UBT

Kultura shqiptare në zijafetet partiake

/ 5 minuta lexim

Nga Emin Azemi – Pse një parti politike ka nevojë të përvetësojë, ose dominojë, ngjarjet kulturore e kombëtare? Kjo pyetje bëhet aktuale sa herë që në Maqedoni shqiptarët në vend se të organizohen nëpër shoqata e institucioone të mirëfillta kulturore e civile, sikur vullnetarisht iu kanë dorëzuar aparatçikëve partiakë, të cilët jo vetëm se e imponojnë agjendën e këtyre ngjarjeve, por ata prej përpara caktojnë edhe sinopsisin e pjesëmarrësve, që nga promotorët e deri te diskutantët e ndryshëm. Prandaj, duken edhe uniforme këto takime, të cilat shikuar nga distanca, të bëhet sikur po ndjek një karvan aktivistësh partiakë, që po bëjnë fushatën politike të radhës.

Ky politizim kaq i skajshëm i promovimeve të librave dhe i shënimit të datave të caktuara nga historia kombëtare, gjithnjë e më shumë përforcon bindjen se nevoja partiake për të dominuar dhe madje dhunuar këto aktivitete kulturore e kombëtare, burimin e ka tek lodhja e marrjes me politikë të atyre që krizën e ofertave politike po e zëvendësojnë me një pompozitet publik që paketohet gjoja si kujdes institucional ndaj kulturës dhe trashëgimisë sonë historike-kombëtare.

Këtyre ditëve, na ra të shohim, të paktën 3, 4 ngjarje kulturore , që shprehin në vetvete dilemën elementare të një praktike e cila gjithnjë e më tepër po e bënë opinionin publik dyshues ndaj “protektoratit partiak” mbi këto ngjarje. Përvetësimi vulgar politik, me konotacion bajraktar, përjashtues dhe fragmentar, i ngjarjeve që për nga natyra kanë karakter gjithëkombëtar, i bënë aparatçikët e sotëm kukulla të një teatri qesharak, me një publik të komanduar aktivistësh e bashkëmendimtarësh.

Brenda kuadrit të këtyre pamjeve groteske, ku dominon logjika e njëmendësisë uniforme, syri të has në turli aktivisti që është bërë politikan pa patur ndonjë profesion paraprak, shumica prej të cilëve në vend se të dëgjonin folësin para tyre, ose shfletonin smartfonin, ose gërmonin diçka në hundët e tyre të lodhura nga shija e keqe.

Fundamenti

Kufizimi i publikut për të patur qasje në ngjarje të tilla kulturore, krijon dihotominë sociopatologjike të një ambienti ku në njërën anë dominon injoranca e aktivistëve që bëjnë zhurmuesin e vlerave të mirëfillta kulturore e krijuese (nëse ka mbetur ndonjë e tillë), kurse në anën tjetër, multiplikon masën inferiore të rinisë dhe inteligjencës e cila është e shtrënguar të konsumojë atë çka e servon shija e demoduar e aparatçikëve partiak.

Askush s’e ka ndërmend të mohojë rolin dhe kontributin e politikës në avancimin institucional të kulturës shqiptare në Maqedoni, por është e pafalshme të shohim kaq shumë politikanë e aktivistë partiakë nëpër ngjarje kulturore. Ulja në rendin e parë të politikanëve dhe mbushja e sallës me turli aktivisti partiak, ia humb elementin bazik që duhet ta ketë kultura dhe krijimtaria: sensin për të refuzuar kallëpet politike. Se çfarë lidhje mund të kenë Rexhep Qosja apo autorët e Rilindjes ortodokse shqiptare, bie fjala, me komplet nomenklaturën partiake të një force politike, dhe ku shpie tendenca e ndarjes së tillë të ngjarjeve kulturore sipas preferencave e tifozllëqeve partiake, këtë mund ta shpjegojë më së miri përvoja e monizmit, atëherë kur në komitetin e partisë caktoheshin linjat dhe direktivat se kah duhej të ecte zhvillimi kulturor e krijues i shoqërisë socialiste. Se do ta përjetonim edhe në ditët e sotme këtë reciklim ideologjik të mendësisë njëpartiake, këtë askush nuk do ta besonte, përpos atyre që, në pamundësi të kapin trendet moderne të zhvillimit shoqëror, me lehtësi të padurushme po kopjojnë shabllonet e deplasuara të një kohe dhe një botëkuptimi të kaluar.

Këto zijafete partiake që po organizohen për të promovuar libra e ngjarje kulturore, mund ta kenë efektin e përdorimit elektoral për hygjymin zgjedhor të radhës, por ato si të tilla mbajnë të uritur një masë të gjerë njerëzish, të cilët më shumë se për faca aparatçikësh gjysmëanalfabetë, kanë etje të shohin njerëz kompetent e të formuar, që nuk kaluan nëpër shkolla të shpejta, (ku për tre vite shkollari me tetëvjeçare bëhet magjistër dhe madje edhe kandidat për doktoratë), sa për të zënë poste e detyra të pamerituara që ua përgatit partia, por kanë nevojë të dëshmojnë se dija e fituar në shkolla normale e cilësore është investimi më i madh profesional e patriotik që mund të bëjnë për popullin e tyre.