Kurti: Qeverisje si në filmat e mafisë siciliane

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kanë stil qeverisjen sikur në filmat për mafinë siciliane, thotë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Sipas tij, partia në pushtet e përvetësoi parullën e Kadri Veselit “familja, prona, shteti”. Kësaj partie, “të cilën po e merr SHIK-u”, Kurti thotë se në parullën e saj i mungojnë “shoqëria dhe kombi” derisa anëtarët e saj e kanë kapur shtetin dhe pronën për vete dhe familjet. Dhe, shton ai, “qëlloi AAK se qeverisja e saj ishte duke mbaruar…”.

Përgjimet e bisedave të tyre telefonike nga ana e EULEX-it kanë treguar se liderët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk janë as “as qeveritarë as qytetarë, por se janë mafiozë”, thotë lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një intervistë për Jeta Kosovë.

“Flasin italisht, një gjuhë që nuk e dinë. Është një stil i qeveritarëve që do të quhej Marlon Brando ëanna-be”, thotë Kurti, duke aluduar në heroin e një familje amerikane me pushtet kriminal dhe me prejardhje nga Italia në filmin “The Godfather”. “Janë njerëz të cilët dëshirojnë të jenë sikurse në filmat për mafinë siciliane, ku portretizohen mbledhjet e tyre kriminale”.

Kurti është politikani i cili ka pasur polemikat më të ashpra në Kuvendin e Kosovës me Kryeministrin Hashim Thaçi, gjatë vitit 2012. Në pjesën e fundit të punimeve të Parlamentit, duke iu përgjigjur kritikave të “Vetëvendosjes” për fillimin e bisedimeve politike me Serbinë, Thaçi ndër të tjera e akuzoi Kurtin se ka ardhur në politikën kosovare “nga dera e Ivica Dacicit”.

Por, përkundër këtij thumbimi të tij nga pushteti, Kurti vazhdoi të kritikojë qeverinë për skandalin e përfitimit të dyshuar joligjor të mbi 1.4 milionë eurove nga tenderi për printimin e pasaportave biometrikë, tash i ndërprerë. Madje ai hedh dyshime edhe në lidhje me vdekjen e Dino Asanajt, ish-kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ai thotë se trupi i pajetë i Asanajt u varros shpejt ndërsa mjeko-ligjorët nuk dhanë shpjegime maksimale për shkaqet e vdekjes. Duke pasur parasysh gjuhën mafioze të këtyre bisedave telefonike, shprehet ai, “nuk përjashtoj mundësinë që ka pasur edhe motive të brendshme në atë se çfarë i ka ndodhur zotit Asanaj”.

Kurti përmend se njeriu tjetër që ishte vendimtar për privatizimin, ish-Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ahmet Shala, është dërguar ambasador në Japoni.

“Vetëm në Zelandë të Re është më larg se kaq”, shprehet Kurti. “Njërin e fërfëllojnë në dheun e largët, tjetrin nën dhe. Unë mendoj se këto nuk janë të rastësishme”. Edhe heshtja e familjes Asanaj është e çuditshme, shton ai.
Kreu i Vetëvendosjes kritikoi edhe mos-kthimin e Kryeministrit Hashim Thaçi nga vizita e tij në Arabinë Saudite kur Asanaj vdiq, ndonëse, sipas tij, ky i fundit kishte pozitë më të rëndësishme se të gjithë ministrat. “Kryeministri u kthye pas disa ditësh kur prej Arabisë Saudite shkoi në Bullgari”, tha Kurti.

Kurti tha se prania e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) në Qeveri është evidente. Edhe më parë, tha ai, kur Kryeministri Hashim Thaçi nuk u besonte krejtësisht ministrave të tij u dërgonte agjentët si zëvendës. Të tillë, shton ai, kanë qenë Fatmir Xhelili si ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe Adem Grabovci si ish-zëvendësministër i Transportit dhe Telekomunikacionit. “SHIK-u do të marrë edhe partinë (PDK-në)”, thotë Kurti.

Zgjedhjet e fundit të brendshme të partisë në pushtet, sipas tij, edhe nisën me parullën e ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli – “familja, prona, shteti”.

Kjo ishte parullë personale e tij kur u anëtarësua në një nëndegë në Mitrovicë, thotë Kurti, kurse tani gjendet në bilbordë të PDK-së dhe është bërë parullë e saj. “Secili që garon sot në PDK garon me programin ‘familja, prona dhe shteti’”, thotë Kurti.

“Pse familja?”, pyet ai. “Sepse i kanë rehatuar krejt dajat, tezet, kushërinjtë. Ju e patë se shefi parlamentar i PDK-së, Grabovci, i tha Kryeministrit ‘ma keni lënë një dajë anash’. Kryeministri i tha: ‘nuk më ke thënë’! “Pra, faji është te Ti, se kjo punë do të ishte e kryer”, interpreton Kurti, përgjigjen e Thaçit.

“Nepotizmi është prioritet qeveritar”, thotë ai. Fjala e dytë në parullë është prona, shton Kurti, sepse qeveritarët “kanë krijuar prona të mëdha përmes tenderëve ose privatizimit”. “Fjala e tretë është shteti – që ata e kanë kapur”, u shpreh ai. Kurti tha se në këtë parullë të PDK-së mungojnë ndërkohë dy koncepte kryesore – “shoqëria dhe kombi”.

Sa i përket politikës së jashtme, ai i sheh si pozitive njohjet e reja dhe mësimin e gjeografisë prej tyre, por kritikon për interesim në marrëdhënie multilaterale më shumë sesa në ato bilaterale dhe ndikim, kështu, në relativizim të subjektivitetit të Kosovës.

Kurti e konsideron arritje edhe anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por po ashtu kritikon se zyrtarët qeveritarë nuk “nuk janë përgjegjës dhe llogaridhënës ndaj Kuvendit të Kosovës, përkatësisht ndaj komisionit për punë te jashtme”.

Ai tha se ministri i jashtëm Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, përgjegjëse për politika të jashtme dhe të sigurisë, iu kanë përgjigjur vetëm nga njëherë thirrjeve të komisionit për raportim.

E dështimin më të madh Kurti e sheh “mocionin e PDK-së që e përdori Kuvendin e Kosovës për të vendosur marrëdhënie asimetrike me Serbinë”.

Qëlloi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës se kjo Qeveri ishte duke mbaruar, thotë lideri i Vetëvendosjes.

Kurti aludoi në disa votime të rëndësishme të deputetëve të AAK-së që e kanë mbajtur Qeverinë. Ai thotë se disa deputetë të AAK-së por edhe disa të LDK-së “shin në favor të pozitës”.

Megjithatë, thotë Kurti, ka pasur edhe “pozitë në opozitë” sikur ka qenë rasti me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i akuzuar edhe nga ministri Bajram Rexhepi se po shfaqet më i afërt me opozitën.

“Kuvendi i Kosovës ka qenë vendi i rezistencës kryesore ndaj qeverisë”, shprehet ai, optimist për ndryshime në vitin 2013. “Edhe guximi i qytetarëve po rritet”.

Kurti vlerëson grupin e tij parlamentar me 8 (nga një deri në dhjetë) dhe beson se ka bërë punën më të mirë në Parlament nga të gjitha grupet tjera.

Po ashtu, tha ai, Vetëvendosje është subjekti më demokratik nëse shikohet statusi i lëvizjes, puna e grupit parlamentar, mbledhjet e kryesisë dhe pasqyrat financiare.

“Janë shumë të shpeshta mbledhjet e kryesisë ku unë mbivotohem”, tha Kurti, duke shtuar se largimi i disa individëve nga Vetëvendosje është bërë për shkak se “ata ishin larguar nga programi i lëvizjes”.

Gjatë intervistës, Kurti tha se nuk i pëlqen të vë kravatë, por se Vetëvendosje është e interesuar të vijë në pushtet e të qeverisë – “të çliroj gjyqësorin prej ekzekutivit, të sjell drejtësi dhe zhvillim ekonomik”.

“Jemi të interesuar që populli i Kosovës të marrë guximin dhe të bëjë ndryshimin përmes organizmit”, tha ai. “Koalicionet e Vetëvendosjes me të tjerët duhet të bëhen mbi bazat e përputhjes programore dhe mbi besimin e ndërsjellët”. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).