RCCOLA

Kurteshi: Turpin dëshirojnë ta mbulojnë me turp

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Derisa qytetarët e Zhegrës dhe fshatrave për rreth protestojnë për realizimin e të drejtës së tyre legjitime për rrugë më të mirë dhe për përkujdesje institucionale më të dinjitetshme, komunarët e Gjilanit prapë përgjigjen me të njëjtën gjuhë të injorancës duke u munduar që t’i japin kahe politike kësaj proteste.

I turpshëm është ky reagim sepse gropat dhe rruga e shkatërruar nuk është as e LDK-së dhe as e Vetëvendosjes, por është e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe nuk është e vërtetë se protestuesit ishin opozitarë. Protestuesit ishin qytetarë të frustruar nga neglizhenca e Komunës, të cilët janë të mllefosur nga ky anashkalim i Qeverisë Komunale dhe asaj Qendrore me gjithë kërkesat e njëpasnjëshme me shkrim që i janë drejtuar këtyre institucioneve. Kështu thuhet në reagimin e Iniciativës qytetare të Zhegrës të nënshkruar nga Ruhan Kurteshi.

IQZH është një Organizatë Joqeveritare, e përbërë nga anëtarë të të gjitha subjekteve politike e edhe të partive në pushtet. Partitë në pushtet, dhe sidomos PDK, përmes presionit po mundohen ta blejnë heshtjen e qytetarëve duke u munduar t’i japin ngjyrim politik frustrimit gjithë qytetarë të këtij regjioni, thuajse asfaltimi i rrugës do të shërbejë vetëm për opozitën e jo për të gjithë qytetarët e Komunës.

Turpin e saj komuna ishte munduar ta mbulonte me nga pak asfalt pa kurrfarë kriteri, thuajse mund ta mashtrojë qytetarin me këso harrnimesh në gropat e panumërta nëpër rrugën e Zhegrës, fill pas paralajmërimit të protestës. Në anën tjetër, duke e parë efektin e presionit publik të kësaj proteste pushtetarët përmes vartësve të tyre në terren janë munduar të ndalojnë daljen e qytetarëve në protestë duke agjituar kundër shfaqjes së pakënaqësive në rrugë thuhet në reagim.

RCCOLA

Për të qenë absurdi edhe me i madh, Kryetari Mustafa nuk ishte i gatshëm që t’i priste qytetarët e vet për t`i dëgjuar përgjigjet adekuate nga organet komunale, me qëllim që mos të pësojnë qytetarët pa dallim partie dhe regjioni sepse nuk duhet nxitur frustrimin qytetarë në shkallën më të lartë dhe jashtë kontrollit. Këtë situatë e ka ushqyer injoranca e organeve komunale dhe duhet të ndërpritet ky lloj komunikimi.

Zëdhënësi i Komunës Shefik Surdulli vazhdon me të pavërtetat e tij duke e paraqitur gjendjen si të përkryer dhe projektet të përfunduara si ujësjellësi, kanalizimi, trotuaret, rrugët etj., me këtë ai dëshiron ti fajësojë qytetarët e Zhegrës se si nuk po e shohin Xhenetin me sy por po reagojnë pa arsye. Është bërë shprehi nga ana e komunarëve që kur realizohet ndonjë projekt nga ana e qeverisë qendrore siç është rasti me shkollën, nuk përtojnë të vet lavdërohen se komuna e ka realizuar projektin në fjalë, kurse për mosrealizimin e projektit të rrugës së Zhegrës dhe asaj Lladovë-Nasalë-Remnik ia hedh fajin qendrës për mosrealizim të tyre.

Ndriçimi publik nuk funksionon dhe është shkyçur nga rrjeti elektrik për shkak të mos pagesës . Ujësjellësi ka filluar qe tri vite dhe ende nuk është i kryer ndërsa kanalizimi nuk ka filluar asnjëherë por vetëm ka kyçje të egra në lum, për çka komuna duhet të brengoset se jeta e qytetarëve është e rrezikuar nga kontaminimi i ujit dhe puseve për rreth.

Zhegranët e mbajnë mend kur para jo shume kohësh uji i Lumit Karadak ka qenë i pijshëm edhe nga njerëzit dhe kafshët, kurse sot as zhabat nuk qëndrojnë në të. Prandaj shpresojmë se së paku organet komunale do t’i lexojnë kërkesat e drejta të qytetarëve të Zhegrës, me qëllim që te jenë më të kujdesshëm në reagimet e tyre përfundon reagimi./rajonipress/