RCCOLA

Kurti: BE po bën politikë të padrejtë ndaj Kosovës

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

“Epilogu i bisedimeve Kosovë – Serbi duhet të jetë kompromisi”. Kështu ka thënë kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti, gjatë një konference për media, i cili ka cituar fjalët e Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule, pas takimit që kanë pasur me Komisionin për Punë të Jashtme dhe atë për Integrime Evropiane. Ai po ashtu ka deklaruar t’i ketë thënë Fyles se nuk është fer dhe korrekte që për integrimet e saj Kosova të kushtëzohet me dialogun Kosovë – Serbi.

Kreu i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti, pas takimit që ka pasur me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule, ka treguar detajet e takimit, ku ky i fundit u ka thënë deputetëve se epilogu i dialogut duhet të jetë kompromisi në mes palëve në dialog.

“Nuk e saktësoi as Fule, por vetëm tha që Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromis, sepse kompromisi është vlerë evropiane. Njëmend kompromisi është vlerë evropiane, por jo kompromis në kurriz të viktimës, kompromis duhet të bëjë agresori, dhunuese, okupatori, jo viktima që mëzi mbijetoi. Tha që rezultati duhet të jetë kompromis”, ka thënë ai.

Duke marrë parasysh se Republika e Kosovës është në rrugën e saj të integrimeve evropiane, e po ashtu edhe të liberalizimit të vizave e negocimit të marrëveshjes së stabilizim asocimit me BE-së, Kurti ka thënë se nuk është e drejtë nga BE-ja që këto procese t’ia kushtëzojë Kosovës me dialogun me Serbinë.

RCCOLA

“I thash zotëri Fule se nuk është fer, nuk është korrekte që Kosova në integrimet e saj për në BE të kushtëzohet me dialogun me Serbinë. Nuk është në rregull që dialogu Kosovë – Serbi të jetë çështje për integrimin e Kosovës në BE, sepse Kosova nuk është problemi, Serbia është problemi që s’po na njeh dhe është e kuptueshme që Serbia të kushtëzohet me marrëdhënie të mira me Kosovën për integrimet e saj evropiane”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në takim kanë biseduar edhe për të drejtat e komuniteteve, posaçërisht atij serb, duke thënë se të drejtat e komunitetit serb në Kosovë nuk janë të drejta që i ka kërkuar minoriteti, por për shkak se kjo ka qenë interes i Serbisë dhe kërkesë e saj.

Ndërsa, kreu i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lufti Haziri, ka thënë se ndër kritikat e Komisionerit Fyle ka qenë që Kuvendi i Kosovës të mos ndërhyjë në punën e gjyqësorit. /Telegrafi/