Kurti pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së: Kjo është padrejtësi e papranueshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kurti e ka cilësuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre si “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të madh dhe të dëmshëm”.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ka deklaruar Kurti.
Dënimi i katërshes së UÇK-së, reagimet pas vendimit në Hagë
Ai ka thënë se aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por sipas tij, kjo nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e qytetarëve.
“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”, ka thënë ai.
Kurti ka kërkuar që aktgjykimi të ndryshohet në shkallën e apelit, duke theksuar se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, ka deklaruar kryeministri.
Në fund, Kurti ka shprehur mbështetjen e tij për familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.
“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


