Mobi Casa

Kujdes me paratë e mia

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ibrahim Rexhepi – Paratë për pension është më mirë që të investohen në Kosovë, sesa atje ku nuk ua shohim fort hairin. Por, kush do të garantojë për to?

Fondi prej një miliard euro do të ishte garanci e madhe për zhvillim dhe punësim. Në të njëjtën kohë ai mund të jetë mekanizmi kryesor për kthimin e parave të kosovarëve që u nxorën jashtë vendit. Madje po të mos ishte periudha e përgatitjes për zgjedhje, kjo ide do të trajtohej në mënyrë shumë më serioze, sa vetëm si propozim për të përfituar votën.

Për një moment ta harrojmë fushatën dhe të kemi parasysh faktet e tjera: Institucionet kosovare kanë nxjerrë jashtë vendit mbi 1,5 miliardë euro, para të paguara nga qytetarët, apo nga subjektet ekonomike të saja; papunësia mbetet në rreth 45 për qind (te të rinjtë kalon mbi 60 për qind); bankat komerciale për qëllim kanë rritjen e fitimit, e jo përkrahjen e zhvillimit; bizneset nuk kanë asnjë alternativë për huazimin e parasë, pos nga institucionet financiare, të cilat janë shumë të shtrenjta… Pra, nevoja për paranë që nxitë zhvillimin është tepër e madhe.

Nëse kemi parasysh edhe burimet e tjera, atëherë totali i parave që mund të absorbojë ky fond është shumë më i madh. Kjo duket qartë kur kemi parasysh se Trusti i Kursimeve Pensionale menaxhon me 941 milionë euro, Fondi i Mirëbesimit ka mbi 500 milionë euro, ndryshimi ndërmjet depozitave dhe kredive në bankat komerciale kalon mbi 800 milionë euro, e herë pas here, para të paangazhuara ka edhe buxheti i Kosovës, ndonëse fundi i vitit fiskal nuk tregon se ai ka suficit. Krejt këto bëjnë mbi 2,2 miliardë euro, që është e barabartë me deficitin tregtar gjatë një viti, apo diku mbi 40 për qind të prodhimit të përgjithshëm vendorë.

Por, aktualisht është vetëm ëndërr mundësia për kthimin, apo si thotë kryeministri Hashim Thaçi riatdhesimin, e këtyre parave. Ka shumë gjëra që paraprakisht duhet të zgjidhen, e që kryesisht kanë të bëjnë çështjet ligjore, ato të sigurisë së investimeve dhe të kapaciteteve shpenzuese që ka aktualisht ekonomia. Në të njëjtën kohë futja e këtyre parave në një fond qeveritar menjëherë do të rritë borxhin publik, i cili do të rëndojë mbi buxhetin dhe stabilitetin buxhetor.

Uji Dea

Është absurde të mendohet se krejt këto para do të futen në këtë fond. Thjesht, nuk ka nevojë . Po të mendohet në mënyrë më racionale, mjafton që fondi të nisë me 100 milionë euro, të cilat do t’i ofronte Qeveria e Kosovës, ndërsa shuma të rritet duke shfrytëzuar burime të tjera dhe donacione. Kjo mënyrë duket më e lehtë dhe më e shpejtë, madje fillimisht edhe do t’i plotësonte nevojat për të financuar disa sektorë strategjik – si është bujqësia dhe ushqimi.

Ndërkaq, ka shumë punë që Qeveria e Kosovës të ketë qasje te paratë e tjera. Paratë e Trustit e të privatizimit nuk janë të saja. Ato janë të 453 mijë kontribuuesve dhe të kreditorëve të ish-ndërmarrjeve shoqërore. Bazuar në atë se çfarë mundësojnë, lirisht mund të thuhet se fondi ende është manifestim i vullnetit- dëshirës, e jo edhe mundësi reale. Që gjërat të funksionojnë ndryshe, atëherë fillimisht duhet ndryshuar ligjet, apo të krijohet mundësia që Qeveria e Kosovës të ketë të drejtë të huazojë para, por edhe të ketë potencial të garantoj se këto para mund t’i kthej. Paralelisht me këtë duhet ndryshuar edhe ligjin për kursimet pensionale duke rritur përqindjen e investimeve në një instrument. Duke ditur procedurën e miratimit të ligjeve, si edhe kundërshtimet e mëdha në të cilat po hasin propozimet e kryeministrit, atëherë këto ligje mund t’i nxjerr një qeveri tjetër. Kjo e tashmja nuk do të ketë kohë.

Por, problemi nuk është kaq i thjeshtë. Paratë e Trustit janë të kontribuuesve, përkatësisht të atyre që shpresojnë se në këtë mënyrë po ruajnë paratë për pleqërinë. Dihet pronari i secilit cent që është paguar. Prandaj, pa marrë parasysh se ku investohen ato, pronari i tyre kurrë nuk ndryshon. Për këtë arsye Qeveria e Kosovës duhet të ofroj garanci të forta se këto para nuk do të humben, apo edhe në rast se ato rrezikohen, ajo do të ketë mundësi kompensimi, duke llogaritur edhe interesin. Në këtë situatë del absurdi tjetër- kompensimi do të bëhet nga paratë e tatimpaguesve. Do të thotë se kontribuuesit duke paguar taksa e tatime i mundësojnë qeverisë që ta kthejë borxhin ndaj Trustit, ashtu që ai të ketë mundësi të paguaj kontributdhënësit. Absurd ! Për këtë arsye është shumë me rëndësi se ku do të investohen paratë, si do të jetë kthimi i tyre, ndërsa përmes interesit të paguhet kostoja huazimit.

Ndërkaq, absurdi edhe më i madh do të jetë nëse mendohet që të riatdhesohet vetëm kursimet pensionale.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)