Fundamenti

Kulla e Eiffelit vlen 435 miliardë euro

/ 5 minuta lexim

Paris – Kulla e Eiffelit në Paris është ndërtesa më e kushtueshme në Evropë, me çmimin që kap shifrën deri në 435 miliardë euro, ka konstatuar të enjten studimi i porositur nga Dhoma Ekonomike e qarkut të Monces dhe Briances, në krahinën italiane Lombardia.

Për të vërtetuar vlerën monetare të ndërtimit, hulumtuesit kanë krahasuar pamjen, kualitetet estetike dhe brendin e ndërtimeve. Në vijim janë disa prej ndërtimeve që vlejnë më së shumti në të gjithë botën.

Kulla e Eiffellit, më e vlerësuara

E lartë 324 metra, e ndërtuar në vitin 1889 si portë hyrëse për ekspozitën botërore të mbajtur për 100-vjetorin e Revolucionit francez, Kulla është një shenjë mbrojtëse e Parisit, e emërtuar sipas krijuesit ideor të saj, inxhinierit Gistav Eiffel. Ajo konsiderohet si një prej atraksioneve më të vizituara në botë, në të cilën vetëm vitin e kaluar janë ngjitur më shumë se 7.1 milionë turistë.

Gjatë kohës së ndërtimit Kulla ishte subjekt i kritikave të ashpra si të atyre që dyshonin në realizimin e ndërtimit, ashtu edhe të atyre që kishin kritika estetike në “këtë tog metali që të vret syrin”. Që nga hapja, Kullën e Eiffelit e kanë vizituar madje 200 milionë njerëz dhe se ajo sot është ndërtesa e dhjetë më e lartë në botë. Kulla fillimisht kishte leje për 20 vjet, pas skadimit të të cilit afat duhej të demontohej. Por pasi u tregua e vlefshme, autoritetet e qytetit vendosën që të mbetet simbol i përhershëm i Qytetit të Dritave.

Gjatë Luftës së Parë Botërore radiolidhjet e saj të fuqishme kishin penguar komunikimin ndërmjet njësiteve gjermane, me ç’gjë është ngadalësuar avancimi i tyre në Paris dhe është ndihmuar fitorja e aleatëve në betejën në Marni.

Koloseumi në Romë – 91 miliardë euro

Koloseumi në Romë është ndërtimi i dytë në listën e objekteve më të çmueshme në botë. Ndërtimi i amfiteatrit, në të cilën janë mbajtur betejat e gladiatorëve, ka zgjatur një dekadë dhe ka përfunduar diku rreth vitit 80 para epokës sonë. Ky ndërtim gjatë një viti vizitohet rregullisht nga të paktën katër milionë turistë.

Sagrada familia në Barcelonë – 90 miliardë euro

Sagrada familia apo Familja e Shenjtë është ndërtim në Barcelonë të Spanjës dhe renditet si i treti objekt më i vlefshëm me çmimin prej 90 miliardë eurosh. Kjo bazilikë romano-katolike, kryevepër e arkitektit katalonas, Antonio Gaudi, ende nuk është përfunduar. Kisha ka hyrë zyrtarisht në listën e trashëgimive botërore të UNESCO-s dhe vizitohet për çdo vit nga më tepër se tre milionë njerëz.

Mobi Casa

Katedralja Duomo në Milano – 82 miliardë euro

Kjo kishë impresive është ndërtuar pothuajse gjashtë shekuj më parë dhe është katedralja e katërt më e madhe në të gjithë botën dhe më e madhja në Itali. Konsiderohet si një vepër e rrallë e arkitekturës gotike, ndërsa punimet në të vazhdojnë edhe sot. Këtë katedrale gjatë vitit e vizitojnë rreth pesë milionë persona.

Kulla e Londrës – 71 miliardë euro

Ky ndërtim mesjetar nga Temzi, i vlerësuar me çmimin prej 71 miliardë eurosh, është 1.000 vjet i vjetër. Që prej vitit 1988 ndodhet në listën e trashëgimive kulturore të UNESCO-s. Edhe pse është ndërtuar si bastion i pushtuesit, ajo njihet shumë më tepër si burg apo vend-ekzekutim i kundërshtarëve të mbretërisë. Kulla vizitohet nga më shumë se dy milionë njerëz në vit.

Prado në Madrid – 58 miliardë euro

Muzeu Prado i Madridit, i cili është vlerësuar të vlejë 58 miliardë euro, posedon njërën prej koleksioneve më të mëdha në botë të pikturave, ndër të cilat edhe kryeveprat më të njohura të El Grekos, Diego Velaskezit dhe Francisco Goyas. Pikturat e këtij muzeu i shikojnë rreth 2.9 milionë turistë në vit.

Stonehenge në Britani – 10 miliardë euro

Ky ndërtim daton qysh nga epoka parahistorike e gurit dhe është një prej përmendoreve më të njohura në botë, para së gjithash për shkak të misterit lidhur me krijimin e tij para zbulimit të pajisjeve të epokës bashkëkohore, të cilat do të mundësonin ngritjen e blloqeve jashtëzakonisht të mëdha të gurit. Kjo përmendore vizitohet nga rreth një milion njerëz në vit.

Shtëpia e Bardhë në Washington – 80 miliardë euro

Kjo ndërtesë 80 miliardë eurosh ka figuruar në listë, edhe pse nuk u përket përmendoreve evropiane. Ndërtesa ku shteti më i fuqishëm i merr të gjitha vendimet më të rëndësishme, është projektuar nga irlandezi James Hoban, ndërsa është ndërtuar nga viti 1792 deri në vitin 1800. Kjo është rezidenca zyrtare e presidentit amerikan, duke filluar nga koha e administratës së presidentit John Adams, i cili është vendosur në të më 1 nëntor të vitit 1800.