ARKATANA

Kurti thotë se LDK-ja e AAK-ja nuk e duan fort largimin e tij: Vetëm një gjë e dëshirojnë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri Albin Kurti tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dëshirojnë ta kritikojnë e sulmojnë atë, më shumë sesa ta largojnë nga drejtimi i vendit.

Kurti tha mbrëmë nga Brukseli se është i gatshëm “edhe për qeverisje demokratike, edhe për zgjedhje të reja”, raporton Gazeta Express.

“Unë u përpoqa të mundësoj zgjedhje të reja demokratike tash që jam në vitin e fundit të mandatit tim dhe kur zgjedhjet e ardhshme nuk janë më çështje vitesh por janë çështje muajsh. Thamë ta diskutojmë bashkërisht shpërndarjen e Kuvendit në një muaj dhe stinë të përshtatshme, por duket që pjesa më e madhe e opozitës në Kosovë vetëm një gjë e dëshirojnë më shumë sesa largimin tim, e kjo është kritikën e sulmin ndaj meje, që nënkupton se duhet të vazhdoj të mbetem kryeministër deri kur, më së largu, bëhen katër vite e pastaj nuk do të mund t’i shtyjnë më”, tha ai para gazetarëve kur u pyet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Kurti duket se nuk është më i interesuar të diskutojë me partitë opozitare “se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës”, kështu siç pati thënë pas një darke me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi më 13 maj.

United Hospital

Në një tubim të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, ai iu tha anëtarëve të partisë se zgjedhjet do të mbahen vitin e ardhshëm pasi “opozita nuk mund t’i shtyjë pafundësisht”.

Një përpjekje që u duk se po bëhej që vendi të shkonte para kohe në zgjedhje parlamentare, u shpall e dështuar në fund të majit.

PDK-ja insistoi që të shpërndahej Kuvendi dhe Krasniqi ishte optimist se për këtë do të merrej vesh me kolegët e tij opozitarë, pas një dakordimi paraprak me Kurtin.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk u pajtuan që vendi të shkojë në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit,duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.