Kush dhe kur e shpalli pavarësinë e Shqipërisë?

/ 2 minuta lexim

Shqipëria u shpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.

Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, pjesa shqip hartuar nga Luigj Gurakuqi, dhe pjesa turqisht nga Ismail Qemali dhe e shkruar nga Shefqet Dajiu.

Fundamenti

Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, me këtë përmbajtje origjinale: “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912

Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.