RCCOLA

Kurti i bindur se Kosova plotësoi kushtet për heqjen e sanksioneve, Escobar shfaq mospajtim

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Në takimin e nesërm në Bruksel, Kosova për herë të parë do të ulet në një tryezë me Serbinë duke qenë e sanksionuar nga vetë Brukseli. Ditë më parë, kryenegociatori Besnik Bislimi shpalosi publikisht pritjet e tij që masat e BE-së të hiqen para 14 shtatorit dhe që Kosova të jetë në pozicion të barabartë me Serbinë. Një ditë para takimit, Kosova vazhdon të jetë e ndëshkuar, ndërsa kryeministri Kurti vazhdon të këmbëngulë se e ka bërë pjesën e tij për t’iu hequr ndëshkimi. Ndërkohë që në anën tjetër, emisari amerikan, Gabriel Escobar, e thotë të kundërtën.

Kryeministri Albin Kurti i ka përshkruar si sanksione masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës, por thotë se kanë vendosur t’i quajnë masa për shkak të procedurave që do duhej t’i ndërmerrnin.

“Ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar t’i votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat”.

Kurti u pyet për hapat konkretë të ndërmarrë për të shtensionuar situatën dhe thotë se zbatimi i marrëveshjes Kosovë-BE që u arrit në Bratislavë është duke ndodhur.

“Unë kam bërë tre hapa konkretë. Së pari e kam zvogëluar praninë e policisë në ndërtesat komunale në veri për 25%, pastaj kam zvogëluar edhe për 25% të tjera, pra gradualisht dhe proporcionalisht me largimin e ekstremistëve të dhunshëm ose me arrestimin e tyre dhe gjithashtu kam bërë edhe hapin e rëndësishëm të udhëzimit administrativ, i cili krijon mundësi për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, ashtu që atje të kemi kryetar të rinj brenda pak muajve duke e zbatuar kështu nenin 72 të ligjit për vetëqeverisje lokale që thotë se së pari qytetarët me 25% të trupit elektoral mund të bëjnë një peticion i cili çon në votim që më pastaj e përfundon mandatin e këtyre katër kryetarëve të komunave. Unë e di që legjitimiteti i tyre është i vakët sepse ka pasë dalje të ulët në zgjedhje, mirëpo, të tjerët nuk kanë legjitimitet fare”, ka thënë Kurti.

Në anën tjetër, emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka bërë me dije se ka edhe disa zhvillime të fundit në veri, të cilat i prezantoi si pengesa për të ardhur në përfundimin se Kosovës duhet t’i hiqen masat.

Mobi Casa

“Ajo që na shqetëson në Kosovë është mungesa e vazhdueshme e koordinimit mes dy palëve për rrugën përpara, përfshirë shfrytëzimin e njësive të posaçme të policisë për shpronësime dhe dëbimin e disa institucioneve serbe nga ndërtesat qeveritare. Të gjitha duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut, dhe po u bëjmë thirrje dy palëve që të sigurohen që të gjitha çështjet të koordinohen me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës.

Për t’iu hapur rrugën më shpejt zgjedhjeve në katër komunat veriore – një nga pikat e marrëveshjes për shtensionim – Escobar tha se mënyra më e lehtë është përmes dorëheqjes nga kryetarët e komunave.

“Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Në fakt, nuk ekzistojnë shumë nga rregulloret dhe ligjet për këtë. Megjithatë, po kërkojmë për çfarëdo mundësie brenda Kushtetutës, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, tha Escobar, derisa shtoi se janë duke i kërkuar serbëve të marrin pjesë në zgjedhje.

Kurti tha se nesër në Bruksel tryeza e negociatave është e dëmtuar derisa masat janë në fuqi ndaj Kosovës.

“Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besoj që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim”./Express/