UBT

Kur “iu dha” veriu Serbisë?

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Veriu “iu dha” Serbisë qysh në vitin 2014, atëherë kur u krijua Lista Serbe dhe Aleksandër Vuçiqit iu mundësua që nëpërmjet saj të kontollojë jetën politike të serbëve në Kosovë, por edhe veriun e zhytur në krim dhe kontrabandë. Bashkë me Milan Radoiçiqin dhe falë mbështetjes nga politika në Prishtinë.

Është e habitshme se me çfarë lehtësie opozita në Prishtinë po e konsideron “punë të kryer” dhënien e veriut Serbisë. Kur i dëgjon deklaratat e plot zyrtarëve opozitarë dhe kur e sheh se nga kush thuhen ato, krijohet përshtypja se veriu është nocion i panjohur dhe se ata e partitë e tyre, as qeveritë që kanë udhëhequr s’kanë pasur kurrfarë përgjegjësie për këtë pjesë të vendit.

E nëse duhet diskutuar dhe gjetur përgjegjësin kush dhe kur “ia paska dhënë” veriun Serbisë, atëherë duhet kthyer prapa – së paku në vitin 2013.

Më 19 prill të atij vitit në Bruksel u nënshkrua marrëveshja e famshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, e pat quajtur këtë “njohje de jure të Kosovës nga Serbia”.

“Kjo marrëveshje historike ka mbyllur kapitullin e përgjakur ndërmjet dy popujve dhe ka hapur kapitullin e paqes dhe të fqinjësisë së mirë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosova është shtet funksional dhe me kufij të sigurt në tërë territorin e saj… Kjo marrëveshje ka krijuar klimë të mirë politike në rajon, duke hapur perspektivë të sigurt për integrim të Kosovës në institucionet euroatlantike, në NATO dhe BE”.

Kështu, nisi formalisht integrimi i pjesës veriore dhe përfshirja e strukturave paralele serbe në institucione të Republikës së Kosoëvs. Qindra anëtarë të këtyre strukturave ilegale ndërruan veç uniformat dhe “e pranuan“ republikën.

Një vit pas marrëveshjes së Brukselit u krijua subjekti politik i quajtur Lista Serbe. Kështu, veriu “iu dha” Serbisë qysh në vitin 2014, atëherë kur nëpërmjet Listës Serbe, Aleksandër Vuçiqit iu mundësua të kontollojë plotësisht jetën politikë të serbëve në Kosovë, por edhe veriun bashkë me krimin dhe kontrabandën.

Eco Higjiena

Që atëherë, kjo parti fitoi vazhdimisht në zgjedhje, duke e uniformuar përfaqësimin serb në institucione. Se si fitoi, nuk është e vështirë për ta kuptuar. Përveç kontrollit mbi secilën votë në veri, në të shumtën e rasteve të kushtëzuara me përfitime financiare nga Beogradi, por edhe me kërcënime e shantazhe, Lista Serbe përfitonte edhe mijëra vota që kinse i jepnin serbët kosovarë, të cilët jetojnë në Serbi. Në këtë mënyrë, në bashkëpunim me politikanët në Prishtinë, ky subjekt – e bashkë me të Vuçiqi – e kishte në dorë jetën e serbëve.


Agim Bahtiri, ish-kryetar i Mitrovicës së Jugut, rrëfeu të mërkurën një episod interesant si ka funksionuar bashkëpunimi me njerëzit që kanë kontrolluar veriun. Ai rrëfeu se si ishte ftuar nga Ramush Haradinaj që të shkojë në shtëpinë e Radoiçiqit për takim, ku i ishte kërkuar që AKR t’ia jep Listës Serbe Ministrinë e Bujqësisë. Pra, aty ishin bërë pazare për qeverinë e re, të udhëhequr nga Haradinaj, në të cilën serbëve iu ishin dhënë tri ministri.

Tash, janë poshtëruese dhe irrituese përpjekjet e kujdoqoftë për ta paraqitur Radoiçiqin si njëfarë politikani, e jo si dikë që me krim e kontrabandë e ka kontrolluar veriun. Ata që qeverisnin në Prishtinë, Radoiçiqin nuk e luftonin, por e kishin dost – herë e pritnin në zyrë, herë në jaht, e herë i shkonin në shpi, për të bërë pazare me të. Pra, veriu mirëmbahej, bashkë me krimin e kriminelët atje. Andaj, është e gërditshme teksa dëgjon ata të japin leksione patriotike se si u dashka vepruar me pjesën veriore të vendit. E gërditshme është t’i dëgjosh të shesin mend ata që kanë bërë vazhdimisht pazare politike – dhe jo vetëm – me Listën Serbe, të kontrolluar e dirigjuar nga Vuçiqi.

Se çfarë integrimi të serbëve ka pasur në veri u pa javët e fundit. Me një urdhër politik, përnjëherë gjithçka u shemb si një kullë prej letre.

Tërheqja e serbëve nga institucionet do të ndodhte herëdokur. Nëse jo sot – nesër. Është miopi politike të mendohet se kurdo që do të afrohej koha e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, Vuçiq nuk do të shfrytëzonte Listën Serbe dhe veriun për të përfituar politikisht dhe për të provokuar situatë pasigurie atje. Siç është miopi politike të besohet se, qoftë edhe politikisht, veriu paska qenë i integruar. Veriu nuk ka mundur dhe nuk mundet asnjëherë të integrohet me njerëz si Radoiçiqi, bashkëpunëtor i afërt i Vuçiqit, i cili ka bërë atje çfarë ka dashur. Veriu nuk integrohet duke e mirëmbajtur krimin e kontrabandën dhe duke i mbajtur nën frikë banorët atje.

Është lehtë e kuptueshme se kujt iu kanë prishur hesapet në veri – mjafton të lexohen reagimet dhe “shqetësimet” e politikës. Veriu nuk mund të integrohet me zor, as me dhunë. Por, as pa e pastruar nga krimi.