Kur poezia vihet në shërbim të humanitetit

Raphy Darbellay: “Falë poezive të znj. Kllokoqi, Komuna Martigny ka filluar të ndajë ndihma për shkollat shqipe në Kosovë”.
Libri “Peng i Fjalës” i autores Fahrije Krasniqi-Kllokoqi i botuar tashmë në gjuhën shqipe, të shtunën më 20 prill është promovuar edhe në gjuhën frënge, me titullin “Otage des mots”.
Ky libër është mbështetur nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër. Me këtë rast, fjala e kryetarit të kësaj shoqate, Besnik Camaj u lexua nga Saranda Gërvalla-Ademi anëtare e kësaj shoqate dhe moderatore e programit.
Gërvalla-Ademi prezantoi promovimin e librit e veshur me kostume kombëtare.
Për këtë promovim nuk ka munguar as përkrahja morale dhe financiare nga komuna e Martigny.
Të pranishëm ishin deputeti nga Partia Radikale Liberale Xavier Moret, aktivisti shqiptar Feti Gërbeshi dhe drejtori i shkollës në Martigny Raphy Darbellay. Ndërsa ky i fundit, duke marrë fjalën para publikut u shpreh se “komuniteti shqiptar në Zvicër duhet t`i jetë mirënjohës zonjës Kllokoqi sepse falë poezive të saj kjo komunë ka filluar të ndajë ndihma për shkollat shqipe në Kosovë. Deri më tani janë grumbulluar rreth 20.000 euro dhe mjete tjera të nevojshme për një objekt shkollor, të cilt do të dërgohen më 27 prill. Promovimin e përshëndetën dhe Sefedin Krasniqi, Blerim Osmani etj. kurse poezitë u lexuan nga Kaltrina Fetahu. Në fund, një koktej rasti ishte përgatitur nga shkolla e Martigny për t`i përshëndetur të pranishmit.