Fundamenti

Kujt nuk duhet t’i besohet aspak, Lajçakut apo Bislimit?

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Vazhdojnë edhe për 24 muaj mashtrimet e Lajçakut: Miroslav Lajçak, bashkë me Borrellin, janë të ngarkuar nga BE-ja për “lehtësimin“ e dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Që të dy janë të njohur si kundërshtarë të egër të pavarësisë së Kosovës që e kanë bërë publike çdoherë kur i ka pëlqyer Serbisë e që, pastaj, pas reagimeve të shumta në Kosovë, janë arsyetuar se janë keqkuptuar apo keqcituar, deri në “keqkuptimin apo keqcitimin” e radhës. Për bashkëpunëtorë e kanë pasur një mashtrues të nivelit lokal, Besnik Bislimin, si udhëheqës i Kosovës në këto bisedime e që, në fakt, vetëm ka shërbyer si profakturë e Albin Kurtit.

E keni dëgjuar thënien e që, përveçse është edhe shqetësim dhe brengë kryesore e kryeministrit Kurti, unë e them se automatikisht duhet të shndërrohet në brengë dhe shqetësim kombëtar, faktin se Besnik Bislimi, nga brenga e madhe për Kosovën, përkatësisht për marrëveshjen për energjinë, thuaja nuk fle fare apo edhe kur bie në gjumë, bie dhe zgjohet me këtë brengë, si Ali Pashë Tepelena për Vasiliqinë! Mashtruesit ordiner, e që është edhe një gënjeshtar kronik, Miroslav Lajçak, iu vazhdua mandati për të vazhduar me këtë biznes edhe për 24 muaj të ardhshëm dhe, me përgjegjësi të plotë e them, se për këtë merita të mëdha kanë kryeministri Kurti dhe minhauzeni Besnik Bislimi. Aspak Aleksandër Vuçiqi.

Tash Lajçaku po e lavdëron Kurtin pasi ky i fundit i paska zbutur qëndrimet për bisedime, nga një i pakompromis si opozitar dhe në fillim të mandatit, në një të disiplinuar krejtësisht, sipas recetës greke. Takimet e shumta dhe komunikimet e shpeshta me Lajçakun kanë ndikuar që këtij mashtruesi t’i vazhdohet mandati ndonëse nuk mund të krenohet me asnjë të arritur. Marrëveshja e “keqe” për energjinë e nënshkruar nga Isa Mustafa u bë më pak e keqe kur u nënshkrua nga Besnik Muçiverca, ndonëse nuk thuhet se ku ishte dallimi midis këtyre dy marrëveshjeve, asaj të nënshkruar nga Isa Mustafa dhe kësaj të kopjuar nga Besnik Muçiverca?! Po të njëjtin fat do ta ketë marrëveshja për personat e zhdukur për të cilën mashtruesi Lajçak po thotë se 99.5 për qind është pranuar nga palët dhe mungojnë vetëm dy-tre fjalë për t’u nënshkruar.

Besoj se ato fjalë janë: “Mirëdita – Dobar dan…”. Jam i sigurt se kjo marrëveshje asgjë nuk do të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe po keqpërdoret sipas parimit Placebo ku pacientit i jepet një ujë me sheqer në vend të një ilaçi që e shëron. Mashtrim sugjestiv i Placebos, megjithatë, prodhon një efekt për pacientin, ndërsa mashtrimi i Lajçakut dhe shegërtit të tij Bislimit vetëm sa do ta vazhdojë ankthin nga pritjet për familjarët e të pagjeturve. Kështu po luhet loja, nënshkruhen marrëveshjet e arritura më parë në mënyrë ciklike, deri në kohën kur të piqet marrëveshja përfundimtare e që është futur në furrë! Disi si menyja në disa restorante ku ushqimi servohet si pjata hyrëse, antipasta, pjata kryesore për të përfunduar me desert e në rastin konkret për Kosovën do të përfundojë me m**sihane. Edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes nuk do të largohen problemet. Për marrëveshjen përfundimtare Serbia nuk është aspak e interesuar të arrihet qoftë edhe me koncesione territoriale në veri për faktin se Serbia ka interes që kjo gjendje të jetë e përhershme dhe nuk po i nënshtrohet presionit ndërkombëtar e që nuk mund të thuhet për Kosovën. Serbia është rreshtuar 100 për qind në anën e Rusisë dhe të Putinit, ndërkaq nuk ka ndonjë veprim ndaj saj nga bashkësia ndërkombëtare. Në anën tjetër Albin Kurti, kryeministër dhe Vojsa Osmani, presidente ia kanë bërë Putinit dhe Rusisë vrimën e minit 300 groshë dhe çka fituan?!

Të trashët e Sules! Pasi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë BE-ja e futi në lojë maratonike, ka mbetur vetëm Kosova e vetmja vrimë e zezë në Evropë andaj po flitet për domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave e cila, sigurisht do të ndodhë por se do ta përcjellë ecurinë e bisedimeve për normalizim. Liberalizimi i vizave do të përdoret si ilaç për qetësim kundër kompromisit të dhimbshëm të cilin na e përkujtojnë të gjithë ata që marrin vendime ndërsa, pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës mediokritetin dialogues të Besnik Bislimit do ta pranojnë si zgjidhje e natyrshme dhe më pak e keqe se ajo e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Menyja e ofruar për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë e që po i ofrohet Kosovës është një karotë e lodhët prapa prapanicës së kryenegociatorit dhe shkopit të bejsbollit para syve të atyre që eventualisht nuk do të pajtohen me këtë. Jam i sigurt se ky kryenegociator, ana tjetër e pafytyrës së Mirosllav Llajçakut do të pranojë çdo gjë që i vendoset në tavolinë. Ka gjasa që edhe në këtë rast të përsëritet rasti i Rambujesë, Kosova nuk do të përfitojë për shkak të gjenialitetit dhe topave të Besnik Muçivercës, por shkaku i kryeneçësisë së Aleksandër Vuçiqit. Si dikur Sllobodan Millosheviqi! Për shkak të gjithëpërfshirjes dhe ndjeshmërisë në baza gjinore e që është standard ndërkombëtar, në mesin e mashtruesve të përmendur më lart duhet t’i sigurojë një vend nderi dhe të merituar, deputetes, Viola von Kramon, Mimoza e Gjermanisë.

RCCOLA

Zhvillimi ekonomik prodhon bamirësinë: Kryeministri Albin Kurti në të gjitha takimet në Kosovë, Shipashnicë dhe ato ndërkombëtare po deklaron se Kosova është tregim i suksesit në zhvillimin ekonomik, me një rritje prej 10-përqindësh sikur që i ka 25 000 punësime të reja apo vende të punës. Inflacioni është i papërfillshëm, as 15 për qind. Rrogat, pensionet, dhe ndihmat sociale nuk ka asnjë arsye të rriten shkaku se ka qëndrueshmëri në zhvillim. Po në të njëjtën kohë, kancelari gjerman Sholz, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të thellimit të krizës ekonomike. Është pritur një vërshim i gjermanëve drejt Kosovës por, në botën e paradokseve po ndodhë diçka e panatyrshme, qytetarët e Kosovës me tërë këtë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie po japin deri në 3 000 euro vetëm për të siguruar një termin për vizë e që eventualisht do të siguronte hyrjen në shtetin gjerman ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të krizës ekonomike. Kush është i marrë, në këtë mes? Sipas kryeministrit e fjalës së tij, padiskutueshëm duhet t’i besohet, ne qytetarët jemi të marrë, përjashtuar Besnik Bislimin! Mirëpo, në kohën e krizave më të mëdha dalin në sipërfaqe bamirësit e vërtetë! Unë do t’i veçoja dy raste. I pari ish-deputeti i Kosovës, Sabit Rrahmani, që po hap puse me ujë për banorët e lodhur dhe të varfër në shtetet e Afrikës dhe, i dyti kur LV-ja po hap puse dhe kroje me ujë për deputetët e lodhur dhe të rraskapitur të Kuvendit të Kosovës në këtë vapë të madhe për shkak të punës së madhe që po e bëjnë në Kuvendin e Kosovës! Në këtë rast nuk diskutohet fare humanizmi, por se është vështirë të përcaktohet se kush është më human! Megjithatë, i udhëhequr sipas parimit: “larg syve, larg zemrës…”, përparësi do t’i ipja nismës së LV-së për hapje të puseve dhe krojeve në Kuvendin e Kosovës sepse deputetët janë të Kosovës dhe i kemi afër syve si dhe shumë për zemër!

ZOT, të lutem bëje mirë! Jep mend aty ku nuk ka. Merrja do mend Besnikut e m’i jap mua sepse shumë kam nevojë për to. Kosovën po e shalojnë kalorësit dhe kalorëset e Apokalipsit që kanë filluar një kryqëzatë kundër të gjithë atyre që i kanë pasur në teftere të tyre partiake. Janë ngushtuar udhët duke u bërë rrugë qorre kurse po zgjerohen rrugët që çojnë drejtë Evropës, Amerikës dhe shteteve tjera. Nuk janë punët aspak mirë, të lihet e tërë kjo mirëqenie e të shkohet drejt një pasigurie ekonomike të shteteve të kapluar me krizë të thellë sikur janë Gjermania, Anglia, ShBA-ja, Franca dhe shtetet skandinave, kjo tregon se jemi afër kiametit. Më herët pata menduar se mburoja kundër kiametit janë budallenjtë, fëmijët dhe kafshët, ashtu shkruan në librat e shenjtë. Tash, kur në Kosovë të gjithë janë të mençur, kur nataliteti ka rënë ndjeshëm dhe kur hajvanati është orientuar kryesisht drejt thertoreve dhe tregjeve, përfundimisht i kemi pisk punët!


Marshalli Hekuran Murati do të merret me listat e veteranëve të UÇK-së në vend se shkarkohet duke e rrahur me friskë bythëve. Në kohën e operacioneve plastike, nuk ka rëndësi çfarë fytyre keni, e modeloni sipas kërkesave politike dhe partiake.

Aktualisht i kemi dy lloj pelegrinazhesh në Kosovë, ata që shkojnë në Mekë për haxh, për të larë mëkate dhe për të fituar sevape dhe këta që shkojnë në Hagë për t’i vizituar pengjet shqiptare. Këta të Hagës atje shkojnë jo për të larë mëkate, por për të bërë mëkate. Sidomos këta të politikës. Sidomos këta të pushtetit që e kanë humbur durimin pse ende nuk janë dënuar me dënime kapitale armiqtë e tyre, luftëtarët e UÇK-së, që i kanë çliruar këta politikanë. Realisht, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë dënuar qysh tani duke e marrë dënimin më të madh të mundshëm. Nuk janë vizituar nga Besnik Bislimi!