UBT

Kujdes nga ngrohja globale! Kujdes nga PDK-ja!

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Adriatik Kelmendi – KA DISA RASTE gjatë viteve të fundit që dëshmojnë se Partia Demokratike e Kosovës ka bërë që, si ngrohja globale, të shkrijë subjekte të tjera politike që iu kanë afruar. Disa prej tyre kanë pësuar fatin e akullnajave të Arktikut, të cilat janë bërë tashmë ujë, ose të ishujve si puna e Maldiveve, që pritet të zhduken në një të ardhme të parashikueshme.

A i kujtohet, p.sh. më dikujt Alternativa Demokratike e Kosovës? Vështirë. Epo, ky ka qenë ai subjekti politik i formuar nga Edita Tahiri, si përgjigje e saj lidhur me pakënaqësitë brenda LDK-së. ADK-ja, në prag të zgjedhjeve të vitit 2007 kishte vendosur të integrohet në listën zgjedhore të PDK-së dhe kaq. S’është më.

Ose, ku është Partia Liberale e Kosovës sot? Gjergj Dedaj ia kishte dalë të mbijetonte për afro 20 vjet në skenën politike kosovare deri në momentin kur u bashkua dhe më pas u dëbua nga PDK-ja.

Partia Social Demokrate e Agim Çekut e Kaqusha Jasharit? A ka ndonjë subjektivizëm? Po me Bujar Bukoshin, Ukë Rugovën, Bajram Kosumin, Bujar Dugollin, Astrit Haraçinë?!

Këta mund të kenë qenë edhe ishuj të vegjël ose të mëdhenj, por s’qe shumë e mundimshme të shkrihen nga dielli i fortë.

Por, çka ndodhi me subjektet dhe liderët e tjerë?

Fatmir Sejdiut i kushtoi me karrierë presidenciale dhe partiake marrëveshja për bashkëqeverisje me PDK-në. Ai u detyrua të jepte dorëheqje nga posti i presidentit dhe pastaj të zëvendësohej në parti, pas ndarjes së pushtetit me PDK-në.

I njëjti rrëfim na shpërfaqet edhe tek Aleanca Kosova e Re. Kjo parti, pasi që u perceptua se i ndihmoi PDK-së për të shkuar në zgjedhje të parakohshme me mocionin e çuditshëm të mosbesimit për qeverinë, pa t’i përgjysmohej elektorati. Për më tepër, ky subjekt ia doli që të mbledhë vetëm 7 për qind të votave bashkë me koalicionin parazgjedhor me disa parti të tjera. Tash a ndihmoi që edhe ato, bashkë me AKR-në, të përpëliten nën fenomenin e ngrohjes globale? A mund të flasim për ndonjë vulë subjektivizmi në punën e qeverisë sot të AKR-së, PD-së, PGJ-së, PSD-së etj?! Pak, ose hiç! Ndonëse me mjaft individë punëtorë, të dëshmuar e kredibilë brenda vetes, pak kush e sheh këtë koalicion si me peshë në zgjedhjet e ardhshme.

RREZIKU MË I FUNDIT i efektit të ngrohjes globale në skenën politike kosovare na vjen tash me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Me një elektorat bukur stabil dhe me rritje të lehtë gjatë viteve, AAK-ja para vetes sigurisht ka udhëkryqin më të madh politik. Kah t’ia mbajë?

Eco Higjiena

Me verdiktin lirues nga Gjykata e Hagës për Ramush Haradinajn, ky subjekt i rëndësishëm politik në vend, përfundimisht mund të vazhdojë të bëjë jetë normale politike. Kjo i bie që edhe t’i testojë potencialet e veta politiko-menaxhuese në praktikë, duke mos mbetur peng i 100-ditëshit të vetëkthyer në mit të kryeministrit Haradinaj, si dhe ta masë mbështetjen reale të votuesve në zgjedhje.

Se si dhe në çfarë rruge do të synojë AAK-ja ta bëjë këtë, mbetet të qartësohet gjatë javëve në vazhdim. Mirëpo, kthimi i Haradinajt me disponim krejt ndryshe ndaj punës së Qeverisë, për dallim nga kthimi i parë nga Haga para 4 vjetësh ka bërë që të ngrysen shumë vetulla.

Me pozicionimin e tashëm të AAK-së – as opozitë e as pushtet – vështirë se do të ndihmohen proceset politike e zhvillimore, në momente shumë të rëndësishme për vendin. Thjesht, Kosova nuk e ka luksin që të mos ketë kontributin e 12 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, qoftë në përkrahje të Qeverisë, qoftë si alternativë ndaj saj.

Por, nëse hyn AAK-ja në Qeveri para zgjedhjeve, s’mund të ketë një analizë reale se sa mund të ndikojë që, siç shprehen, “të përmirësojë keqqeverisjen aktuale” të koalicionit të PDK-së, pasi që zgjedhjet e reja pritet të mbahen për një vit.

E nëse mbetet në opozitë, atëherë do të duhej të punonte fort nga këto pozicione, në mënyrë që të ofrojë alternativa të drejta për vendin, që do të sillnin ndryshime pozitive në të ardhmen. Veç me neutralitet, Haradinaj e AAK-ja nuk i bëjnë favor as vetvetes e as Kosovës.

E tashmë e dimë se si janë ndarë partitë e tjera kur kanë hyrë në koalicion me PDK-në. A do të mund t’i rezistonte AAK-ja fenomenit të ngrohjes globale të PDK-së? S’e di çka do të mund të ofronte pastaj ky subjekt politik në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare!

A do të mund të jetë më e suksesshme, nëse mbetet në opozitë deri në zgjedhjet e reja? Prapë s’e di! Por, gjithsesi se do të ishte një alternativë më shumë për zgjedhësit kosovarë

Në të kundërtën, gjasat janë të mëdha që loja politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme të luhet kryesisht ndërmjet tre lojtarëve: PDK, LDK e lvizja “Vetëvendosje!.