Kur librat kanë dy jetë

Nga Elizabeth Gowing- Nëse fjalët janë me vlerë, atëherë duhen të ndahen, pra çliroji librat tuaja prej pluhurit të rafteve!

Një mikeshë më ka sugjerue që mbasi ajo i ka mbajtë librat te raftat në dhomën e ditës, vetëm si një mënyrë me u frye për çka ka lexue ajo (sa është interesante ajo), dhe mbasi ka shumë nevojë për hapësirë, ajo thjesht mund t’i presë shpinat e librave dhe t’i ngjesë në kuti që i përshtatet masave të raftit, pa asnjë dallim në paraqitjen e dhomës së ditës së saj erudite për vëzhguesit rastësorë, por duke bërë të mundur që ajo t’iu dhurojë librat të tjerëve që mund të përfitojnë prej tyre.

Ndoshta ti nuk guxon kaq shumë, por ja disa mundësi nëse interesohesh se kujt mund t’ia dhurosh librat kur ke përfundue me ta. Ose ndoshta ke vendosë që nuk ka nevojë që të blesh libra të reja; çdo libër i prodhuar i ri krijon rreth 3.85 kg emisione të karbonit, tue llogaritë prodhimin, transportin dhe shitjen. Kjo është baraz me operimin e kompjuterit për 15 ditë pune (por, mbasi ra fjala, dhe para se ju Kindleristë ose iPadistë të filloni të uroni njëri-tjetrin për leximin tuaj pa letër, mund të jeni të interesuar me ditë që një shkrim kohën e fundit në New York Times ka llogaritë që duhet të lexohen 100 libra në e-reader për me kompensue kontributin e prodhimit dhe rrymës për pajisje. Edhe një nxitje me lexue!).

Ka do mundësi të mirë në Kosovë për libra të dorës së dytë. Në Mitrovicë është “7 Arte”, një bibliotekë bohem, librari e dorës së dytë dhe qendër kulturore që gjendet në katin e gjashtë të ndërtesës së OSBE-së së vjetër. Librat mund të huazohen, shkëmbehen ose blehen, dhe mundesh me pi një makiato në të njëjtën kohë. Shiko www.7-arte.org për më shumë informata ose kontakto 049 211 771.

Në Prishtinë, biblioteka ndërkomunale “Hivzi Sylejmani”, afër rrugës “UÇK” dhe degës kryesore së Bankës ProCredit (kërko shenjën që mund të shihet kur ecni rrugës “UÇK”) është në një ndërtesë të bukur prej viteve 1920 me përcaktim si objekt me mbrojtjen prej Ministrisë së Kulturës. Këtu mund të regjistrohesh si lexues që të mundesh me huazue libra.

Edhe një iniciativë në Prishtinë ka më pak bukuri prej viteve 1920 mirëpo më shumë ambient të një bashkësisë aktive dhe të gjallë të lexuesve. “Areopagi” është një qendër afër konvikteve dhe prapa restorantit Gizzi në Bregun e Diellit (lart mbi Prishtinë, si eponimi i tij mbi qytetin e Athinës klasike) menaxhuar prej një OJQ-je prej vitit 2007. Është bibliotekë, librari dhe kafiç për internet. Librat janë më shumë tekste mësimore për me i përkrahë studentët e universitetit që janë pjesa më e madhe e myshterinjve të tyre, por edhe romane të përgjithshme dhe DVD për huazim.

Ka më shumë sesa 2800 libra – shumica e tyre të dhuruar prej Universitetit Shtetëror të Arizonës si dhe koleksioni personal të librave të aktores Melihate Ajeti. Anëtarësimi vjetor është 15 euro për studentë dhe 20 euro për të tjerë – gati i njëjti çmim si një libër i ri! Koncepti duket mjaft atraktiv – menaxheri Artan Geca thotë që një ditë sivjet kanë pasur 66 studentë që kanë përdorë dhomën e leximit brenda ditës. Kontakto [email protected] ose 044 831 262 për më shumë informata.

Me iniciativë të tilla, nuk ke asnjë arsyetim mos me ble dhe me dhurue librat e dorës së dytë që të nuk ka nevojë për më shumë dru të prehen, për rrymë për makinën e shtypit dhe naftë për transportin. Ka vetëm një gjë më e mirë sesa leximi i një libri të mirë: leximi i librit të mirë të dorës së dytë.

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).