Eko Higjiena

Kush do ta trashëgojë Hashim Thaçin: Fatmir Limaj apo Kadri Veseli?

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Hashim Thaçi po përpiqet ta kthejë në parti Fatmir Limajn, në kohën kur raportet e tij me Kadri Veselin janë vështirësuar. Kjo mund të jetë shenjë se ai e dëshiron Limajn për trashëgimtar e jo Veselin. Megjithatë, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa do të dëshironte Kryetari i PDK’së.

Hashim Thaçi ka vendosur të përpijë gjithçka; inatin në radhë të parë, ndërskamsat në Parlament, humbjen e bastioneve në zgjedhjet e fundit.

Në kokën e tij duket se tashmë është vetëm një qëllim: t’i rregullojë marrëdhëniet me Fatmir Limajn.

Duket se kreu i partisë më të madhe në vend dhe Kryeministri aktual i Kosovës dëshiron të nis një raport krejtësisht të ri me mikun e tij të dikurshëm, njëjtë sikurse në fund të vitit 2005, kur Limaj, i sapo dalë nga Haga, më tej të krijonte një parti të re, por në fund pranoi të kthehej në PDK.

Për këtë qëllim, Thaçi ka kontaktuar me Limajn përmes miqve të përbashkët.

Burime të Gazetës Express thonë se oferta e Kryeministrit është e thjeshtë: kthehu në PDK dhe t’i harrojmë historitë që na kanë ndarë për tri vite.

Kjo ofertë duket se e ka qitur Limajn para dilemave të mëdha. Në radhë të parë, a mund t’i besohet Hashim Thaçit? Si mund të arsyetohen në opinion rikthimi në PDK? Çfarë t’iu thuhet votuesve që votuan kandidatët e tij në zgjedhjet e fundit? Çfarë pozite do të merrte? Me kë do të shkonte aty?

Ndërkohë që negociatat mes Thaçit dhe Limajt po zhvillohen me ndërmjetës, totalisht jashtë loje kanë mbetur dy personazhe: Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Lufta mes Krasniqit e Thaçit ka qenë aq e ashpër dhe e gjatë saqë ai s’mund të kthehet në PDK pavarësisht nëse Limaj vendos të kthehet, ndërkaq Veselit nuk i konvenon kthimi i Limajt meqenëse ai e di se kjo do të thotë shuarje e përpjekjeve të tij për ta trashëguar Thaçin në postin e të parit të partisë.

Tërheqja e Hashim Thaçit

Kryetari aktual i PDK’së, Hashim Thaçi po përgatitet të lëshojë rrugë, të paktën për një kohë. Në një intervistë të mëhershme, ai kishte thënë se i dëshiron vetëm dy mandate si Kryeministër, derisa tri mandate i konsideron të tepërta. Në anën tjetër, në biseda private ka lënë të kuptohet se në zgjedhjet e ardhshme PDK mund të hyjë me kandidat të ri për Kryeministër.

Po kush mund të ishte ai?

Deri para 3 vitesh përgjigja e kësaj pyetje ishte fare e thjeshtë: Fatmir Limaj.

Por, prishja e raporteve mes Limajt dhe Thaçit dhe inkuadrimi i Kadri Veselit në PDK komplikuan situatën.

Sivjet, pyetjes se kush do të jetë kandidat për Kryeministër nëse nuk është Hashim Thaçi, të gjithë përgjigjeshin se ai është Kadri Veseli.

Por, zgjedhjet e fundit e kanë komplikuar situatën. Kandidatët e PDK’së në bazë të madhe ishin përzgjedhur nga Veseli dhe fushata po ashtu ishte drejtuar prej tij. Rezultati ishte një dështim i madh. PDK ka humbur qytete e mëdha dhe është tkurrur në votën politike.

Hidromorava

Megjithëse rezultat i keq për PDK’në, kjo duket të jetë një situatë e favorshme për Hashim Thaçin.

“Raportet mes Thaçit dhe Veselit janë tendosur si pasojë e rezultatit të keq në zgjedhjet e fundit”, ka thënë për Express një burim pranë Kryetarit të PDK’së.

“Z. Thaçi më me dëshirë sot e lëshon partinë në dorën e Fatmir Limajt”, ka shtuar ai.

Ose Fatmir Limaj ose Kadri Veseli

Hashim Thaçi ndoshta i ka prishur aq shumë raportet me Kadri Veselin saqë ka filluar të shoh më shumë gjëra të përbashkëta me Fatmir Limajn.

Megjithatë, situata nuk është aq e thjeshtë.

Fatmir Limaj është një lider populist dhe i gatshëm për kompromise kur janë në pyetje interesat e tij; ka ndikim në zona të caktuar dhe përgjithësisht është më popullor se Kadri Veseli.

Por në anën tjetër, për nga pesha politike, Kadri Veseli është shumëherë më i fuqishëm se Fatmir Limaj.

Njerëz të afërt me të dhe ish-strukturat e SHIK’ut janë të shpërndarë në gjitha institucionet, ai ka rreth vetës kryetarë komunash, deputetë dhe biznesmenë të fuqishëm, njerëz.

Zgjedhja mes këtyre dy njerëzve nuk është aq punë e thjeshtë për Hashim Thaçin, e të dytë nën varësinë e tij vështirë se mund t’i ketë sërish ai.

Në PDK apo parti të re me Jakup Krasniqin?

E, derisa Fatmir Limaj po e shqyrton ofertën e Hashim Thaçit për t’u kthyer në PDK, ai njëherësh vazhdon takimet me Jakup Krasniqin për krijimin e një partie të re.

“Ata janë pajtuar për themelimin e një partie të re, por oferta e Thaçit i ka stopuar gjërat”, ka thënë një burim i Gazetës Express.

Sipas tij, kthimi në PDK do të jetë rrugë me e sigurt politike për Limajn, meqenëse nuk duket shumë shpresëdhënëse krijimi i një partie të re politike.

Zgjedhjet e fundit lokale kanë dhënë sinjale të qarta për lëvizjen e votuesve drejt liderëve të ri; të shkolluar në perëndim dhe të aftë për t’u përballur me proceset integruese euro-atlantike.

Qartësisht, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi nuk bëjnë pjesë në këtë kategori./express/