Fundamenti

Kur të ndal Amerika

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Washingtoni i doli në rrugë Hashim Thaçit në përpjekjen e tij për transformimin e FSK’së në ushtri nëpërmjet ndryshimit të ligjit. Thaçi u zmbraps. Retorika e tij u zbut dhe përnjëherë i ndërroi fjalët. Por pavarësisht kësaj, ai nuk e harron zanatin e premtimeve bosh dhe propagandës së lirë
Nuk la emision pa shkuar, e ekran televiziv pa u paraqitur. Nuk la rast pa e proklamuar krijimin e ushtrisë së Kosovës – jo nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, por ndryshimit të ligjit për Forcën e Sigurisë. Por, kjo nuk i zgjati shumë dhe presidenti Hashim Thaçi u zmbraps nga ideja e tij.

Siç ka ndodhur shumë herë të tjera, kur Thaçi jepte premtime megalomane dhe pastaj i “harronte” ato, edhe kësaj here ai dështoi në iniciativën e tij. Këtë herë, “çuditërisht”, pas takimit me ndihmësin e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili i dha porosi të qartë Qeverisë së Kosovës që ta tërheq projektligjin e iniciuar nga Thaçi.

Yee u takua me Thaçin jashtë agjendës zyrtare, në një restorant, ndërkohë që gjatë të gjitha takimeve me politikanë kosovarë përsëriti se Washingtoni ishte i shqetësuar rreth procesit të transformimit të FSK’së me ligj.

Si për ta forcuar qëndrimin e Yee’së, ambasadori amerikan Greg Delawie në të njëjtën ditë kujtoi se SHBA ka investuar shumë në ndërtimin e FSK’së dhe se krijimi i ushtrisë nëpërmjet ligjit do t’i dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët e saj. Sipas tij, çështja e krijimit të ushtrisë pritet të përfundojë brenda këtij viti. Por, natyrisht, e një ushtrie për të cilën pajtohen të gjithë.

Pas takimit me Yee, Thaçi foli për transformimit të FSK’së në ushtri “nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”. Një ditë më pas, deklaroi se pajtohet me zyrtarët e lartë amerikanë për krijimin e FAK’së nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Procesi tha se duhet të jetë “gjithëpërfshirës vendor dhe i partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë, në veçanti SHBA’së dhe NATO’s”. Premtoi edhe nisjen e diskutimeve me përfaqësuesit politikë të serbëve kosovarë “për të shteruar të gjitha mundësitë e koordinimit me ta për krijimin e Ushtrisë së Kosovës”.

Kështu, presidenti “harroi” çfarë kishte deklaruar ditë me radhë, çdo ditë, shpesh, aq shpesh sa që krijohej përshtypja se do të shfaqej edhe kur njerëzit ta hapnin frigoriferin, duke u thënë se ushtria do të bëhej

“Ky transformim i natyrshëm ligjor është krejtësisht kushtetues dhe i domosdoshëm, në mënyrë që FSK’ja të fillojë edhe zyrtarisht procesin e anëtarësimit në NATO”, kishte deklaruar Thaçi më 5 mars. Tri javë më pas u shfaq një president krejt tjetër. I tërhequr dhe i zmbrapsur nga insistimi i tij.

* * *

UBT

Në fillim të marsit, Hashim Thaçi nuk tregonte shenja të zmbrapjes nga ideja e tij. Ai madje përmendte edhe dorëheqjen nëse i dështon iniciativa. “Nëse kjo legjislaturë nuk e voton themelimin e ushtrisë, në atë moment do të jep dorëheqje… Nuk dua ta udhëheq një vend që nuk voton themelimin e ushtrisë së vet”, deklaronte ai në një intervistë.

Po të kishte dhënë të tilla premtime për dorëheqje edhe më herët, Thaçi nuk do të ishte as kryeministër. Në vitin 2010, ai premtonte liberalizim vizash brenda 15 muajve të qeverisjes së tij. Në vitin 2014, ndërkaq, premtonte krijimin e një fondi të punësimit prej 1.5 miliard eurosh, hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës dhe dyfishim të prodhimit vendor. Këto premtime ka kohë që janë harruar, e Thaçi ka zënë pozitën e të parit të shtetit. Si president, ai ka premtuar përfundimin e reformës zgjedhore. Por, asgjë nuk ka lëvizur në këtë çështje, përveç dy takimeve të mbajtura para më shumë se tre muajsh. Grupet punuese për ndryshim të ligjeve dhe të kushtetutës është dashur të formohen në fillim të dhjetorit të kaluar.

Propagandën dhe premtimet bosh si kryemnistër, Thaçi po i vazhdon edhe si president. Për ushtrinë, i doli në rrugë SHBA. Thaçi nuk është se nuk e di se ushtria duhet krijuar me ndryshime kushtetuese. Por, nëpërmjet iniciativës së tij ai u përpoq të mbledh poenë politikë për vete dhe ish-partinë. I mbetet të vendos çfarë të bëjë me premtimin për dorëheqje. Se si do ta arsyetojë, duhet të presim dhe të dëgjojmë.

* * *

Kur Hashim Thaçi insistonte se ushtrinë duhet bërë me ndryshim ligji, dikush mbase mund të ketë menduar se ai ka marrë ndonjë pajtim të heshtur nga SHBA. Dikush mund të ketë dyshuar edhe në deklaratat e ambasadorit amerikan. Por, Hoyt Yee qartësoi gjithçka dhe propaganda e presidentit u ndal.

Tash Thaçi po thotë se do të provojë t’i bind serbët për ndryshime kushtetuese. Kjo nënkupton se për ushtrinë duhet të pajtohet Aleksandar Vuçiq, mashë e të cilit janë përfaqësuesit e Listës Serbe në Kosovë. Se çfarë do të kërkojë Beogradi në këmbim të votës, mbetet të shihet.

Por, ajo që dihet është se FAK duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Andaj është shumë e rëndësishme që për të, të pajtohen edhe serbët. Është e papranueshme që kjo forcë të krijohet “për inat të serbëve”.

Pavarësisht vërejtjes së SHBA’së për ushtrinë, Hashim Thaçi mbetet ai i vjetri – ai që nuk e harron zanatin e premtimeve bosh dhe propagandës së lirë. Iu mbetet qytetarëve t’i besojnë ose jo.