RCCOLA

Kur ndodh ajo që ka ndodhur

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arben Idrizi – Kur të ndodhë ajo që ka ndodhur, s’do të ketë asgjë për t’u habitur. Ata që do të kenë diçka për të kundërshtuar, do ta bëjnë këtë por s’do të ketë asnjë rëndësi. Gjërat do të rrjedhin në rrjedhën e tyre. Dy banda politike me interesa ndërkohë të ndara, tani do të bëhen bashkë, në fushën e tyre të interesit, në pushtet.

Me plotë të drejtë, besoj, intelektualë, politikanë, qytetarë do ta kishin shprehur habinë dhe kundërshtimin e tyre, moral, ndaj kësaj mundësie dhe gjithsesi lehtësie se si dikush i dalë nga një burg dhe gjykim famëkeq vjen dhe përfundon kryeministër i vendit (siç po përflitet dhe pritet se do të ndodhë), si Ramush Haradinaj; nëse do ta kishin bërë tashmë këtë, nëse do të kishin guxim ta bëjnë këtë, ose, nëse do të mendonin se duhej ta bënin këtë.

Është vetë z.Haradinaj që e ka shfaqur hapur ambicien e tij të tillë ende pa u liruar nga Gjykata e Hagës, e na e kanë përsëritur e ngulitur në krye këtë vazhdimisht partia e tij, AAK, në deklaratat e tyre në Tv, në shkrime e në paraqitje të tjera mediatike e publike. Aq sa duket sikur tashmë ka ndodhur ajo që do të ndodhë. E kur të ndodhë, do të duket sikur kemi harruar se kur ka ndodhur.

Në të vërtetë, ambicia e tij si e tillë mund të shpjegohet dhe interpretohet. E edhe këmbëngulja e partisë së tij që kjo gjë të ndodhë dhe të pranohet si gjëja më e vetëkuptueshme, e arsyeshme dhe e domosdoshme. Ardhja deri te pushteti është një e mirë në vete, s’ka ndonjë dyshim për këtë, qoftë për personin e caktuar qoftë për grupin që e udhëheq.

AAK ishte pjesë e një qeverie në periudhën 2004 – 2007 dhe vetë Haradinaj ishte Kryeministër i vendit për rreth 3 muaj.

Tani, çka kujtojmë nga ajo qeverisje dhe më në përgjithësi çfarë kujtojmë në lidhje me Haradinajn?

Nga ajo qeverisje kanë rezultuar me dyshime për shkelje ligji ose drejtpërdrejt janë hetuar pjesa më e madhe e ministrave të tij.

Ndërsa, për Haradinajn e dimë e nuk mund ta dëshmojmë se në vitet e pasluftës është gjendur disa herë në konflikte të armatosura, ai drejtpërdrejt ose njerëzit e tij kanë vrarë dhe janë vrarë, ka grumbulluar pasuri në mënyrë të paligjshme, vëllai i tij, një nga zyrtarët e lartë të partisë së tij tash, dyshohet të jetë një keqbërës i njohur në rajonin prej nga vjen dhe më gjerë, etj.

Haradinaj, nëse na kujtohet mirë, është i përfshirë në një krim ndaj fqinjëve të tij në vendlindjen e tij, për të cilin kurrë nuk ka dalë para drejtësisë dhe për të cilin, sa duket, të afërmit e viktimave e ndjekin në emër të asaj që ne sot e kujtojmë me turp, gjakmarrjes.

Hidromorava

Tani, le të reflektojmë pak, si është e mundur që një njeri me një të kaluar të tillë thjesht kriminale, na vjen tani dhe për çdo ditë të lume na shfaqet para opinionit publik dhe na predikon se si vendi paska nevojë të menjëhershme dhe të pakontestueshme për të, se si rendi dhe ligji i nëpërkëmbur do të shohin ditë të bardha vetëm me ardhjen e tij në pushtet, etj.

Apo se si, ai që nuk dihet se nga e bëri tërë atë pasuri dhe ai për të cilin qenë krijuar fonde e vjedhur sa ishte në Hagë, e qenë plaçkitur qytetarët në emër të fondeve për të pa e ditur ata vet se po plaçkiten, do të vijë tani dhe do ta luftojë korrupsionin.

Këto e të tjera, na bëjnë të pyetemi si është e mundur që me kaq natyrshmëri dhe ngrohtësi përfundojmë të jemi të qeverisur nga një strukturë e tillë personalitetesh e grupesh.

Por kjo pyetje është vetëm një pjesë e problemit. Pyetja tjetër e pjesës tjetër të problemit ka të bëjë me atë se nga kush qeverisemi ndërkohë.

Qeverisemi nga njerëz me qëndrime dhe veprime të njëjta. Pjesa më e madhe e zyrtarëve të lartë të Qeverisë Thaçi janë të dyshuar për pasurim të paligjshëm, vjedhje, e shkelje të tjera ose drejtpërdrejt të hetuar. Asnjëri, ama bash asnjëri nuk mendohet të jetë i pastër, përfshirë kryeministrin. Mjafton ta kujtoni për shembull çështjen Limaj dhe qëndrimin e Qeverisë në lidhje me të, pastaj, për të shkuar më tej përkitazi me PDK-në, mjafton ta kujtoni kryetarin e Komunës së Skenderajt Sami Lushtakun dhe atë të Kaçanikut, Xhabir Zharkun, të dyshuar, e bile të dënuar, si gangsterë të llojit të vet, apo më tej Rrustem Mustafën-Remin, ose drejtuesit e ShIK-ut.

Të gjithë këta bashkë e të tjerë, nuk kanë si të shihen më ndryshe nga Ramush Haradinaj e të tjerët. Apo nga ata të LDK-së.

Pra, kur të ndodhë ajo që ka ndodhur, s’do të ketë asgjë për t’u habitur. Ata që do të kenë diçka për të kundërshtuar, do ta bëjnë këtë por s’do të ketë asnjë rëndësi. Gjërat do të rrjedhin në rrjedhën e tyre. Dy banda politike me interesa ndërkohë të ndara, tani do të bëhen bashkë, në fushën e tyre të interesit, në pushtet. Dhe do të bëjnë atë që dinë të bëjnë, për veten e tyre. Deri në zgjedhjet e ardhshme, ose ndoshta edhe pas zgjedhjeve të ardhshme.

Ama, prej shiut mund të biem në breshër. Imagjinoni sikur zgjedhjet e ardhshme t’i fitonte Vetëvendosje, çfarë tragji-komedie do të ishte. Ka gjithmonë keq e më keq.

Do të thotë, me pak fjalë, e ka marrë lumi këtë vend.