UBT

Kusari-Lila: Çimentoja “shqiptare” vjen nga Italia, Serbia e Greqia

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila mbron vendimin e saj për vendosjen e tarifës prej 35 për qind për çimenton e importuar nga Shqipëria dhe vendet e tjera, me arsyetimin se në tri vitet e fundit është rritur importi i këtij produkti në treg nga 3 në 35%.

Diçka e tillë ka prekur tregun e çimentos, duke e dëmtuar më së shumti fabrikën e vetme të prodhimit të çimentos në Kosovë “Sharr Cem”.

Në një intervistë për “”Top Channel”, ministrja kosovare e quajti vendimin si masë të aplikueshme për mbajtjen e tregut nën kontroll dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjitha ata që duan të jenë prezent në treg.

“Dua të theksoj se kjo masë nuk është marrë vetëm ndaj Shqipërisë, por ka ndërlidhje edhe me produktet që vijnë nga Shqipëria në Kosovë, nga Italia e vende të tjera evropiane, jo në proporcion me rrjedhën e tregut të lirë. Prandaj ka një ndërhyrje në treg, kjo është një masë e përkohshme 90-ditore. Nëse vërtetohet që s’ka një praktikë që prish tregun në Kosovë, masa mund të zgjatet, në rast të kundërt mund të vazhdohet më tej”, deklaroi Kusari-Lila.

Sipas ministres, problemi nuk është vetëm te fabrika e prodhimit në Fushë Krujë, por në të njëjtën kohë Shqipëria importon edhe çimenton e prodhuar në Itali. Një grup punues po heton mbi arsyet e importit në sasi të mëdha të çimentos në Kosovë.

Rezultatet e para tregojnë se në Itali dhe Shqipëri ka pasur hiperprodhim të çimentos dhe si rrjedhojë Kosova është parë si treg i volitshëm për shkak të kërkesës në rritje në industrinë e ndërtimit.

RCCOLA

Teksa mohon pretendimet se një masë e tillë ngre koston e ndërtimit, ministrja Kusari-Lila shton se kompanitë kosovare të importit kanë manipuluar me faktet, duke e deklaruar çimenton me çmim shumë të ulët në doganë dhe duke e shitur më pas me çmimin e tregut.

“Fitimi që paraqitet në doganë nuk është i njëjtë me atë real. Synimi i kësaj mase nuk është bllokimi, por vetëm sqarimi dhe vendosja nën kontroll e tregut. Në të njëjtën mënyrë monitorohet njëkohësisht edhe çmimi i produktit kosovar, në mënyrë që të mos rritet abuzivisht fitimi i krijuar”.

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë është kritikuar nga deputetet e Kuvendit e Kosovës. Dy deputetë, njeri nga koalicioni për Kosovë të Re e tjetri nga PDK-ja, që të dy në bashkëqeverisje me ministren Kusari-Lila, kanë thënë se bllokimi i çimentos shqiptare iu shërben interesave të ngushta klanore.

Të dhënat nga doganat e Kosovës flasin për shumëfishimin e importit të çimentos nga Shqipëria në tre vjetët e fundit. Nëse në vitin 2009 ishin importuar 16 702 tonë çimento, në vitin 2011 sasia e importit arrin në 226 847 tonë.

Ndërkaq, pas marrjes së vendimit nga Ministria e Tregtisë, për tre ditët e fundit pasi u zbatua vendimi për tarifën prej 35%, Shqipëria ka importuar vetëm më 11 qershor rreth 70 mijë tonë çimento. Me 12 dhe 13 qershor ka munguar tërësisht importi nga Shqipëria, por ka vazhduar të hyjë çimento nga Greqia, Italia dhe Serbia.