Kuqi : Shuarja e strukturave paralele, deri në qershor
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, propozon që dialogu politik në mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë më së shumti pas një viti nga koha kur ka nisur.
Ai ka paralajmëruar se para qershorit të këtij viti do të ketë lëvizje pozitive për shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës dhe shpërbërjen e strukturave paralele atje. Në këtë drejtim, ai ka thënë se zhvillimet e fundit në Preshevë e kanë dëmtuar në masë të madhe dialogun.
Ai ka mohuar zërat se krijimi i fondit të veçantë për veriun përbën hapin e parë drejt autonomisë së asaj pjesë, duke thënë se kjo do të mund të ndodhte nëse strukturave të asaj pjese u jepen kompetenca ekzekutive dhe për nxjerrjen e ligjeve, në të kundërtën, sipas Kuçit, nuk ka asnjë rrezik për një gjë të tillë. Këto deklarata zëvendëskryeministri Kuçi i ka bërë gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve KosovaPress.
Koha optimale e përfundimit të dialogut politik Kosovë – Serbi, sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, më së shumti do të duhej të ndodhte një vit pas fillimit të tij, për shkak se dialogu, por edhe vetë dialoguesit mund të amortizohen. Ai ka thënë se kah qershori i këtij viti do të lëvizet pozitivisht në shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës dhe shpërbërjen e strukturave paralele atje.
“Mendoj se një vit nga koha e fillimit të dialogut duhet të jetë optimumi i saj që të arrihet apo të lëvizin gjërat pozitivisht. Unë besoj se para qershorit do të ketë lëvizje edhe më pozitive, në veçanti, për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, për shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në veri, në veçanti për krijimin e perceptimit të qartë dhe heqjen e iluzioneve që Kosova nuk ka pjesë ndryshe, të gjitha janë të barabarta, e në veçanti do të jetë për rrugëtimin tonë për në BE, qoftë të Kosovës apo të Serbisë”, ka thënë Kuçi.
Kurse sa u përket zërave se me krijimin e fondit të veçantë për veriun po lëvizet drejt autonomisë atje, Kuçi ka thënë se deri te autonomia mund të vijë kur atje lejojmë krijimin e organeve qeverisëse lokale dhe u japim kompetenca ekzekutive dhe për nxjerrjen e ligjeve.
“Autonomia lind mbi bazën e fuqisë legjislative. Nëse do të japim fuqi që ata të nxjerrin ligje, nëse japim fuqi që të kenë organe tjera vendimmarrëse, ajo mund ta lind’, ka thënë ai.
Por me rëndësi për Kuçin është se fondi kalon përmes vijave buxhetore të Republikës së Kosovës dhe menaxhohet në mënyrë transparente.
Kuçi ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Preshevë, për të cilat ka deklaruar se e kanë dëmtuar ndjeshëm dialogun Kosovë – Serbi.
“Nuk është gjendja e njëjtë. Ka prekur emocionet tona, ka prekur identitetin tonë, e ka dëmtuar dialogun se Kryeministri nuk është në pozitën e njëjtë sikur më herët, edhe në kuptimin njerëzor edhe emocional, edhe politik. Po ashtu, dua të them që tani është treguar që Serbia po e dëmton identitetin shqiptar”, ka thënë ai.
Çështja e lapidarit, sipas tij, e ka vetëm një gjë të mirë – që është vërejtur se në Preshevë ka telashe dhe po preket identiteti shqiptar.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se shqiptarët atje nuk janë të vetëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar, por ka përjashtuar mundësinë se hapi i parë i Republikës së Kosovës do të jetë me luftë. Qasja e institucioneve të Kosovës, sipas Kuçit, do të jetë reciproke sa u përket të drejtave ndër qytetare – sa do të kenë të drejta serbët në Kosovë, aq do të kërkohet edhe për shqiptarët atje.
“Ne jemi me ta për të drejta demokratike. Ata nuk janë jetim për identitet kombëtar, ata nuk janë jetim për të drejtat e tyre. Por të mos mendon dikush se reagimi jonë do të jetë menjëherë me luftë. Qasja jonë ndaj të drejtave të shqiptarëve atje do të jetë se ‘nuk ka normalizim Kosovë – Serbi pa i normalizuar të drejtat e shqiptarëve atje, nuk ka dëmtim të interesave të shqiptarëve atje dhe nuk ka të drejta dhe rehati për serbët në Kosovë e shqiptarët atje me telashe”, ka thënë Kuçi.
Mbrojtjen e monumenteve dhe të identitetit kombëtar, sipas Kuçit, duhet të bëhen me plan dhe strategji, dhe, sipas tij, nuk bëhet vetëm me deklarata pa mbulesë.
Kurse sa i përket dëmtimit të varrezave serbe në Kosovë, Kuçi e ka dënuar këtë mënyrë të kundërpërgjigjes ndaj veprimeve të njëanshme. Ai ka thënë se në fjalorin e ndërkombëtarëve më shumë është zënë në gojë çështja e dëmtimit të varrezave serbe sesa heqja e lapidarit. Me këto veprime, sipas Kuçit, ‘ia kemi marrë marren Serbisë’, duke shtuar se gjëja më e keqe për shqiptarët është që ta emitojë Serbinë në veprimet e saj. /Kosovapress/


