ZN

Kurti: VV po forcohet, po Kosova i ka punët keq

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan- Organizata jonë po përforcohet, por fatkeqësisht Kosova i ka punët keq. Kosova do t’i kishte punët mirë, sikur t’i kishte punët si Lëvizja, sepse koncepti ynë është i drejtë, është koncept i popullit dhe për popullin e Kosovës ka thënë Albin Kurti.

Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje! bashkë me drejtuesit e Qendrës në Gjilan bën një vizitë në fshatin Velekincë, si paralaxhe e qytetit të Gjilanit, duke bërë homazhe nderimi pranë portretit të atdhetarit të shquar Mulla Idriz Gjilanit, i vendosur në oborrin e shkollës së fshatit.

Kurti më pas mori pjesë në tubimin e organizuar me banorët vendës të Velekincës, duke folur për situatën aktuale politike në vend, duke kritikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për negociatat asimetrike me Serbinë, duke analizuar fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë si proces i maskimit, duke bashkëbiseduar me banorët për problemet lokale dhe duke ftuar që të mobilizohen sa më shumë në organizim dhe aktivizim qytetar. “Organizata jonë po përforcohet, por fatkeqësisht Kosova i ka punët keq. Kosova do t’i kishte punët mirë, sikur t’i kishte punët si Lëvizja, sepse koncepti ynë është i drejtë, është koncept i popullit dhe për popullin e Kosovës. Mos u angazhoni vetëm në fushata elektorale, sepse në fushata vetëm konfirmohet fitorja, ndërsa kështu realizohet fitorja. Kosova me këtë Qeveri vetëm sa po e humb pasurinë e vendit, po bën negociata me Serbinë dhe në vend se ta kushtëzonim ne atë, ajo po na kushtëzon, ndonëse me udhëheqje nazifashiste”, ka thënë Kurti.

Ndërsa kryetari i Qendrës në Gjilan, Ismajl Kurteshi, paraqiti një rezyme të problemeve dhe zhvillimeve në komunë, duke informuar banorët me të gjitha zhvillimet lokale siç janë: hetimi i 60 zyrtarëve të komunave në regjionin e Gjilanit, papërgjegjësinë e kryetarit Qemajl Mustafa dhe drejtorit për emergjencë dhe shpërthim rreth reagimit tepër të ngathët ndaj zjarreve, vonesat në projektin e lumit “Mirusha”, vonesat e ndërtimit të bibliotekës regjionale, mospërfundimit të ndërtimit të objektit të shkollës së gjimnazit, e të tjera projekte të lëna me vite. “Angazhohuni ta ndryshojmë këtë keqqeverisje sepse logjika e keqqeverisjes nga Qeveria ka kaluar edhe në qeverisjen lokale të Gjilanit. Përveç që komuna nuk po zhvillohet, ajo është shpallur borxhliu më i madh në Kosovë. Prandaj, angazhohuni sa më shumë që të bie ky model i qeverisjes që dëmton rëndë komunën dhe Kosovën” – ka theksuar Kurteshi.

Eco Higjiena

Kurse qytetarët u ndalën më shumë rreth problemit të deponisë regjionale në Velekincë, duke paralajmëruar edhe marrjen e masave radikale për ta ndryshuar gjendjen dhe për ta shtuar presionin në zgjidhjen e këtij problemi, pasi që organet përgjegjëse ndonëse janë informuar, nuk po marrin asgjë për ta ndryshuar gjendjen. Njëri nga banorët shpjegoi gjerësisht dëmet që po i bëhen këtij fshati me deponinë e mbeturinave jo vetëm të konsumit shtëpiak , por edhe të atij industrial, në të cilën derdhen mbeturinat jo vetëm nga komunat e Anamoravës (Gjilan, Viti, Kamenicë, Artanë), por edhe nga Ferizaji, Kaçaniku. “Kjo deponi nuk është ndërtuar sipas standardeve evropiane, ndonëse në fillim ishte premtuar se do të bëhej një deponi sikur në Angli, me membranë plastike, ndërsa tash po rrjedh dhe po ndot tërë ambientin” – tha njëri nga pjesëmarrësit në tubim.

Qytetarët u ankuan se kjo deponi po detyron banorët të shpërngulen nga fshati, po shkakton dëme materiale dhe dëme në ngordhjen e kafshëve nga ndotja e lartë, dëme ekologjike dhe shumë probleme të shëndetit fizik. Qytetarët falënderuan Albin Kurtin për vizitën në fshat, duke theksuar se është e rrallë të vjen dikush e t’i dëgjojë hallet e tyre jashtë fushatave elektorale dhe kjo është për t’u përgëzuar.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan dhe lideri Kurti u zotuan se do të jenë gjithmonë në mbështetje të organizimeve dhe adresimit të shqetësimeve të tyre për t’i zgjidhur nga organet përgjegjëse njofton sekretariati për media dhe komunikim i VV në Prishtinë./rajonipress/