UBT

Kush dëshiron të zhdukë Gurakuqin?

/ 4 minuta lexim

Nga Willy Kamsi-Në vitin jubilar të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë konstatojmë me keqardhje se nga institucionet shtetërore, e madje edhe nga personalitete të politikës shqiptare, nuk përmendet fare Luigj Gurakuqi, për rolin që e tij në atë ngjarje madhore të kombit shqiptar.

Përmenden gjithfarë emrash të tjerë, por jo ai i “krahut të djathtë” të Ismail Qemalit.

Duhet të mos harrohet, sidomos sot në këtë 100-vjetor, roli kryekreje që pati Luigj Gurakuqi në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

Veprimtaria e tij politike e atdhetare nis qëkur, si student, ishte ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm të revistës “Albania”, të Faik Konicës.

Merr pjesë në Kongresin e Manastirit për Gjuhën shqipe (1908). Më 1909, ishte drejtor i parë i Shkollës Normale të Elbasanit. Më 1911, merr pjesë, me Ismail Qemalin, në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Dedë Gjo’ Lulit, dhe harton Librin e Kuq të Gërçes, me kërkesat e malësorëve ndaj Perandorisë Osmane. Ishte vetëm 32-vjeçar.

Ndoqi përpjekjet e fundit për të arritur te Pavarësia, dhe këto u konkretizuan duke u takuar me Koloninë shqiptare të Bukureshtit, për të vazhduar me shkëmbime të nivelit më të lartë me Ballplatzin në Vjenë. Pas këtyre përpjekjeve, arriti momenti kaq i pritur prej të gjithë atdhetarëve shqiptarë, ai i ngritjes së Flamurit në Vlorë, ku në rolin kryesor e gjejmë përsëri Luigj Gurakuqin, i cili harton dhe shkruan me dorë të vet tekstin që lexohet në dokumentin e Shpalljes.

Të mos harrojmë edhe më vonë luftëtarin, me të tjerë atdhetarë, për mbrojtjen, në kohën e princ Wied’it të Shtetit Shqiptar (1914), kur mbet i plagosur; e as kontributin kur, sa ishte drejtor i Drejtorisë së Arsimit (1916-1918) në vitet e Luftës së Parë Botërore hapi me qindra shkolla – në të cilat mësimi jepej në gjuhën shqipe; e as themelimin e Komisisë Letrare të Shkodrës.

Ai u përpoq të bashkonte Veri e Jug, të krishterë e myslimanë, gjuhë gege e toske. Dhe, kështu u bë faktori kryesor në afrimin e shqiptarëve për një qëllim të vetëm: bashkimin kombëtar me synim Pavarësinë Kombëtare.

Mobi Casa

Si të harrohet koha kur ishte ministër i Financave në Qeverinë e Nolit dhe kur, pasi e vranë, nuk i gjetën në xhep më shumë se 400 lireta. O tempora! O mores!

Përpjekjet kundër një figure të tillë u realizuan edhe me shembjen e shtëpisë së tij. Nëse ai ishte vrarë njëherë më 2 mars 1925, u vra për të dytën herë nga gjyqi i Tranit, në Itali, kur vrasësi i tij u lirua nga burgu, të tretën herë me shembjen e shtëpisë, dhe sot duke e varrosur në harresën e amshuar.

Sot, në programin shtetëror parashihet ndërtimi në Tiranë i Monumentit të Pavarësisë, por edhe monumentet kushtuar Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut. Por, fatkeqësisht jo edhe ai i Luigj Gurakuqit, siç bëri edhe Enver Hoxha me Monumentin e Pavarësisë në Vlorë – në të cilin nuk gjendet atdhetari ynë i shquar.

Sa për Shtëpinë Muze në Shkodër, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme që nga viti 1995, kur ajo kishte nevojë vetëm për mirëmbajtje, në ditët e sotme u arrit te shembja e plotë, pa ndërhyrë askush për të ndaluar një krim të tillë ndaj trashëgimisë sonë historike. Dhe ishin vënë në dijeni, ndërkaq, jo më pak se katër ministra kulture – të djathtë e të majtë – dhe instancat më të larta të Shtetit Shqiptar.

Sot po shohim një përpjekje të mëtejme për errësimin e kësaj figurë dhe për zhdukjen nga Shpallja e Pavarësisë, rrjedhimisht edhe nga historia e Shqipërisë. Por, kjo s’do të ndodhë, sepse më në fund ka aq atdhetarë sa për të mos lejuar që të kryhet kjo vepër antikombëtare.

Prandaj, edhe njëherë ju lutemi autoriteteve më të larta të vendit tonë për një ndërhyrje energjike, duke e vlerësuar Luigj Gurakuqin siç edhe i përket: duke e përkujtuar një-për-një me Ismail Qemalin; duke i ngritur një monument në qendër të Tiranës; duke rindërtuar Shtëpinë-Muze, meqë në Institutin e Monumenteve gjenden rilevimet e ndërtesës së vjetër me të gjitha hollësitë.

*Shkrimi është marrë nga ‘Mapo’. Autori ishte ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan, pas rrëzimit të komunizmit.