Kusari-Lila: “Kemi lajme të mira nga Kosova”

/ 7 minuta lexim

Ajo thotë se qeveria është viktimë e maksimës “Lajmi i mirë nuk është lajm”. “Vetëm lajmet e këqija prezantohen me pompozitet”

Zëvendsëskryeministrja dhe ministrja për tregti dhe industri në Qeverinë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë të saj dhënë për albinfo.ch flet për imazhin e Kosovës, për “lajmet e mira” dhe të këqija që vinë nga atje, për shtimin e investimeve të huaja, për lehtësimet që, sipas saj, u janë bërë investitorëve potencialë etj.

Ajo pranon se ka korrupsion në institucionet e Kosovës, por thotë se “përderisa e pranojmë ekzistimin e atyre problemeve dhe marrim masa që t`i luftojmë, siç po bëjmë, atëherë ka shpresa për tejkalim të tyre”.

Kusari-Lila, kritikëve dhe pretenduesve për të qeverisur ua drejton këtë porosi: “secili që do të marrë përgjegjësi në ekzekutivin e Kosovës duhet ta dijë paraprakisht se vlerësimet pozitive për të do të jenë shumë më të pakëta se sa ato negative”.

Intervista është marrë gjatë qëndrimit të zëvendëskryeministres në Lozanë, Zvicër, në tryezën e rrumbullakët për investimet në Kosovë, pjesë e organizimit të së cilës ka qenë edhe albinfo.ch
 
Albinfo.ch: Kemi qenë dëshmitarë të një numri të madh takimesh të mbajtuaraviteve të fundit, veç tjerash edhe në Zvicër, për të promovuar investimet në Kosovë. Çfarë sjell të re kjo tryezë e rrumbullakët që do të ndryshonte nga ato të mëparshmet?

Mimoza Kusari -Lila: Në fakt, brenda mandatit tim si ministre kemi organizuar vetëm edhe një konferencë të ngjashme në Zvicër. Kjo ka qenë vitin e kaluar, në Cyrih. Tryeza që u mbajt sot në Lozanë ishte më e strukturuar, patëm rastin të prezantojmë edhe sukseset e të bërit biznes në Kosovë. Siç e dini, pak ditë më parë ka dalë indeksi botëror i vendeve sipas ambientit për investime, në të cilin Kosova shënon një ngritje prej 28 vendesh, që është me shumë rëndësi për investitorët potencialë.

Po ashtu kësaj here këtu kemi prezantuar, përveç klimës së biznesit, masava fiskale etj. edhe projektet konkrete për investime, në kuadër të partnertitetit publiko-privat, ashtu dhe në sektorin e privatizimit. Ne u themi bizneseve të huaja se mund të vinë e të investojnë drejtpërdrejtë por ne si ministri do të bëjmë edhe mbështetjen e tyre.

Sot pati pjesëmarrje edhe të investuesve të drejtpërdrejtë zviceranë në Kosovë që prezantuan përvojat e tyre, pra u prezantuan edhe storie të sukseseit të investimeeve në Kosovë.

Albinfo.ch.: Por, përshtypja e përgjithshme është se përkundër kësaj që tahtë, investimet e huaja, të drejtpërdrejta nuk po shtohen…

Fidanishtja

Mimoza Kusari-Lila: Rritja e madhe e investimeve të huaja ka qenë në vitin 2007. Ndërsa pas shpërthimit të krizës financiare dhe ekonomike globale të vitit 2008, ka pasur një rënie të investimeve kudo, edhe në Kosovë. Por nga viti 2010-2011 unë do të kisha thënë se Kosova në krahasim me vendet tjera në rajon, ka pasur një rritje të konsiderueshme investimeve të jashtme të drejtpërdrejta. Ky trend po vazhdon edhe gjatë vitit 2012, po flasim me shifra të Bankës Qendrore të Kosovës.

Natyrisht, ne nuk mund të jemi të kënaqur me këtë shkallë të investimeve nëse dëshirojmë ta tejkalojmë varfërinë dhe papunësinë që mbretëron në Kosovë. Për këtë arsye ne jemi duke i promovuar në mënyrë intensive projektet për investime ndërsa prej vitit të ardhshëm do të fillojmë edhe promovime për fusha specifke të ekonomisë, veç e veç. Në fund të këtij viti do të kemi përmbyllje të kontratave me disa kompani të huaja që investojnë në Kosovë dhe përvojat që do të kemi me to, do të na ndihmojnë në projektet e ardhshme.

Albinfo.ch: Megjithatë, vazhdon të mbretërojë perceptimi se ambienti për investime në Kosovë është i vështirë, se gjithçka përcaktohet nga korrupsioni etj. Si do t`i përgjigjeshit ju këtij opinioni?

Mimoza Kusari-Lila: Është e vërtetë se nga mediet e huaja vazhdon të shpërndahet një opinion i tillë ku Kosova ende trajtohet si një vend i dalë nga lufta, si vend ku mbretëron korrupsioni dhe mitdhënia etj. Prezenca jonë në këto vende, ballafaqimi i drejtpërdrejtë me këto sfida, është forma më e mirë që të tregojmë se kemi përkushtimin, se jemi këmbëngulës që ta ndryshojmë këtë imazh dhe ta tregojmë Kosovën në një dritë tjetër. Vlerësimet ndërkombëtare, indekset e ndryshme, raportet që dalin nga oranizatat ndërkombëtare si “Transparency international” etj., gradualisht do ta ndryshojnë këtë perceptim.

Jemi duke luftuar kundër një propagande enorme që është zhvilluar kundër Kosovës por natyrisht kemi edhe problemet me të cilat ballfaqohet secila shoqëri në tranzicion. Megjithatë, mendoj se, përderisa ne e pranojmë ekzistimin e atyre problemeve dhe marrim masa që t`i luftojmë, siç po bëjmë, atëherë ka shpresa për tejkalim të tyre. Ne jemi në proces të shkurtimit të të gjitha procedurave burokratike që e rrisin shansin për korrupsion në rastet e investimeve. Kemi bërë lehtësimin e procedurave për marrjen e licencave deri në 50 për qind, tdhe mendojmë se të gjitha këto masa do të minimizojnë mundësinë që zyrtarët të kërkojnë mito për shërbimet që u kryejnë bizneseve.

Por, megjithatë, dihet se mediet në përgjithësi lajmeve të mira nuk u bëjnë shumë jehonë. “Lajmi i mirë nuk është lajm”. Lajmet e këqija prezantohen me pompozitet ndërsa vërtetësia e tyre mbetet të shihet vetëm pastaj. Ne si Kosovë kemi qenë viktima të lajmeve të tilla, çfarë ka qenë për shembull ai për trafikimin e organeve dhe të ngjashm. Realisht dihet se është e pamundur që në kushtet, kohën dhe rrethanat për të cilat flitet nuk ka pasur as mundësi elementare të ndodhte diç e tillë në Shqipëri ose në Kosovë, por, një lajm i tillë bën jehonë. Si ta luftojmë ne këtë? Vetëm me argumente konkrete, me vlerësime kredibile të institucioneve ndërkombëtare pastaj ata që vinë në Kosovë do ta kuptojnë realitetin e Kosovës dhe do të binden për të vërtetën.

Albinfo.ch.: Por, a po jepni ju si qeveri shkas për lajme të mira për Kosovën?

Mimoza Kusari-Lila: Natyrisht se ka lajme të mira siç ka edhe lajme që janë më pesimiste. Ne jetojmë në një kohë që nuk është lehtë të veprohet, jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet tjera të rajonit, ku ballafaqohemi me vështirësi të ndryshme. Ndërtimii shtetit nuk është proces që mund të kryhet brenda vitit e as brenda një mandati qeverisës. Ai është proces në vazhdimësi siç është proces në vazhdimësi ehde demokracia. E shohim edhe në debatet për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së ku edhe sot, pas 200 e sa vitesh demokraci flitet për sfidat e demokracisë.

Në këtë kuptim, secili që do të marrë përgjegjësi në ekzekutivin e Kosovës duhet ta dijë paraprakisht se vlerësimet pozitive për të do të jenë shumë më të pakëta se sa ato negative. Por gjithsesi nëse je përcaktuar për të mirën e përgjithshme, nuk duhet dekurajuar nga kjo por duhet vazhduar punën me ngulm.