UBT

Kurti: Me Astritin është kryer krim prej ditës kur u arrestua e deri kur humbi jetën

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Sot është mbajtur marshi për të kërkuar drejtësi për Astrit Deharin, i cili vdiq para tri vjetësh në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Në këtë marsh, i pranishëm ishte edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ai tha se nuk do të ndalet në kërkim të drejtësisë, derisa të zbardhet e vërteta rreth vdekjes së Astritit, për të cilin tha se u vra nga regjimi. Kurti nuk la pa përmendur edhe drejtuesit e atëhershëm të institucioneve të cilët kishin deklaruar se Astriti ishte vetëvrarë, e që ekspertiza e mjekësisë ligjore të Lozanës konstatoi se vetëvrasja në rastin e Astritit është pak e mundshme, duke kërkuar kështu një hetim të ri, raporton Gazeta Express

Kurti tha se tri vjet pa Astritin dhe pa drejtësi për të janë tepër shumë, duke kujtuar kohën prej kur Astriti ishte arrestuar e deri në ditën kur vdiq në qelinë e tij.

“Tri vjet pa Astritin janë shumë, e tri vjet pa drejtësi pa Astritin janë tepër shumë. Jemi tronditur të gjithë atë ditë kur e arrestuan Astritin, më 29 gusht 2016, kur e akuzonin pa aktakuzë, kur e mbanë në burg pa e marrë në pyetje dhe jemi tronditur tepër shumë kur na thanë se nuk do ta shohim më. Astriti është emri i tragjedisë për studentin e mjekësisë dhe aktivistin e lëvizjes, porse Astriti është emri i padrejtësisë për qytetarin e Republikës dhe njeriun e ndërgjegjshëm. Në qelinë A3 të burgut të Prizrenit ku kam qenë edhe vetë para 12 vjetëve, e kanë mbytur një njeri të pafajshëm”, tha Kurti.

Kurti përmendi edhe testet që i ishin bërë Astritit për drogë, e ku ishte konstatuar se nuk kishte përdorur asnjë nga 11 llojet për të cilat ishte testuar.

Kurti ka drejtuar kritika drejt njerëzve të cilit ishin deklaruar për vdekjen e Astritit e që disa prej tyre e kishin quajtur vetëvrasje.

“I pari që foli atëbotë nuk ishte drejtori i burgut as Ministria e Drejtësisë as zonja ministre, por ishte kryepolici i rajonit të Prizrenit zoti Nexhmi Krasniqi. Thua se Astriti na vdiq në rrugë apo stacion policor, dhe jo vetëm se foli, por edhe gënjeu sepse foli për medikamente të paqena për teprime në medikamente të paqena”, tha Kurti.

Kurti tha se mbajtja e Astritit në paraburgim për 68 ditë pa u intervistuar, ishte tendencë për izolim dhe jo përpjekje për të vërtetën.

“Nëse Astriti do të lihej në liri ose me detyrim që të paraqitej në polici, atëherë do të mund të mos ngutej prokurori që ta merrte në pyetje, mirëpo të mbahet në paraburgim një qytetar i Republikës për 68 ditë, pa u intervistuar asnjëherë, e të mos i ngutet prokurorit, Kjo është së paku tendencë për izolim e kurrsesi për përpjekje për të vërtetën ose drejtësi”, theksoi Kurti.

“Kryepolici i rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, pati thënë i pari se Astriti ka vdekur nga doza e tepërt e medikamenteve. Kryeprokurori i Gjykatës Themelore në Prizren, zotëri Sylë Hoxha, konstatoi se Astriti është vetëvrarë, ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. Kjo tregon se edhe në polici edhe në prokurori nuk kemi pasur synim për të vërtetën e drejtësinë por një qëllim tendencioz, pra ka ekzistuar një qëllim para drejtësisë. Prej Nexhmi Krasniqit e te Sylë Hoxha na kanë treguar se e kanë një qëllim tjetër tendencioz, që është prioritet para të vërtetës faktike dhe drejtësisë ligjore, ata neve na kanë treguar, jo ne atyre”, tha Kurti.

Kurti nuk la pa përmendur e pa krahasuar edhe raportin e autopsisë së Mjekësisë Ligjore të Kosovës me atë të Lozanës së Zvicrës, konstatimi i të cilave dallon nga njëri-tjetri.

RCCOLA

“Raporti i autopsisë së mjekësisë ligjore në Prishtinë tha se shkaku i vdekjes është asfiksia mekanike, pra bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë një shishe e plastikës. Raporti i mjekësisë ligjore nga instituti i Lozanës tash së fundmi praktikisht e përjashtoi mundësinë e vetëvrasjes dhe solli shumë të gjetura shkencore. Një hetim i ri nevojitet, një hetim i pavarur e profesional, jo vetëm për provat materiale por edhe për rrethanat faktike. Jo vetëm për mbytjen e Astritit, por edhe për procesin e kësaj padrejtësie 3-vjeçare”, tha Kurti.

Kurti në fjalimin e tij në marshin për Astritin, tha se ai u mbyt nga regjimi sepse nuk e merrnin në pyetje.

“Astriti u mbyt nga regjimi sepse nuk e merrnin dot në pyetje, dhe prokurori nuk e merrte në pyetje sepse prokurori Lëvizjes sonë i jepej përgjigje policore për pyetjet që ne i ngrisnim. Drejtësia i nxjerr jashtë shoqërisë kriminelët dhe i fut në burg, mirëpo në Kosovë drejtësia dhe sistemi prej burgut te gjyqësia, prej qeveritarëve te prokuroria, është bërë vend i krimit në rastin më të rëndë, pikërisht me mbytjen e Astrit Deharit. Mbi Astritin është kryer krim prej ditës kur u arrestua deri atëherë kur e humbi jetën”, theksoi Kurti.

Kurti përmendi edhe vdekjen Naser Makollit, njeriut i cili e kishte gjetur i pari Astritin të vdekur në qeli, e për këtë rast ai tha se do të kërkohet liri njëjtë si për Astritin.

“…dhe sikur kjo të mos mjaftonte, shoku i tij i dhomës i cili e gjeti i pari Astritin, me datën 4 prill të vitit pasues, 2017 gjendet i vdekur në qelinë t7 të burgut të Lipjanit. Ai është ankuar për dhembje lukthi, ka humbur shumë peshë por në fund ka vdekur nga pëlcitja e aortës. Rrethanat e vdekjes së Naser Makollit, të njeriut i cili tha se ia ka dhënë i pari ndihmën e parë, por më pas dha edhe deklarata kontradiktore se është frikësuar nga marrja në pyetje e policisë, është Është pjesë e këtij hetimi të pavarur e profesional që e kërkojmë ne sot e do ta kërkojmë përditë derisa drejtësia të vihet në vend:, tha Kurti.

Kurti foli edhe për letrën e ish-ministres së drejtësisë, Dhurata Hoxha, përmes së cilës kishte kërkuar që të niste një hetim ndaj personave që kishin kryer autopsinë e Astrit Deharit.

“Me datë 20 dhjetor të vvitit 2016, kishim vendimin e Kuvendit të Republikës për hetimin ndërkombëtar, mirëpo menjëherë pas kësaj rezolute të miratuar në organin më të lartë legjislativ në shtetin tonë, pasoi letra e ish-ministres së drejtësisë dërguar kryeprokurorit të shtetit oërmes së cilës ajo kërkonte të kryhen hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, merrni me mend, ndaj avokatit Tomë Gashi, ndaj ekspertit të mjekësisë ligjore Besim Ymaj dhe ndaj patologut Besim Latifaj, të cilët kanë marrë pjesë në obduksionin e aktivistit tonë Astrit Dehari, të mbytur në qendrën e paraburgimit në Prizren, pa aktakuzë e i pafajshëm këtu e tri vjet më parë. Në vend që të bëhen hetime të pavarura, të paanshme e ndërkombëtare, kishim një ministre e cila inicioi përndjekjen e atyre që dëshironin të mësonin të vërtetën dhe ta zbardhnin atë”, tha Kurti.

Në fund të fjalimit, Kurti tha se drejtësia për Astritin do të kërkohet për të gjithë qytetarët e Kosovë e për të gjitha gjeneratat.

“Astrit Dehari sot është më shumë se njeri, më shumë se aktivist, student, qytetar, është simbol i betejës sonë të pareshtur për drejtësi, sigurisht se këtë betejë do ta fitojmë, jo vetëm për Astritin por për të gjithë qytetarët e republikës, jo vetëm për këtë brez por edhe për gjeneratat e ardhshme. Unë jam astriti, ne jemi Astrita, Astriti është ylli ynë që nuk shuhet kurrë”, theksoi Kurti. /GazetaExpress