Fundamenti

Kurti në pozicion refuzues ndaj planit franko-gjerman, paralajmërohen pasoja për vendin

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Për Qeverinë Kurti, propozimi franko-gjerman, pa njohje në të, ishte një “bazë e mirë” për marrëveshjen me Serbinë. Por, një telefonatë nga Derek Chollet me kërkesën që Kryeministri ta pranojë planin, e bëri të qartë se ai ka pozicion refuzues. Burimet bëjnë me dije se ky qëndrim e ka vënë në pozicion të vështirë Kosovën, në kohën kur Vuçiq befasoi dhe doli me përgjigje pozitive karshi kërkesës së pesëshes diplomatike. Një diplomat evropian i ka folur Gazetës Express për pasojat me të cilat do të përballet vendi nëse s’ka një “po” të qartë nga Kurti për planin e Perëndimit.

Gazeta Express

Kur Kryeministri Albin Kurti besonte se evropianët po e braktisnin propozimin për Kosovën dhe Serbinë që e kishin bërë vetë, donte me çdo kusht që ai plan të negociohej në Bruksel. Ai e ka akuzuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, që po e tentonte destabilizimin e veriut të Kosovës, për ta kamufluar refuzimin që ia kishte bërë planit franko-gjerman.

Por, në rrethana të panjohura për publikun, Kurti dhe Vuçiqi së fundmi i kanë ndërruar pozicionet. Tani presidenti serb e ka pranuar publikisht propozimin evropian, ndërsa Kurti, nuk u ka thënë ‘po’ akoma autorëve të propozimit.

Burime diplomatike nga një shtet evropian i kanë thënë Gazetës Express se takimi i fundit i pesëshes në selinë e Qeverisë në Prishtinë ka shkuar edhe më keq se që u pa në publik. Sipas këtij burimi, Kurti ka refuzuar t’i thotë “po” planit pavarësisht se është paralajmëruar se një hap i tillë do ta ndalë krejtësisht rrugën euro-atlantike të Kosovës.

“Ne dhe amerikanët i kemi bërë të qartë Kryeminsitrit Kurti se vizita ishte një ‘Ditë D’, pra dita kur duhet të thuhet pa mëdyshje si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi që ta pranojnë tërësisht planin e BE-së të inicuar nga Gjermania dhe Franca. Vuçiq e kreu detyrën krejtësisht dhe na befasoi për të mirë, por Kurti u tregua kokëfortë dhe refuzoi të deklarojë hapur se e pranon planin. Kjo ishte dëshpëruese”.

Megjithatë publikisht, rreth pozicionit të Kosovës në bisedime u kuptua më shumë të martën.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet mbrëmë njoftoi se ka folur në telefon me Kurtin, për t’i kërkuar atij që ta pranojë propozimin evropian.

“Fola me Kryeministrin Albin Kurti sot për të diskutuar rreth propozimit të BE-së për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe për të kërkuar që Kosova ta pranojë atë. Një temë kyçe ishte partneriteti ynë dhe synimet e përbashkëta për ta avancuar integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet.

Pas njoftimit të mbrëmshëm të Chollet, Gazeta Express e ka pyetur Zyrën e Kurtit se pse po i bëhen këto kërkesa rreth propozimit evropian dhe se a e ka ndërruar Kryeministri qëndrimin për të. Edhe këtë herë, ZKM nuk ka pasur një përgjigje për të dhënë.

Çfarë po kërkohet saktësisht nga Kryeministri, sipas kronologjisë së përgatitur nga Perëndimi?

“Fillimisht na nevojitet një ‘po’ finale dhe pa rezerva për planin e përgjithshëm. Nuk dëshirojmë fraza se drafti është bazë e mirë për bisedime sepse nuk kemi kohë për bisedime të pafundme derisa po ndodh lufta në Ukrainë. Është e papërgjegjshme të rrezikojmë edhe një krizë në veri për zgjedhjet lokale. Pranimi i planit hap mundësi për të dy palët që të përfundojnë ciklin e krizave të njëpasnjëshme” ka thënë burimi i gazetës.

Një hap tjetër që po i kërkohet Kosovës është draftimi i një statuti të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Qeveria e Kosovës në deklaratën e së premtes, pasi diplomatët evropianë dhe përfaqësuesi amerikan u nisën në Beograd, për ta takuar Vuçiqin, nuk ka lënë të kuptohet për ndonjë situatë konfliktuoze.

“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilin Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, thuhej në njoftimin e Kryeministrisë.

Por, pas atij takimi dyorësh me Kurtin, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, që kryesonte delegacionin e diplomatëve, tha se kishin pritur “kuptim më të mirë” për propozimin evropian, që u vlerësua si një “karton i verdhë” për palën kosovare

Uji Dea

“Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të misionit dhe do të vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë. Çfarë dua, megjithatë, të them në këtë pikë, është se ne kemi pritur kuptim më të mirë për mundësitë që ky propozim [propozimi evropian] i ofron”, u shpreh Lajçak pas takimit me Kurtin.

Sidoqoftë, për një situatë dramatike për të dyja palët kanë folur diplomatët. Vuçiq e ka bërë tashmë të qartë se çfarë e pret Serbinë.

Gazetës i është thënë se refuzimi i planit do ta dëmtonte Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave (deri në mundësi bllokimi), aplikimin e Kosovës në BE, Këshill të Europës dhe aspiratën për anëtarësim në NATO si dhe vizitat e Kurtit dhe ministrave në shtetet e BE-së dhe Bruksel.

Vizita e fundit e diplomatëve perëndimorë në rajon ka tërhequr edhe interesimin e mediave perëndimore.

Gazetari gjerman i gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, në një shkrim dedikuar vizitës së pesëshes së Perëndimit në Prishtinë dhe Beograd, ka shkruar për një kusht që thuhet se Kurti ua ka bërë atyre.

Sipas tij, Kryeministri kosovar u ka kërkuar diplomatëve garanci se ia sigurojnë njohjen e pesë shteteve mosnjohese të BE-së, në këmbim të pranimit të propozimit franko-gjerman.

Nuk dihet nëse ishte rastësi, por Lajcak pas pak takoi me radhë përfaqësuesit e shteteve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe me secilin prej tyre kishte folur rreth dialogut e propozimit për normalizimin e raporteve.

Të mërkurën, u bë e ditur se Lajçak do të udhëtojë urgjentisht në Kosovë, pa i bërë as një javë nga vizita e fundit.

Akoma nuk dihet se çka zyrtarisht përmban propozimi evropian, por sipas versioneve të fundit që janë publikuar, nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, të cilën e kërkon Kosova.

Në ndërkohë, në Beograd, Vuciq ka dhënë sinjale se ka pranuar të negociojë, sipas propozimit evropian.

Mediat në Serbi kanë njoftuar se ai ka kërkuar që të procedohet “hap pas hapi” me marrëveshjen, megjithatë pesëshja e emisarëve ka kërkuar që gjërat të lëvizin shumë më shpejt.

Kjo thuhet të ketë qenë edhe pika kryesore mospajtuese në mes të Vuçiqit dhe ndërkombëtarëve.

“Vuçiq ka propozuar të shkohet gradualisht, në faza, hap pas hapi. Prioriteti i tij është që të krijohet Asociacioni, pastaj të shkohet gradualisht tutje me negociatat. Pesëshja qartë e kanë thënë që s’ka hapësirë për negociata graduale apo në faza, dhe që pranimi dhe implementimi i të gjithë marrëveshjes duhet të diskutohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë një burim për Nova.rs, transmeton Express.

Në fund Vuçiq ka pranuar planin, por tani topi mbetet në oborrin e Kosovës.

Në sfond të gjithë kësaj, është tema tjetër – Asociacioni. Ambasada amerikane ka nisur diskutimet për themelimin e tij, siç kishte paralajmëruar se e bën, edhe pa miratimin e Kurtit dhe të Qeverisë së tij. /Express/