FIDANISHTJA

Kur të tjerët të vlerësojnë: Musa Sabedini – Zëri i ndërgjegjes profesionale në gazetarinë kosovare

/ 13 minuta lexim
Hidromorava

Nga Arif Ejupi – Kur në Kosovë mbretëronte terr i plotë informativ, Musa Sabedini u shqua si një fanar i profesionalizmit, guximit dhe vlerave intelektuale. Ai nuk ishte thjesht një dëshmitar i kohës, por një nga ata që ndihmuan në formësimin e saj. Një edukator që vazhdon të mbjellë mendim kritik, guxim qytetar dhe dashuri për të vërtetën. Për Musa Sabedinin, gazetaria nuk ishte thjesht profesion, por një mision i ndërgjegjes.

Musa Sabedini lindi më 8 maj 1971 në fshatin Stublinë të Gjilanit. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm e ndoqi në QAMO “Zenel Hajdini” të Gjilanit, në drejtimin e Mjekësisë së Përgjithshme.

Që në shkollën e mesme, ai spikaste për talentin në gazetari dhe krijimtari letrare. Dallohej nga të tjerët për aftësinë në të shkruar, ndjeshmërinë ndaj realitetit shoqëror dhe mënyrën e thellë të të shprehurit.

Ndonëse kishte prirje të natyrshme për gazetari dhe krijimtari letrare, pas përfundimit të shkollës së mesme në Gjilan, Musa Sabedini zgjodhi të ndjekë studimet në Fakultetin e Mjekësisë.

Ky vendim nuk buronte nga mospëlqimi për gazetarinë, por nga një ndjenjë e thellë solidariteti dhe dëshire për t’u dalë në ndihmë njerëzve të tij, banorëve të Stublinës dhe qytetarëve të tjerë të Anamoravës, të cilët përballeshin me mungesë mjekësh dhe kushte të vështira jetese.

Gjatë kohës kur ishte student në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, Musa Sabedini u shqua jo vetëm për seriozitetin në studime, por edhe për angazhimin e tij në zgjidhjen e problemeve shoqërore të studentëve.

Ai ushtroi funksionin e Nënkryetarit të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Kosovës, një organizatë rinore që, në atë kohë, luante rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të studentëve dhe përfaqësimin e tyre në kohë sfidash politike e sociale.

Përveç këtij angazhimi, ai ishte edhe anëtar i Këshillit Mësimor të Fakultetit të Mjekësisë, si dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Kosovës. Këto detyra i kreu me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, duke u bërë zë i studentëve dhe përfaqësues i denjë në vendimmarrjet më të rëndësishme brenda këtij institucioni publik.

Duke ndjerë mungesën e theksuar të informimit të drejtë gjatë pushtimit serb, që në vitin 1990 Musa Sabedini filloi të kontribuonte rregullisht në gazetën “Bujku” të Prishtinës. Kjo gazetë ishte botuar si zëvendësim i përkohshëm i “Rilindjes” – organit të parë dhe më të rëndësishëm të shtypit shqiptar në Kosovë, e cila u mbyll më 5 shtator të vitit 1990 nga regjimi gjakatar i Sllobodan Millosheviqit.

Në një kohë të jashtëzakonshme, ai bëri një veprim po aq të jashtëzakonshëm, zgjodhi të mos heshtë. Artikujt e tij pasqyronin gjendjen reale në terren dhe ofronin një dritare të rrallë për lexuesin shqiptar, i cili atëherë ishte i izoluar nga informacioni i lirë.

Në vitin 1993, Musa Sabedini u zgjodh redaktor i rubrikës së brendshme “Bota e Re”, organ i Rinisë Studentore të Universitetit të Kosovës. Ky organ shërbente si një tribunë e rëndësishme, ku zëri i studentëve shqiptarë artikulohej me guxim dhe pjekuri, në një periudhë represioni sistematik.

Me stilin e tij të kthjellët dhe përmbajtësor, Sabedini u bë një nga zërat më të respektuar të këtij organi, duke promovuar mendimin kritik, qëndrimin qytetar dhe etikën profesionale në të shkruar.

Falë përkushtimit të palëkundur në gazetari dhe seriozitetit në trajtimin e temave me interes publik, gjatë viteve 1994 -1997 Musa Sabedini u zgjodh Kryeredaktor i gazetës studentore “Bota e Re”. Në një kohë të jashtëzakonshme për Kosovën dhe arsimin në gjuhën shqipe.
Kjo pozitë nuk ishte thjesht një detyrë profesionale, por edhe një përgjegjësi morale dhe kombëtare.

Nën drejtimin e tij, gazeta jo vetëm që ruajti frymën kritike dhe mendimin e lirë të rinisë universitare, por u kthye edhe në një platformë të fuqishme informimi dhe ndërgjegjësimi gjatë errësirës politike të asaj kohe.

Kur në Kosovë mbretëronte terr i plotë informativ, Musa Sabedini u shqua si një fanar i profesionalizmit, guximit dhe vlerave intelektuale. Ai nuk ishte thjesht një dëshmitar i kohës, por një nga ata që ndihmuan në formësimin e saj. Një edukator që vazhdon të mbjellë mendim kritik, guxim qytetar dhe dashuri për të vërtetën.

Gjatë viteve të luftës 1997 – 1998, në kushte të vështira pune dhe mungesë të lirisë së shprehjes, Musa Sabedini shërbeu si korrespondent nga Gjilani për gazetën e përditshme “Kosova Sot”.

Ai raportonte rregullisht për zhvillimet në terren, pasqyronte gjendjen e popullatës shqiptare dhe ruante integritetin profesional në një kohë kur fjala e lirë ishte e rrezikuar.

Kjo periudhë dëshmon se për Sabedinin, gazetaria nuk ishte thjesht profesion, por një mision i ndërgjegjes.

Kontributi i palodhur dhe profesionalizmi i Musa Sabedinit në fushën e gazetarisë u vlerësuan me katër çmime radhazi si “Korrespondenti më i mirë në Kosovë”, të ndara nga juri të ndryshme profesionale në vitet 2003, 2006, 2007 dhe 2008.

Këto vlerësime përfaqësojnë jo vetëm shpërblim për punën e tij në terren, por edhe njohje të merituar për etikën, qëndrueshmërinë dhe guximin e tij në raportim gjatë periudhave të trazuara.

Pas çlirimit të Kosovës, Musa Sabedini vazhdoi të kontribuonte ndjeshëm në mediat e pasluftës, duke punuar si gazetar në disa prej të përditshmeve më të njohura të vendit, si “Epoka e Re”, “Kosova live” dhe “Lajm”.

Me fjalën e matur dhe analizën e thellë, ai dha kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e një gazetarie të përgjegjshme, që synonte informimin korrekt dhe rritjen e vetëdijes qytetare në një shoqëri të dalë nga lufta.

Që nga viti 2000, Musa Sabedini udhëheq Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan, një organizatë që është shndërruar në një qendër të rëndësishme kulturore për rajonin.

Nën drejtimin e tij, klubi ka organizuar qindra takime, tryeza dhe manifestime letrare, përfshirë takimet vjetore të poetëve nga mbarë trojet shqiptare dhe diaspora.

Falë përkushtimit dhe aftësive të tij si organizator dhe moderator, kjo hapësirë ka marrë profilin e një platforme serioze për afirmimin e vlerave letrare, kulturore dhe qytetare në Kosovë.

Në vitin 2003, Musa Sabedini botoi librin e tij të parë, “Vrasja e Drejtësisë në Kosovë,” një vepër me karakter kritik dhe dokumentues, që trajton padrejtësitë dhe dështimet e sistemit të drejtësisë pas luftës.

Libri, botuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë, u vlerësua si një akt guximi intelektual në një kohë kur shumë tema thelbësore heshtshin qëllimisht, ndërsa krimet e kryera nga forcat serbe shpesh minimizoheshin ose relativizoheshin nga përfaqësues ndërkombëtarë.

Sabedini nuk u frikësua as nga rregulloret e UNMIK-ut, as nga trysnia e EULEX-it dhe e OSBE-së për të mos i botuar krimet dhe masakrat e kryera nga forcat serbe.

I mbështetur dhe përkrahur nga Behxhet Shala, drejtor i KMDLNJ-së, Sabedini botoi librin e tij të dytë me titull “Vrasje dhe dëshmi” (botuar nga KMDLNJ, viti 2010).

ARKATANA

Me rastin e promovimit të këtij libri prof. dr. Pajazit Nushi, recenzent pati thënë:
“Autori i kësaj monografie, në përpilimin e përmbajtjes së saj, ka shfrytëzuar intervistën e lirë me njohës të këtyre vrasjeve dhe masakrave, si dhe disa nga deklaratat e lëshuara më herët nga familjarët e të vrarëve. Duke shënuar datat dhe vendet e vrasjeve, autori ka realizuar objektivizmin hapësinor dhe kohor të këtyre ngjarjeve trishtuese në komunat e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë.”

Kurse, prof. dr. Fejzullah Berisha, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka deklaruar:
“Libri ‘Vrasje dhe dëshmi’, përveçse është një dokumentar me rrëfime origjinale të dëshmitarëve të kohës së luftës, mund të shërbejë edhe për qëllime juridike, pasi përmban emra të shumtë të personave të dyshuar serbë dhe paraqet fakte e dëshmi të gjalla për tërë atë terror që ka ndodhur në rajonin e Anamoravës.”

Ai thekson më tej se libri padyshim përfshin kontekstin historik të kohës, pasi trajton masakrat dhe krimet e kryera nga forcat serbe.

Ajo që e bën librin të veçantë, sipas tij, janë faktet konkrete dhe dëshmitë e shumta të mbledhura me përpikmëri.

Ky libër mund të shfrytëzohet nga të gjitha organet hetuese, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Mjafton të gjendet një polic i ndershëm dhe një prokuror i guximshëm – dhe do të zbulojnë një numër të madh veprash penale, të kryera nga persona të dyshuar për krime lufte.

Nëse libri lexohet me vëmendje, vërehet qartë se autori ka argumentuar me saktësi, qartësi dhe bindshmëri të gjitha veprimet e kryera nga policia, ushtria dhe forcat paramilitare serbe.

Krijuesi Atdhe Geci ka vlerësuar se libri i Musa Sabedinit “Vrasje dhe dëshmi” është një përkujtues historik, që nuk na lejon të harrojmë as për një çast dhunën e shfrenuar dhe krimet e gjenocidin e ushtruar nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë.

Në libër janë të paraqitura një sërë faktesh, provash, dëshmish, procesverbalesh, analizash dhe dokumentesh serbe, të cilat dëshmojnë qartë krimet e kryera.

Gjithashtu, libri përmban emra dhe regjistra të paramilitarëve serbë nga Anamorava, të cilët në vende të caktuara kanë kryer vrasje dhe masakra ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

“Për të gjitha këto krime dhe për heshtjen e vazhdueshme ndaj tyre, dikush duhet të japë llogari dhe të mbajë përgjegjësi”, – ka shkruar Atdhe Geci.

Sipas tij, përgjegjësia më e rëndë bie mbi hetuesit shqiptarë, mbi prokurorët dhe gjykatat, të cilët kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin edhe sot.

Në vitin 2005, Musa Sabedini mori një vendim të rëndësishëm për rrugëtimin e tij profesional: hoqi dorë nga studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe u regjistrua në Fakultetin Filologjik, në Degën e Gazetarisë.

Ky ishte një kthim natyral drejt thirrjes së tij të vërtetë, që e kishte ndjekur që nga rinia.
Gjatë viteve 2008 – 2009, në vazhdimësi të angazhimit të tij profesional dhe akademik, Musa Sabedini u regjistrua në studimet master në Fakultetin Filologjik – Dega e Gazetarisë, në Universitetin e Prishtinës, të cilat i përfundoi në afat të rregullt.

Me këtë, ai jo vetëm thelloi njohuritë teorike dhe praktike në fushën e gazetarisë, por hapi rrugën për një përfshirje më të thelluar në jetën akademike dhe kërkimin shkencor.

Musa Sabedini qëndroi në qytetin Columbia të shtetit Missouri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në një trajnim të specializuar për gazetari hulumtuese, me fokus të veçantë në luftën kundër korrupsionit në ndërmarrjet publike dhe krimit të organizuar.

Në vitin 2011, Musa Sabedini iu bashkua stafit të rregullt akademik të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), ku ligjëron lëndë thelbësore për formimin e gazetarëve të rinj, si: “Etika mediatike”, “Zhanret e gazetarisë”, “Gazetaria online” dhe “E drejta mediale”.

Në tri vitet e fundit, Musa Sabedini ka përmbyllur një trilogji të rrallë veprash universitare për gazetari – të vetmet të këtij profili në gjuhën shqipe.

  • “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” (UBT, 2023);
  • “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon: etika dhe sfidat e vetërregullimit” (UBT, 2024);
  • “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” (2025).

Këto vepra janë tashmë literaturë bazë për studimin e gazetarisë, jo vetëm për studentët e UBT-së, ku ai ligjëron, por edhe për mbarë hapësirën shqiptare.

Në këto libra trajtohen aspekte kyçe të profesionit nga etika dhe raportimi në kohë krizash, te gazetaria digjitale dhe sfidat juridike e morale të epokës moderne.

Përveç veprave shkencore, ai ka prezantuar mbi 12 punime në konferenca ndërkombëtare dhe ka qenë pjesëmarrës i rregullt në seminare të OSBE-së dhe qendrave për trajnime mediale.

Krahas punës si mësimdhënës në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), Musa Sabedini tash e 13 vjet është themelues dhe drejtues i platformës profesionale Rajonipress.com.

Kjo medie informative dhe analitike, e njohur për seriozitetin, qasjen etike dhe përmbajtjen e qëndrueshme, është shndërruar ndër vite në një tribunë të respektuar për krijuesit më të njohur të hapësirës shqiptare si :gazetarë, shkrimtarë, analistë, studiues dhe intelektualë nga të gjitha fushat.

Musa Sabedini është i pranishëm me analiza, komente dhe shkrime autoriale në një sërë gazetash dhe televizionesh në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare. Në secilën paraqitje publike, ai apelon për një gazetari të ndershme, profesionale dhe të çliruar nga ndikimet politike.

Shënime për autorin:

Arif Ejupi, është gazetar, krijues e publicist, që një jetë ia kushtoi Kosovës dhe diasporës së integruar.

Arif Ejupi, është një emër i njohur në fushën e publicistikës, një krijues brilant dhe njohës i mirë i shumë zhvillimeve, një gazetar pedant dhe i kujdesshëm në shkrime e trajtime, një ish mësues shembullor në diasporë, një kujdestar dhe arkivë e madhe dhe e rëndësishme e organizimit në Zvicër nga diaspora, një humanist i madh që punoi e veproi tërë jetën, për ta parë Kosovën e lirë dhe diasporën e integruar në të gjitha fushat.