Kuqi: Karrierën në Rektorat e konsideroj të mbyllur
Gjilan – Hajredin Kuqi për Rajonipress ka folur për nenet famoze,për spekulimet rreth pozitave të tij të ardhshme dhe për spekulimin e fundit se ai mund të marrë pozitën e Rektorit në Universitetin e Prishtinës.
Hajredin Kuqi tashmë i shndërruar në një hero për mediet kosovare,për faktin se sakrifikoj dy pozita të larta vetëm që të mbrojë gazetarët dhe punën e tyre, edhe njëherë ka komentuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, konceptin e tij për dorëheqjen, sinqeritetin e tij që disa njerëz nuk e kanë besuar dhe ende nuk e besojnë dhe për spekulimet e fundit rreth pozitës së tij në të ardhmen.
Duke ju referuar votimit në Kuvend Kuqi tha se votimi në Kuvend nuk ka pasur të bëjë me asgjë personale me të e as vendimin për dorëheqjen e tij.”Kjo ka të bëjë më shumë me përceptime për punën e medieve dhe çështje konceptuale si rregullohet puna e tyre. Unë kam dhënë një deklaratë publike me gojë dhe me shkrim muaj më parë dhe kam dërguar letër në komisionin për legjislacion të Kuvendit për këtë çështje dhe e kam mbrojtur publikisht. Unë vetëm kam mbajtur premtimin e dhënë dhe jam përpjekur të tregoj se cilido njeri që jep fjalën publike apo shpreh një qëndrim fundamental për ndonjë çështje duhet ta mbrojë dhe duhet t`i përmbahet”tha Kuqi.
Kuqi duke komentuar nenet tha se këto dy nene janë të një ligji sistematik të vendit tonë, janë përceptuar të papranueshme nga mediet dhe mekanizmat monitorues ndërkombëtarë për këto çështje dhe pa marrë parasysh pozitën time nuk është mirë për vendin të ekzistojë ngase Konventa Evropiane për Liritë dhe të drejtat e njeriut i rregullon më së miri, e që është e aplikueshme edhe në Kosovë.
Sa i përket spekulimeve për pozita tjera edhe atë të Rektorit në Universitetin e Prishtinës është vetëm spekulim nga disa njerëz që nuk besojnë në sinqeritetin e njerëzve. “Në Rektorat kamë punuar 13 vite në cilësi të ndryshme dhe e konsideroj të mbyllur atë karrierë. Në UP do të vazhdojë sikur deri tani, pra vetëm si mësimdhënës” tha Kuqi./rajonipress/