Kur s’i tutesh ligjit

Nga Imer Mushkolaj – Nëse zyrtarët shtetërorë gjuajnë me armë dhe marrin dënime qesharake, nëse gjykatat zvarrisin pa fund lëndët dhe nëse besimi në organet e rendit dhe ligjit është tejet i ulët, nuk ka çfarë pret tjetër veç që qytetarët të vendosin vetë drejtësi. Kur nuk vepron ligji, bën punë Kanuni

Gjykimi i Azem Sylës dhe grupit të tij po zvarritet për arsye banale. Mund të ndodhë fare lehtë, si ka ndodhur edhe herë të tjera, që lënda të parashkruhet. Bëhet fjalë për dyshime keqpërdorimi milionëshe me prona, nga një ndër eksponentët kryesorë të PDK’së.

Sa herë përmenden rastet kriminale e korruptive, partitë politike thonë se organet përgjegjëse duhet ta kryejnë punën e vet. Sa herë ngrihen dyshime për keqpërdorime, nuk përtojnë të të udhëzojnë që t’i drejtohesh prokurorisë. Por pikërisht organet e rendit e ligjit, që e kanë për detyrë ta kryejnë punën si duhet, janë të ndikuara dhe të kapura nga politika, nga njerëz të fuqishëm brenda partive politike dhe grupeve të tjera parapolitike, gjysmëkriminale e kriminale të afërta e të lidhura me politikën, të cilat shtrijnë ndikimin e vet për të pamundësuar vënien e drejtësisë në vend.

Gjithçka ndodh në vendin ku dhjetëra mijëra lëndë vazhdojnë të zvarriten të pazgjidhura nëpër gjykata, në vendin ku prokurorë e gjykatës janë bërë milionerë jo nga pagat, por nga të ardhurat tjera, në vendin ku gjykatësi i shpreh keqardhje politikanit pse ka marrë vendim që ta dënojë madje edhe me kusht, në vendin ku të gjithë dëgjojnë përgjime se si “shefi i shefave” të një partie politike cakton prokurorë dhe vendos kush ku të punësohet.

Gjithçka ndodh në vendin ku partisë që ka qeverisur për 12 vjet “i kujtohet” më në fund se duhet luftuar korrupsioni e nepotizmi, në vendin ku partia e cila ka bashkëqeverisur më së gjati me të premton çkapjen e shtetit, në vendin ku për kryeministrin është normale që njerëzit të mbajnë armë e të gjuajnë me to, në vendin ku ministra e zyrtarë tjerë partish nuk ngurrojnë ta zbatojnë këtë ”rregull” në praktikë dhe për këtë marrin dënime qesharake.

* * *

Të enjten dy qytetarë u vranë e dy të tjerë u plagosën për një kontest pronësor. Ata që duan ta relativizojmë ngjarjen mund të thonë se raste të tilla ndodhin gjithkund. E vërtetë. Por, parë në kontekstin lokal, situata ndryshon.

Besimi i kosovarëve në organet e rendit dhe ligjit është tejet i ulët dhe në të tilla situata, njerëzit zgjedhin t’i zgjidhin problemet vetë, ta marrin vetë ligjin në dorë dhe të provojnë ta vendosin drejtësinë sipas mendjes së tyre.

Nuk ka si të jetë ndryshe, kur sistemi i drejtësisë nuk është në shërbim të qytetarit, por në shërbim të të fortëve e mujsharëve, në shërbim të atyre që ua mbushin xhepat prokurorëve e gjykatësve për të marrë vendime në favor të tyre.

Nuk ka si të jetë ndryshe, kur më shumë dënohet dikush që mund t’i ketë keqpërdorur pesë euro, sesa politikani që i keqpërdor pesë milionë. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur kryeministri e quan “hajn të pulave” prokurorin që jep dorëheqje nga presioni vetëm pse ka pasur guximin të hetojë keqpërdoruesit që duan të përfitojnë në emër të luftës dhe të veteranëve të vërtetë.

Rasti i së enjtes është vetëm njëri ndër të shumtë që kanë ndodhur muajt e fundit – që nga grabitjet e shpeshta të bankave në pikë të ditës deri të therrjet me thikë ndërmjet adoleshentëve e plaçkitjet e pronave private. Të gjitha këto ndodhin, sepse askush nuk i tutet ligjit. Këto ndodhin, sepse ata që qeverisin, ata që janë të fortë nuk e përfillin ligjin. Ata japin shembull të keq, që pastaj kopjohet edhe nga qytetarët e rëndomtë.

* * *

Sa e sa raste kemi dëgjuar që njerëzit nuk mund t’i shfrytëzojnë pronat e tyre, sepse ato janë uzurpuar nga të fortët. Sa e sa raste vrasjesh të grave kanë ndodhur vetëm pse atyre nuk iu është ofruar mbrojtja e nevojshme nga policia, ose vetëm pse burrat kanë pasur lidhje me të fortët e policisë.

Nuk mund të pritet nga qytetari i rëndomtë që të mos tundohet nga ideja se është diçka normale të gjuhet me armë, të vidhet e të plaçkitet, kur kështu veprojnë ata që i qeverisin.

Si t’i besojë qytetari i rëndomtë policisë, kur ende nuk është zbardhur skandali i vjedhjes së “dhomës së dëshmive”? Si t’i besojë qytetari i rëndomtë prokurorisë, kur e ka dëgjuar se si politika cakton prokurorët? Si t’i besojë qytetari i rëndomtë gjykatës, kur “peshqit e mëdhenj” vazhdojnë të notojnë të lirë në “oqeanin” e keqpërdorimeve, hajnisë, korrupsionit e nepotizmit? Si t’iu besojë qytetari i rëndomtë institucioneve në përgjithësi, kur ato janë të mbushura me njerëz arrogantë e të papërgjegjshëm, të atillë që shkelin rregulla e ligje, pa frikë se mund të ndëshkohen?

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).