Hidromorava

Kurti: Ushtria e domosdoshme për mbrojtjen e Kosovës, KFORI e SHBA-të kanë pak trupa

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës në prag të votimit të tri projektligjeve të FSK-së që i hapin rrugën kësaj të fundit për të u shndërruar në ushtri ka mbajtur një fjalim para deputetëve dhe kabinetit qeveritar ku ka përmendur mangësitë që i ka momentalisht FSK-ja, raporton “Zëri.info”.

Kurti e ka cilësuar si të rëndësishme krijimin e ushtrisë së Kosovës për arsyen se tanimë KFORI dhe SHBA-të kanë shumë pak trupa në Kosovë.

LEXO EDHE: Vetëvendosja: Ka punë në projektligjet e FSK-së deri në leximin e dytë

Ky është fjalimi i plotë i Kurtit:

Të nderuar qytetarë të Republikës,

Deputetë të Kuvendit,

Kabinet i Qeverisë,

KFOR-i sot ka rreth 4.000 trupa, të cilat nuk janë as 8% e asaj që kishte pas luftës. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët dikur i kishin afër 20.000 trupa në Kosovë, sot nuk i kanë as 700. Është e rëndësishme që të kemi forca tona të armatosura të cilat na mbrojnë si shtet.

Janë dy faktorë përkufizues, besoj unë, për krijimin dhe ndërtimin e forcave të armatosura të Republikës së Kosovës. Faktori i parë është i aspektit diferencial, ndërkaq faktori i dytë është i aspektit referencial.

RCCOLA

Aspekti diferencial konsiston në atë që ta dijmë raportin e forcave tona të armatosura me forcat e fqinjëve. Posaçërisht me fqinjin verior, i cili nuk e njeh shtetin tonë të pavarur. Në kontrast me Shqipërinë, e cila e pat njohur edhe Republikën e parë të Kosovës në vitin 1991, por edhe për dallim prej Malit të Zi dhe Maqedonisë, Serbia nuk na njeh, nuk e pranon pavarësinë e shtetit tonë.

Shpresoj që dikush nga Qeveria e ka shikuar se çfarë ushtrie ka Serbia, përmasën dhe përbërjen, strukturën dhe armatimin, doktrinën dhe aftësitë e saj. Forcat tona të armatosura janë kapaciteti ynë mbrojtës. Ndaj kujt duhet të na mbrojnë ato? Ndaj atij që mund të na sulmojë, apo jo? E kjo është para se gjithash, Serbia. Prandaj, pyetja ime është: para se të na i sjellin këto tri projektligje, të cilët ne do t’i votojmë në parim, a kishte studim e analizë paraprake Qeveria e Kosovës për kundërvënie efikase, për mbrojtje të suksesshme, karshi Serbisë? Kjo nuk do të thotë që ti bën ushtri më të fuqishme se kundërshtari, por e bën sulmin e kundërshtarit të palevërdishëm. Përndryshe, numrat si 5.000 e 3.000 nuk thonë asgjë vetvetiu.

Dhe, aspekti i dytë është referencial. Kosova ka territor e kufij të caktuar, popullsi e gjeografi të caktuar, reliev specifik dhe shtigje të caktuara komunikacioni e transporti. Forcat e armatosura të shtetit tonë duhet të ju referohen këtyre. Sërish numrat 5.000 dhe 3.000 nuk thonë asgjë vetvetiu. Duhet përshtatur zonat e njësitë, kapacitetet dhe njohuritë, organizimin dhe strategjitë, karakteristikave të shtetit, popullit dhe vendit tonë. Në këtë pikë, duhet shqyrtuar e shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të qenë komplementar, pra përplotësues, me Republikën e Shqipërisë, që të kursejmë duke mos u dyfishuar pa nevojë.

Kohëzgjatja e zhvillimit të kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së thuhet se do të jetë 10 vjet. Për bindjen time, nuk është serioze një qasje që parasheh një periudhë kaq të gjatë.

Meqenëse Forca e Sigurisë së Kosovës sërish nuk do të jetë tamam ushtri as forcë e armatosur siç duhet, është e nevojshme që ne të bëjmë marrëveshje me Shqipërinë për ndihmë të ndërsjelltë e mbrojtje të përbashkët. Largqoftë nëse kemi një situatë të tillë të rrezikshme siç është lufta, mbrojtja e përbashkët ndodh menjëherë e spontanisht nga populli, por është mirë që shteti dhe institucionet e mekanizmat e tij të jenë në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë ndaj popullit. Për shembull, një marrëveshje të këtillë për mbrojtje e ka Islanda me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse Islanda është vend i NATO-s, ajo nuk ka ushtri fare, mirëpo ka marrëveshje për t’u mbrojtur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Forcën e Sigurisë së Kosovës, të avancuar, është mirë që pjesëtarët të kenë edhe një shkollim profesional, ashtu që pas mbarimit të shërbimit, të dalin edhe me një zanat. Praktikohet edhe gjetiu kjo.

Duhet të kemi oficerë të shkolluar, dhe këtu mendoj se i kemi humbur gati 20 vjet e së paku 10 vjet. Asnjë qeveri nuk ka pasur program që vajza e djem të përzgjedhur nga Kosova t’i dërgoj për studime le të themi në Akademitë e famshme siç janë Citadel dhe Ëest Point.

Dhe, në fund krejt, por jo për nga rëndësia, duhet të shihet se çfarë edukimi patriotik e politik do të kenë pjesëtarët e FSK-së. Ata janë njerëz, jo robota që shërbejnë për të mbajtur armët. Shkollimi brenda i pjesëtarëve të FSK-së është edhe më i rëndësishëm sesa arma që do ta mbajnë.

Ju falemnderit.