Fundamenti

Kurti: Ne nuk po themelojmë degë partie në diasporë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Ka që marrin pjesë në këto tubime dhe nuk janë në VV. Atyre u themi që nëse nuk ju pëlqen kjo lëvizje, organizohuni politikisht kudo që jeni.

Albinfo.ch: Një kërkesë rreth të cilës viteve të fundit janë pajtuar shumica këtu, ka qenë ajo për shuarjen e degëve të partive në diasporë. Në po këtë kohë Lëvizja Vetëvendosje është duke e bërë shtrirjen e saj në Zvicër e gjetiu. Çka e bën të ndryshëm këtë veprim të VV në krahasim me atë të partive në fjalë?

Albin Kurti: Së pari, ne nuk jemi parti por jemi lëvizje. Pastaj, Qendra e Vetëvendsjes në Zvicër nuk është themeluar pas themelimit të Vetëvendosjes në Kosovë por krahas saj. Ndërsa degët e partive kosovare në diasporë janë themeluar pas themelimit të partive përkatëse. Ne, kur jemi themeluar si Vetëvendosje, kemi filluar njëkohësisht, kudo që janë shqiptarët, organizimin e tyre për të drejtat e tyre. Pra jo vetëm në Ballkan por kudo ku jetojnë, edhe në diasporë.

Albinfo.ch: Në fjalën tuaj kërkuat nga shqiptarët organizimin e tyre politik etj. në vendin ku jetojnë, në të mirë të integrimit. Në të njëjtën kohë atyre u ofrohet angazhimi në Vetëvendosje…?

Albin Kurti: Tubimet tona kanë për qëllim të informojnë qytetarët me programin e Vetëvendosjes dhe ata që duan, këtë mund ta bëjnë duke u anëtarësuar dhe aktivizuar në lëvizjen tonë. Por ne e dimë se një numër i qytetarëve që marrin pjesë në këto tubime nuk angazhohen në VV, prandaj ne u themi atyre që edhe nëse nuk ju pëlqen kjo lëvizje, organizohuni politikisht kudo që jeni. Përcaktohu për atë që ta thotë mendja dhe ta do zemra. Vetëm mos rri pasiv se do të jesh viktimë e padrejtësive të ndryshme. Duke qenë aktiv fiton më shumë të drejta. Sepse për të fituar të drejtat duhet fuqi e fuqia don organizim.

Mobi Casa

Ne ju themi shqiptarëve këtu që përveç ndjekjes së zhvillimeve në Kosovë, ju duhet të angazhoheni nëpër organizatat e studentëve, nëse jeni studentë, apo në sindikata, nëse jeni punëtorë dhe të votoni e të kandidoheni për zgjedhjet që mbahen këtu. U themi kështu sepse pjesëmarrja në jetën politike e shoqërore të bën më të fuqishëm, pasi që politika merret me jetën tënde.

Albinfo.ch: Keni marrë pjesë në Kuvendin e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës që u zhvillua në Lugano. Në çfarë cilësie jeni ftuar dhe cilat janë mbresat nga takimet atje?

Albin Kurti: Kemi qenë të ftuar si Lëvizje Vetëvendosje, nga Partia Socialdemokrate në të cilën aderon një numër i madh i shqiptarëve që janë anëtarë të saj, e votojnë këtë parti ose kandidohen nga ajo. E kemi parë me interes të veçantë pjesëmarrjen në këtë kongres, me ç`rast kemi pasur një mori takimesh me funksionarë të kësaj partie dhe me deputetë të saj.
Mund të them se ata kanë një qëndrim të avancuar për shqiptarët në krahasim me disa subjekte tjera këtu.

Por ajo ku jemi fokusuar më shumë gjatë këtyre takimeve ka qenë çështja e pensionistëve të Kosovës. Ne e kemi mbështetur me këtë rast qëndrimin e sindikatës Unia për mosndërprerjen e pensioneve të shqiptarëve që kanë kontribuar këtu me dekada të tëra. U thamë atyre se mund të ketë individë shqiptarë që kanë keqpërdorur sistemin e ndihmasve sociale por kjo nuk duhet të përdoret për ndëshkim kolektiv të tyre.