Uji Dea

Kurti: Veriu tash po shkruhet me “V” të madhe

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Udhëheqësit e lëvizjes “Vetëvendosje” të shtunën në Viti kanë shprehur kundërshtimet e tyre rreth procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe krijimin e fondit zhvillimor për veriun e Kosovës, duke potencuar se sa më shumë që të zgjasin bisedimet me Serbinë, aq më të mëdha do të jenë dëmet për Kosovën.

Udhëheqësi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, por bisedime të kryeministrit të Kosovës me Serbinë, pasi po të pyetej populli nuk do të zhvilloheshin këto bisedime, pasi ato janë të dëmshme për Kosovën.

Kurti ka thënë se për t’u zhvilluar këto bisedime Serbia është dashur të plotësonte pesë kushte, ku fillimisht, sipas tij, të ndryshojë kushtetutën e vet, në të cilën përmendet se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë, pastaj të ndërpresë financimin e strukturave paralele në Kosovë, të kërkojë falje për gjithë ato viktima dhe dëme që i ka shkaktuar Kosovës në luftë, të arrestojë kriminelët e luftës, si dhe të kompensojë dëmin që i ka shkaktuar popullit të Kosovës gjatë luftës.

“SHBA-ja dhe Gjermania i kanë vendosur kushte Serbisë, kurse Kosova ka hyrë në këto bisedime pa asnjë kusht”, është shprehur ndër të tjera Kurti. “Në marrëveshjen e fundit në Bruksel, pos që nuk u përmend fare Lugina e Preshevës, është pranuar që veriu të shkruhet me “V” të madhe, që përcakton veriun jo më si pjesë gjeografike, por si etnitet më vete”.

ARKATANA

Kurti është shprehur se në këto bisedime palët janë dakorduar për fond zhvillimor për veriun, e jo për Drenicën apo Luginën e Preshevës, apo tërë Kosovën, dhe ky fond nuk i kontribuon integrimit të serbëve.

“Nëse ka fond për veriun, atëherë po ndahet veriu nga Kosova”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se mjetet nga ky fond do të shkojnë për zhvillimin e pjesës veriore të Mitrovicës ku, sipas studimeve të organizatave të ndryshme, të ardhurat për kokë banori në këtë pjesë janë 93 euro, derisa në pjesën jugore të këtij qyteti të ardhurat janë 37 euro. “Serbët mund të integrohen vetëm kur Kosovës t`ia heqim qafe Serbinë dhe kjo do të bëhet përmes punësimit, drejtësisë dhe eliminimit të strukturave paralele”, ka thënë Kurti.(koha)