ARKATANA

Kurti: Bisedimet me Serbinë bosnjëzojnë Kosovën

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se duke biseduar me Serbinë pa kushte, Kosova po rrezikon bosnjëzimin e saj meqë Serbia po synon të krijojë një lloj shteti të vogël, brenda shtetit të brishtë të Kosovës.

“Po të organizohej një referendum në Kosovë lidhur me bisedimet për të ashtuquajturin normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, sigurisht që populli do të deklarohej kundër. Mirëpo, referendumi siç e dini, nuk lejohet në Kosovë për asgjë asnjëherë dhe prandaj krijohet përshtypja për Kosovën në bazë të politikanëve konjuktural, të cilët janë treguar të gatshëm sërish që të negociojnë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa asnjë kusht për Serbinë, kur dihet se Gjermania asaj i ka vënë shtatë kushte ndërsa SHBA i ka vënë kushte Serbisë. Besoj se vetëm duke e kushtëzuar Serbinë në do të mund të bëheshim sovran dhe prandaj lëvizja Vetëvendosje i kundërshton këto bisedime pa kushte për Serbinë dhe në të njëjtën kohë, besojmë që normalizimi i marrëdhënieve me një shtet anormal si puna e Serbisë do të përkthehet në abnormalizim të mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës”, ka thënë Kurti.

I pyetur se cila është alternative, Kurit ka thënë se sovraniteti nuk është dialog me armikun, por është monolog brenda shtetëror e brenda kombëtar.

“Në duhet t’i kthehemi vetes sonë, institucioneve tona, ekonomisë sonë. Duhet të afrohemi, integrohemi e bashkohemi me Shqipërinë dhe gjithashtu të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë ata që na kanë njohur, me SHBA-të, me vendet kryesore të BE-së, Turqinë e kështu me radhë, në mënyrë që Kosova të bëhet ashtu sic është shpallur, pra e pavarur e sovrane. Nuk mendoj që duke biseduar me Serbinë ne bëhemi sovran. Përkundrazi, ekziston rreziku që të bosnjëzohemi me ç’rast Serbia e krijon një si lloj shteti të vogël, brenda shtetit gjithnjë e më të brishtë të Kosovës”, ka shtuar ai.

FIDANISHTJA

Duke folur për platformën e Serbisë, lideri i Vetëvendosjes ka thënë se Serbia nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj “autonomi brenda autonomisë”.

Pra, në kuadër të autonomisë së Kosovës, siç e parasheh kushtetuta e saj, ata e duan autonominë e serbëve e cila nuk kufizohet vetëm në veriun e Kosovës.

“Një plan të këtillë do ta kishte nënshkruar menjëherë (Slobodan) Millosheviqi. Kjo u vërtetua që kemi të bëjmë pra me pasardhësit e drejtpërdrejtë politik të Millosheviqit dhe (Vojislav) Sheshelit, në formën e (Ivica) Daçiqit dhe (Tomisllav) Nikoliqit që e kanë edhe qëllimin edhe qëndrimin e njëjtë antishqiptar. Më 17 janar është paraparë që të fillojnë tash bisedimet edhe për veriun e Kosovës dhe përfundimisht po shkelet edhe Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e datës 19 tetor të vitit të kaluar, atëherë kur u tha se kjo rezolutë do të mbrojë sovranitetin dhe nuk do të lejojë që të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës”, ka thënë Kurti. (ORAinfo)