Kurti: Ndërtimi i urave mbi Ibër rrit bashkëpunimin – janë për bashkëjetesë, jo për ndarje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të komunikimit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve në vend.
Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për këto ura, Kurti theksoi se mungesa e urave ka qenë shkak për tensione, ndërsa projekti aktual paraqet një mundësi për të ndërtuar lidhje të qëndrueshme mes veriut dhe jugut të Kosovës.
“Jam gjithmonë për ura të bashkëpunimit. Këto ura janë të krijuara për të mundësuar më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime mes qytetarëve. Urat nuk janë kundër askujt, por janë për të gjithë qytetarët – shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë dhe të tjerë,” tha Kurti.
Ai nënvizoi se ndërtimi i këtyre urave është në përputhje të plotë me planet zhvillimore dhe ligjet e Kosovës, duke reaguar ndaj paralajmërimeve të Bashkimit Evropian që i kishte bërë thirrje autoriteteve të shmangnin veprime të njëanshme.
Sipas kryeministrit në detyrë, njëra nga urat do të ketë gjatësi prej 51 metrash dhe gjerësi prej 10 metrash, me trotuare të përbashkëta nga 1.5 metra, dhe do të jetë e dedikuar për automjete dhe këmbësorë. Ura tjetër do të jetë 41 metra e gjatë dhe 3.7 metra e gjerë, e dedikuar vetëm për këmbësorët.
Me përfundimin e këtyre projekteve, numri i përgjithshëm i urave mbi lumin Ibër në territorin e Kosovës do të arrijë në 37, ndërsa në të gjithë rrjedhën e lumit – përfshirë Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë – do të ketë gjithsej 77 ura.
Kurti falënderoi komunat përkatëse dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për bashkëpunimin në këtë projekt, që pritet të përfundojë në vjeshtë me një kosto prej rreth 3 milionë euro.
Në lidhje me urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila mbetet e mbyllur për automjete dhe vazhdon të monitorohet nga karabinierët italianë të KFOR-it, Kurti tha se ajo duhet të hapet sa më parë.
“Nuk heqim dorë asnjëherë prej asnjë qëllimi tonë. Kjo urë ka nevojë të hapet. Ne nuk duam të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd, përfshirë edhe karabinierët italianë, prandaj po i presim që të binden edhe ata, siç jemi bindur ne,” përfundoi ai./Telegrafi/