Kurti e ambasadorët e QUINT-it disktuojnë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, temë qëndrore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ku Kurti ia rikujtoi se Kosova i plotëson të gjitha kriteret ligjore e institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate, shkruan Zeri.info.
“Ai theksoi se avancimi i mëtejmë i vendit tonë në procesin e pranimit do të tregonte se reformat demokratike dhe linjëzimi me normat dhe vlerat evropiane njihen dhe vlerësohen madje dhe në kontekste të vështira politike në të cilat kërkohen vendime parimore dhe strategjike që përforcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë evropiane. Si rezultat i vonesave në anëtarësim, shtoi më tej kryeministri, po të vazhdohet t’u mohohet qytetarëve të Kosovës, përfshirë komuniteteve joshumicë dhe grupeve tjera të cenueshme, e drejta në qasje në Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një mekanizëm ky mbrojtës kyç që do të mund të forconte ndjeshëm të drejtat individuale dhe llogaridhënien”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u diskuta edhe për rrugën përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e fundit në vend./Zëri