KKVITI

Kurti: Vjedhja u konvertua në blerje votash

/ 3 minuta lexim

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në intervistën dhënë gazetës “Zëri” thotë se nuk është i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit. Kurti ka paralajmëruar se pas 1 dhjetorit do t’i kenë të gjeturat për mangësi në zgjedhje të cilat siç ka thënë ai, do të përkthehen në ristrukturime dhe risistemime brenda lëvizjes “Vetëvendosje”.

Po ashtu lideri i “Vetëvendosjes”, konsideron se vota për kandidatin e Shpend Ahmeti nuk është vetëm votë kundër Isa Mustafës, por është votë kundër Hashim Thaçit, i cili me të gjithë aparatin e tij qeveritar e madje edhe shtetëror, sipas tij, u angazhua për të fituar Prishtinën, por prapë nuk arriti sukses.

Kurti tha se në zgjedhjet e 3 dhjetorit nuk ka pasur vjedhje votash, por ka pasur blerje votash. Këtë industrializim të votave ai e krahason me “Trenin Bullgar”

Zëri: Si i vlerësoni zgjedhjet e 3 nëntorit?

Kurti: Zgjedhjet e 3 nëntorit ishin më të mira se zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit 2010, por nuk mund të them se ishin zgjedhje me gjithë mend demokratike, të ndershme e të lira, për shkak se vjedhja industriale u zëvendësua me blerje industriale.

Zëri: A jeni i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve?

Kurti: Ne nuk jemi të kënaqur me rezultatin e arritur. Mendoj që është dashur të arrijmë rezultat shumë më të mirë se sa ky. Por, nuk mendoj që ky është ndonjë lloj dështimi për “Vetëvendosjen”, për shkak se ne garojmë për herë të parë në zgjedhjet lokale. Ka dallim ndërmjet zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare, sepse janë shumë të ndryshme për nga karakteri. Por, sido që të jetë, ne tash do të punojmë më shumë, në mënyrë që alternativat tona qeverisëse lokale të afirmohen sa më shumë nëpër komunat e Kosovës.

Uji Dea

Duket që mungon një familjarizim i qytetarëve të Kosovës anekënd Kosovës me zgjidhjet që ne i kemi dhënë për problemet lokale.

Më shumë na identifikojnë me problemet parlamentare dhe ndoshta merr më shumë kohë se sa që kemi menduar ne për t’u njoftuar e familjarizuar me këtë aspekt tonin.

Por të mos harrojmë që kemi një rezultat shumë të mirë në Prishtinë dhe aty do të jetë një betejë e rëndësishme, jo vetëm për Lëvizjen “Vetëvendosje”, por edhe për Prishtinën dhe gjithë Kosovën.

Fitorja e Shpendit ishte kundër Thaçit

Zëri: Pse VV dështoi në të gjitha komunat, përveç Prishtinës ku është në balotazh?

Kurti: Në zgjedhjet e vitit 2010 ne kemi qenë të dytët në Prishtinë dhe aktiviteti ynë i vazhdueshëm për shumë vite ishte në Prishtinë si aktivitet për çështje nacionale. Kjo e kombinuar me një kandidat të jashtëzakonshëm, siç është Shpend Ahmeti, sigurisht që e ka sjellë këtë rezultat…(Zëri)