UBT

Kur Lajçakut i prishen planet

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Sipas emisarit të BE’së për dialogun, nëse Kosova vendos reciprocitet sipas marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë në Bruksel, atëherë atij i prishen planet. Por, sllovakut Miroslav Lajçak nuk i prishet asnjë plan kur Beogradi nuk i zbaton marrëveshjet

Presidenti i Serbisë u shfaq nervoz të enjten, pak orë pasi Qeveria e Kosovës mori vendim të vendos reciprocitet për letërnjoftimet e qytetarëve të Serbisë dhe ua dha afatin e fundit serbëve në veri që t’i regjistrojnë veturat me targa të Kosovës. Aleksandar Vuçiq dha alarmin se këto veprime të Prishtinës ishin paralajmërim i keq për serbët në veri dhe për veprimet që institucionet kosovare mund t’i marrin atje në fillim të tetorit.

Por, Vuçiq po reagonte për zbatimin e një marrëveshjeje që vetë Beogradi e kishte nënshkruar qysh para 11 vjetësh. Që atëherë, Serbia nuk lejon asnjë qytetar të Kosovës që të hyjë në territorin e vet, pa ia dhënë një letër shtesë, që zëvendëson letërnjoftimin. Kosova asnjëherë nuk e ka zbatuar këtë masë dhe tash, kur vendos ta vë në jetë, vijnë reagime të ashpra nga Beogradi.

Ngjashëm është situata edhe me targat. Zbatimi i marrëveshjes është shtyrë disa herë dhe serbët në veri disa herë janë toleruar t’i ngasin veturat e regjistruara në Serbi, por me targa në të cilat shënohen shkurtesat e qyteteve të Kosovës. Tash qeveria ka dhënë afatin e fundit për to.

Pavarësisht acarimit të Beogradit, qeveria kosovare nuk ka bërë asgjë tjetër, vetëm ka zbatuar një marrëveshje. Kjo mund të mos i pëlqejë Beogradit, por ata vetë e kanë nënshkruar.

Përtej sjelljes së presidentit serb, i çuditshëm dhe aspak profesional ishte reagimi i emisarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak. Gjatë vizitës në Beograd ai tha se vendimi i qeverisë kosovare për reciprocitet ia ka prishur planet atij. Pra, sipas ndërmjetësuesit sllovak, veprimi i Prishtinës për reciprocitet ia prish planet atij në dialog, por planet nuk ia prish edhe Beogradi kur nuk i zbaton marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, as kur Vuçiq kërcënon vazhdimisht Kosovën, as kur i pengon kosovarët të udhëtojnë drejt Serbisë, edhe pse kanë të drejtë.


Të jesh ndërmjetës në një dialog, nënkupton të kesh qasje neutrale karshi palëve. Është e kuptueshme se për Miroslav Lajçakun është e rëndësishme të ketë sukses në ndërmjetësim dhe të organizojë takime të nivelit të lartë politik. Por, është e pashpjegueshme dhe aspak profesionale qasja e tij pas vendimit të qeverisë kosovare.

Uji Dea

Lajçak do të duhej ta kishte parasysh që zbatimim i marrëveshjeve, nga cilado palë qoftë, nuk nënkupton prishje të planeve, përkundrazi, do të duhej të ishte kontribut në përmbushjen e detyrave sipas ujdive të arritura.

Të provosh që të krijosh një situatë normale ndërmjet palëve, në kurriz të njërës palë, nuk është aspak serioze. Sipas kësaj logjike del se zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara është e dëmshme, ndërkohë që Brukseli gjatë gjithë kohës nuk e ndal presionin që të njëjtat të zbatohen.

Është shqetësuese se si Lajçak nuk tregohet i drejtëpërdrejtë në të tilla raste, për të sqaruar se vendimi i Prishtinës nuk është as kërcënues, as frenues për dialogun, por vetëm jetësim i ujdive të mëparshme. I mbetet ndonjë zëdhënësi në Bruksesl që të arsyetojë vendimin për targat, duke thënë se marrëveshja nuk ishte zbatuar deri tash.


Gjatë dy viteve në pozitën e emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak nuk ka fort për çfarë të krenohet. Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë mbetet një ndër pikat e ndritshme të misionit të tij, por, ai nuk ia ka dalë të çojë përpara arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet dy vendeve. Tash kur kontrata i është vazhduar, mbetet të shihet nëse do t’ia dalë të ketë më shumë sukses.

Zyrtarët e Brukselit janë treguar vazhdimisht jokorrektë në raport me palën kosovare, duke qenë shumë më të ashpër sesa me palën serbe. Tash, kur Kosova nuk po bën gjë tjetër vetëm po merr masa bazuar në marrëveshje, e kur Beogradi po kërcënon, Lajçak e ka mendjen te planet e tij. Veçanërisht tek një takim ndërmjet Vuçiqit e Albin Kurtit. Për të duket se është më e rëndësishme forma sesa përmbajtja. Për të është më e rëndësishme që të mos i dështojnë planet, sesa të zbatohen marrëveshjet nga palët.

Ka kohë që Brukseli përmend përgjegjësinë e Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, i kemi dëgjuar rrallë, shumë rrallë zyrtarët e BE’së duke përmendur moszbatimin e plot marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Ose pengesat në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, e të cilat kanë filluar të realizohen.

Deklaratat kërcënuese të Vuçiqit do të duhej të merreshin seriozisht nga Lajçaku dhe nga zyrtarët tjerë të BE’së. Apo, atij i lejohet çfarëdo deklarate kundër Kosovës, sepse e rëndësishme për BE’në është që ai të kthehet më shumë kah Brukseli, sesa kah Moska.