Kurti : Qeveria udhëhiqet nga njerëzit e kazinosë

Gjilan – Albin Kurti në një tribunë të mbajtur në Gjilan që i referohej negociatave tha se bisedimet për Kosovën gjithmonë do të jenë mbi tavolinë sepse nën tavolinë politikanët tanë i kanë dosjet e tyre.
Qeveria e Kosovës udhëhiqet nga njerëzit e kazinosë të cilët interes të vetëm e kanë korrupsionin, pasurinë e tyre private dhe nepotizmin. Kështu është shprehur lideri i VV Albin Kurti të shtunën në Gjilan në një tribunë të titulluar “Ndalja e negociatave të cilat po na ndalin zhvillimin shtetëror, shoqëror dhe ekonomik?.
Kurti në këtë debat me qytetarë ka folur për shumë çështje aktuale e politike dhe në veçanti është fokusuar tek dialogu dhe takimet e Thaçit me Daqiqin.
Kurti duke folur për dialogun tha se bisedimet me Serbinë do të jenë gjithmonë mbi tavolinë sepse nën tavolinë politikanët tanë i kanë dosjet e tyre. “Asnjë njeri normal në Kosovë nuk do të kishte pranuar të flas me Tadiqin, pos Thaçit. Si të takosh një njeri që të ka vrarë motrën, babanë, vëllain, të ka dhunuar e plaçkitur. Thaçi fatkeqësisht nuk dinë të thotë jo në këto bisedime dhe në vend të saj ai e ka mësuar refrenin për bisedime “Ani” ka ironizuar Kurti.
Kurti tha se kemi politikanë që vetëm vetën e shikojnë dhe interesin e tyre material e familjar .Këtyre politikanëve vetëm mos ua prek interesat dhe paratë sepse janë nënshtrues në çdo kohë, kurse në raport me Serbinë nuk janë në gjendje asnjëherë të kundërshtojnë apo rezistojnë.”Reagimi më i vogël i VV karshi Qeverisë menjëherë nxitë reagime të tyre duke na shantazhuar e akuzuar në mënyrën më të keqe të mundshme kurse Serbisë po ia falin të gjitha” tha Kurti.
Kurti tha se nuk duhet të lejohet ky dialog nënshtrues dhe ku përfitues në të gjitha rastet po del Serbia e jo Kosova, sepse ajo po përfiton në kohë. Kurti tha se në Kosovë fatkeqësisht korrupsioni është sistem dhe këta qeveritar nuk kanë ndjenja as për shtet e as për Mitrovicën veriore, edhe pse ne kemi ofruar programe konkrete e alternativa dhe kemi sqaruar se integrimi dhe bashkimi i Mitrovicës është i mundur tha Kurti.
Kurti tutje tha se është koha e fundit dhe madje nuk guxojmë të lejojmë që këta njerëz ta kenë fatin tonë në duar të tyre sepse këta njerëz e kanë futur Kosovën në pazar. Sipas Kurtit korrupsioni dhe nepotizmi është i lidhur me negociatat.
Kurti tha se decentralizimi më së shumti e ka goditur Anamoravën edhe pse me kohë ishin bërë mijëra peticione. “Dhe tani ndodhë një fenomen shumë interesant. Në vend se Serbia të jetë e varur prej Kosovës, në fakt ne duhet të jemi të varur prej Serbisë sepse kështu ka lejuar klasa politike qeveritare në Prishtinë. Serbia duhet të kushtëzohet dhe ajo duhet të tregojë së pari fqinjësi të mirë karshi Kosovës”
Kurti tha se fitorja e VV është e pashmangshme sepse populli e ka kuptuar se kush po udhëheq me Qeverinë.
Edhe Ismajl Kurteshi kryetar i degës së VV tha se nuk janë kundër Amerikës e as kundër dialogut , por në këto procese duhet të shikohet interesi i kombit dhe i qytetarëve.
Kurse Besnik Bislimi profesor universitar ka sqaruar në mënyrë praktike të këqijat ekonomike dhe politike që vijnë nga dialogu me Serbinë./rajonipress/