RCCOLA

Kurteshi: 10 milion euro investime për Gjilanin pa ujëra të zeza

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Sot prezantuam planin e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjidhjen e një problemi të madh në Komunën e Gjilanit, që është problemi i ndotjes nga ujërat e zeza. Komuna e Gjilanit nuk ka asnjë rrjedhë natyrale të pandotur ka thënë Sami Kurteshi.

Projekti që paraqitëm do ta zhdukë përfundimisht ndotjen dhe erën e keqe dhe njëkohësisht do të sjellë në komunën e Gjilanit një investim prej 10 milion eurosh. Por për ta bërë këtë realitet na duhet vota e të gjithë qytetarëve që janë lodhur nga Lidhja dhe që duan ndryshim. Pra na duhet mbështetja e votuesve të të gjitha subjekteve pa dallim, dhe kushdo që e do ndryshimin në Gjilan.

Gjilani ka mbetur i vetmi qytet i madh pa kanalizime të rregulluara dhe pa përpunim të ujërave të zeza. 17 vite pas çlirimit, pushteti lokal nuk e ka zgjidhur këtë problem të madh, që i vjen era çdo prroske, në çdo fshat a lagje qyteti. Askush nga kryetarët e shkuar nuk e pranon fajin për këtë, e as ky aktuali, por mua nuk më intereson kush e ka fajin, pasi unë si kryetar i ardhshëm jam këtu për zgjidhjen e problemit e jo për t’ia lënë fajin
dikujt.

Pas konsultimeve me ekspertë dhe inxhinierë ndër më të mirët në Kosovë ne e kemi një plan të integruar dhe përfundimtar për çështjen e ndotjes nga ujërat e zeza në Gjilan. Ky plan përfshin ndërtimin e rrjeteve të kanalizimeve në të gjitha fshatrat e lagjet e qytetit, si dhe ndërtimin e impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Këto impiante do të jenë nëntokësorë, dhe do të prodhojnë ujë të pastër, që mund të përdoret për ujitje bujqësore.

Gjeografia e Komunës së Gjilanit ndahet në 5 gryka, luginat përmes të cilave vijnë këto ujëra në qytet. Duke respektuar formacionin gjeografik, ne do të ndërtojmë 5 impiante të përpunimit të ujërave të zeza, nga një në secilën grykë, dhe këto impiante do të mbledhin kanalizimet prej të gjitha fshatrave. Po ashtu do të ndërtohen 5 impiante të tjera në periferi të qytetit, të cilat do të gravitojnë kanalizimet nga të gjitha lagjet e qytetit. Pra do të jenë 10 impiante.

Uji Dea

Secili impiant do të ndërtohet bashkë me strukturën moderne të kanalizimeve. Një impiant do të funksionojë për një territor me rreth 10.000 banorë, kështu që me 10 impiante ne do ta mbulojmë gjithë territorin me rreth 100.000 banorë që e ka Gjilani. Kemi marrë vendimin të ndërtojmë impiante të tilla, të vogla, sepse kjo është teknologjia që po përdoret sot në të gjitha qytetet evropiane me përmasa të tilla. Këtu janë premtuar impiante të mëdha, por ato kushtojnë sa trefishi i projektit tonë, e nga ana tjetër, nuk funksionojnë ashtu siç duhet.

Pra do të jenë 10 impiante, dhe 10 rrjete kanalizimesh të reja. I gjithë sistemi do të kushtojë 10 milion euro, dhe këto para do të mbulohen nga tre burime: buxheti i komunës, përkatësisht investimet kapitale; qeveria e Kosovës, përkatësisht grantet për zhvillim lokal; si dhe donatorët e huaj, me të cilët jemi në kontakt dhe do të kemi marrëdhënie të mira.

“Unë dua t’ju shpjegoj se ato impiante do të jenë nëntokësore, dhe sipër tyre do të ndërtohen parqe e lulishte, me ambiente të gjelbëruara e lojëra për fëmijë. Ato parqe do t’ia shtojnë bukurinë Gjilanit dhe do të menaxhohen nga një kompani publike e hortikulturës. Në secilin park do të mbillen 500 drurë, e në total do t’i mbjellim 5000 drurë dekorativë në komunën tonë. Parqet do të gjenerojnë të ardhurat e tyre, me shitjen e luleve e të fidanëve, dhe do të ketë nga 10 të punësuar për secilin park, në total 100 të punësuar”, tha zoti Kurteshi.

Pra me planin tonë zgjidhet përfundimisht çështja e ujërave të zeza në Gjilan, dhe Gjilani nga qytet i ndotur do të bëhet qytet i pastër e i gjelbër, në mbrojtje e në përputhje me normat mjedisore evropiane ka thënë Sami Kurteshi./rajonipress/