndërtohen” nga perspektiva kulturore e atij që e raporton dhe “ndërton” lajmin. Andaj televizioni France 24 i kushton rëndësi të madhe edhe kulturës dhe gjuhës franceze.

Ky televizion “ushqen” me lajme dhe informacione mbi 76 milionë pranues në Evropë, Lindje të Mesme dhe Afrikë. Qëllimi këmbëngulës e kokëfortë i France 24 është që të “çojë përpara vlerat franceze”, kulturën dhe gjuhën franceze. Dhe, ky është një mision i shenjtë i “kombeve inteligjente”. Këtu fshihet arma e fuqishme, e ashtuquajtura “diplomacia publike” (Public Diplomacy).

Për ta bërë akoma më “të kapshëm” e më “të shijshëm” këtë kanal televiziv, këtë kulturë e këtë gjuhë, televizioni France 24 më 11 qershor filloi edhe me një strategji tjetër: emisionet më të popullarizuara televizive ngarkohen falas në video-shërbimin më të madh botëror- YouTube. Në këtë mënyrë, France 24 “i përgjigjet” televizionit Al-Jazeera International, e cila që nga muaji prill i këtij viti filloi me ngarkimin në YouTube të emisioneve më të popullarizuara te saj.

Sot nuk është me rëndësi që të fitosh shikuesit vetëm në televizionin kabllor e satelitor. Jo, sot e peshës së madhe është që të “fitosh luftën” mbi fotografinë e zërin; të dominosh e të kontrollosh në mënyrën pozitive fotografinë dhe zërin e kulturës dhe interesave të kombit.

Dhe, kjo “luftë” për lajmin dhe fotografinë me “gjykim të zorit” duhet të zhvillohet në gjuhët me ndikim të fuqishëm në marrëdhëniet diplomatike e politike. Për shembull, televizioni France 24 ngarkon në internet emisionet e saja në gjuhën arabe, franceze dhe në “gjuhën e konkurrencës” – atë angleze.

Pra, këtu, nuk kemi të bëjmë me “një luftë klasike, rrënuese, ballkanike” të gjuhëve, por më shumë me një luftë të ideologjive. Është kjo “luftë e mediave” për të dominuar me lajmin dhe informacionin e botës. Por, tanimë gjithsesi me lajmin të shikuar nga perspektiva, kodet, historia dhe kultura vetjake.

Patjetër, lufta për të mbizotëruar ne “mediat pa kufi” është shndërruar edhe në një çështje politike, çështje e cila është paketuar me idealet gazetareske për “objektivitetin” dhe “baraspeshën”. Në këtë mënyrë France 24 ka arritur një popullaritet jashtëzakonisht të madh. Sot ky është një televizion udhëheqës në lajmin ndërkombëtar. Një shembull i vogël: në internet faqja e saj ka vendin e tretë në Gjermani, përderisa në Japoni ueb-faqja e Francës 24 është më e popullarizuar se sa e CNN.

Informimi politik është parësor në këtë luftë mediatike. Bile-bile, së voni edhe Afrika dëshiron që në lajmin ndërkombëtar të thotë fjalën e saj për dhe mbi veten e saj. Kontinenti afrikan dëshiron lajme të ndërtuara nga afrikanët, e jo nga “të tjerët”.

E duan lajmin të brumosur e të parë nga perspektiva dhe kultura afrikane. Andaj, në qershor të këtij viti Afrika lansoi kanalin e saj televiziv SABC. Nga viti 2008 ky kanal ndërkombëtar do të fillojë transmetimin e lajmeve 24 orë në ditë.

Opinioni intelektual afrikan nuk është “i kënaqur” me “fotografinë e Afrikës” që “ndërtohet” e shpërndahet nëpër lajmet ndërkombëtare. Afrikanët nuk janë të kënaqur vetëm me paraqitjen e “fotografisë së zezë” të katastrofave dhe të dominimit të varfërisë afrikane. Ky kanal televiziv afrikan ofron edhe lajmin nga “ana tjetër”: anën tjetër të pa njohur e të mos paraqitur të saj – kulturën, traditën, artin, gjuhën, ekonominë, edukimin, florën e faunën dhe turizmin.

Është e qartë që të dyja kanalet, si Al-Jazeera International dhe France 24, kanë hyrë në “luftën globale” mediatike. E këto kanë një agjendë, kanë një vizion “më të mirë” dhe më të thellë. Siç shihet, këto dy kanale duan të jenë alternative demokratike e “lajmit anglo-amerikan”.

SHBA dhe Arabia Saudite i janë “përgjigjur” fuqizimit të Al-Jazeera duke themeluar dhe lansuar një kanal tjetër televiziv pan-arabik: “Al-Hurrah” dhe “Al-Aarabyia”. E, në anën tjetër, janë edhe rusët “në turrin” e tyre mediatik për “të pushtuar” mendjen dhe ndjenjat e arabëve. Kështu, me 4 maj themelohet dhe filloi punën “Rusyia Al-Yaum”, kanali i parë i lajmit televiziv rus në gjuhën arabe. Është ky kanal televiziv “që flet” në gjuhën arabe, por që si pikënisje në “ndërtimin” e lajmit e ka perspektivën dhe kulturën ruse.

Se a konkurrojnë me njëra-tjetrën këto kanale globale televizive, apo janë më shumë në garë me stacionet lokale dhe kombëtare, nuk dihet. Dihet tjetra: “Lufta për lajmin” dhe për informacionin, “e ndërtuar” nga perspektiva vetjake kulturore, historike e sociale – ka filluar.

Ngaqë lajmi është edhe prodhim social e kulturorë, këtu shtrohet pyetja e madhe: Kush “ndërton” lajmin ndërkombëtar për shqiptarët? Cili kanal televiziv prezanton shqiptarët në lajmin ndërkombëtar? Nga cila perspektivë kulturore dhe gjuhësore “ndërtohet” ky lajm e kjo fotografi? Dëmton apo ndihmon kulturën e politikat tona lajmi për shqiptarët “i ndërtuar” nga joshqiptarët?

Fotografia dhe lajmi për dhe mbi shqiptarët, në rrafshin ndërkombëtar, do të duhej sa më parë të “ndërtohet” e të lansohet nga një medium planetar e profesional vendor. Dhe së paku në katër gjuhë: angleze, gjermane, ruse dhe franceze.