Kur nis me një faturë
Nga Arben Idrizi – Protesta e nisur për faturat, thënë jo veç metaforikisht, në fund mund t’i shkojë Qeverisë, e jo vetëm asaj, pra tërë kësaj skene të krimbur politike, si një faturë që do të ketë punë të lajë.
Ma ha mendja se të panumërt janë ata që, e mbase ndokush edhe do ta ketë shprehur publikisht në media, prej vitesh do të jenë pyetur pse vallë në tërë këtë katrahurë politike, sociale e ekonomike, ende nuk kemi asnjë protestë të organizuar paqësore të qytetarëve.
Pra, të qytetarëve.
Ngase protesta marrëzore, më ndjeni për gjuhën, kemi pasur me bollëk. Duke u nisur nga ato kundër veprimeve të Gjykatës së Hagës karshi të akuzuarve për krime lufte (sepse deri këtu shkon mizoria edhe shoqërore) e deri tek ato me qëllime të ngushta të marrjes së pushtetit të organizuara nga Vetëvendosje.
Më në fund, duket sikur gjërat kanë zënë të lëvizin.
Po mendoj, ka një iniciativë qytetare, një vullnet qytetar, në radhë të parë, për të qenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm ndaj qeverisjes. E gjitha filloi me protestën ndaj faturave të fryra të Korporatës Energjetike të Kosovës. E më pas dhe siç pritet të ndodhë në vijim, edhe për probleme të tjera me të cilat ballafaqohet shoqëria.
Problemet në të vërtetë më të mëdha, të cilat prej vitesh e vitesh e kanë ngulfatur vendin. Si korrupsioni, nepotizmi, papunësia, varfëria, etj.
Më duket (por, nuk po them me këtë se ka një drejtësi natyrore) se nuk është krejt e rastësishme pse e tëra shpërtheu pikërisht me KEK-un.
KEK është një prej institucioneve emblematike të korrupsionit, keqmenaxhimit, vjedhjeve, e shkeljeve të tjera. Jo vetëm nga një qeveri e vetme, por nga të gjitha qeveritë që i kishim deri më tani; jo vetëm nga një subjekt i vetëm por nga të gjitha ato që kishin fuqi e mundësi të bënin tërë ato të zeza që i përmendëm. Në të vërtetë, protestat e para mblodhën kryesisht të prekurit drejtpërdrejt nga faturat e fryra. Por, e mira ishte se protesta pati një ndikim mjaft të madh. Jo vetëm drejtuesit e KEK-ut, por edhe me gjerë, institucione të tjera e më tutje vetë skena politike vërejtën në këtë atë që dukej ta kishim përjashtuar të gjithë nga ekrani i mundësve.
Do të thotë, vërejtën se qytetari megjithatë kthehet ta shprehë pakënaqësinë e vet, të manifestojë, të protestojë e në fund edhe ta rrëzojë një pushtet. Besoj se për këtë do të jenë bindur në protestën e djeshme, kur morën pjesë, sipas informacioneve mediale, me mijëra veta e ku, gjë edhe me më rëndësi, gama e problemeve për të cilat protestohet është zgjeruar dhe do të zgjerohet. Nuk ka më vetëm një pakënaqësi, nuk ka më vetëm një padrejtësi. Kishte dhe ka më shumë se një shkelje dhe në më shumë se në një institucion. Për rrjedhojë ka më shumë se një pakënaqësi dhe më shumë se një individ, grup, subjekt që do ta manifestojë atë pakënaqësi në protestë paqësore. Gjithmonë duke shpresuar se do të mbesin paqësore.
Me fjalë të tjera, protesta e nisur për faturat, thënë jo veç metaforikisht, në fund mund t’i shkojë Qeverisë, e jo vetëm asaj, pra tërë kësaj skene të krimbur politike, si një faturë që do të ketë punë të lajë.
Nuk po them se gjithçka është për t’u lavdëruar dhe pranuar si e tillë në këtë iniciativë. Në kuptimin se edhe mundet që të mos e mbajë ritmin dhe qëllimin e tanishëm; të keqpërdoret nga ndonjë subjekt politik, etj. Përtej kësaj, edhe pse jo domosdoshmërisht, ajo që parimisht mëton një protestë e tillë është përmirësimi i gjendjes, mënjanimi i problemeve ndaj të cilave protestohet e në raste të caktuara heqja nga skena e atij pushteti që i ka shkaktuar ato të këqija.
Cilat janë mundësitë e tilla në rastin konkret?
Anoj të besoj e shpresoj se do të kenë ndikim të vërtetë në ndalimin e keqpërdorimeve dhe, nëse nuk është banale të shprehemi kështu, vetëdijesimin e kësaj skene politike se shkeljet që i bëjnë vazhdimisht, megjithatë një ditë mund të mos tolerohen më. Nëse këto protesta do të bënin që të përfundonin para drejtësisë ata që i bëjnë atë shkelje, atëherë kjo po ashtu do të ishte ideale.


