RCCOLA

Kufijtë më të rrezikshëm të globit

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Londër – Një botë pa kufij, ku mbizotëron paqja, megjithatë, ende paraqet një ëndërr tejet të largët. Nëpër botë ekzistojnë me qindra kufij kombëtarë – prej të cilëve disa të kontestuar, derisa të tjerët janë vdekjeprurës.

Meqenëse secila përleshje ka rrënjë të thella, me disa prej tyre aktualisht të ngrira dhe disa që presin të dalin në sipërfaqe, të gjithë kufijtë më të rrezikshëm të globit një të përbashkët e kanë: nuk do të dëshironit të ngujoheshit në ta.

1. Sudan dhe Sudani Jugor (gjatësia: 2.117 km)

Pse është i rrezikshëm: Sepse që nga fillimi i qershorit të vitit 2011, në krahinën kufitare sudaneze Kordofani Jugor, me dhjetëra persona kanë vdekur si pasojë e bombardimeve, derisa 113.000 kanë ikur.

Prapavija: Sudani dhe Sudani Jugor kanë zhvilluar për 22 vjet rresht luftë qytetare, në të cilën jetën kanë humbur 1.5 milionë njerëz. Me një marrëveshje paqësore, Sudani Jugor e fitoi të drejtën për pavarësi. Në janar u mbajt një referendum, ndërsa në korrik 2011 u desh të pavarësohej zyrtarisht. Presidenti i Sudanit, Omar Hassan al-Beshir, megjithatë, deklaroi se nuk do ta njohë kurrë ndarjen e Sudanit Jugor.

2. Indi dhe Pakistan (gjatësia: 2. 896 km)

Pse është i rrezikshëm: Tri luftëra, më shumë se 115.000 të vdekur dhe pasi të dyja shtetet zhvillojnë armatim bërthamor.

Prapavija: Qysh kur më 1947 nga gjakderdhjet u lind Pakistani, ngjarje kjo që u shoqërua me miliona refugjatë dhe me vrasjen e afro një milion personave, kufiri ndërmjet Indisë dhe Pakistanit është i ngarkuar me dhunë. Luftërat ndërmjet dy shteteve kanë marrë jetët e një milion e gjysmë njerëzve, ndërsa vetëm në rajonin e kontestuar të Kashmirit janë vrarë 100.000. Vija e armëpushimit, e njohur si Vija e Kontrollit, edhe më tutje është në fuqi dhe bazuar në përkufizimet e saj tri rajone të Kashmirit janë nën kontrollin indian, ndërsa dy nën atë pakistanez. Edhe pse luftimet e ashpra rreth Kashmirit kanë pushuar para disa vjetësh, shpesh ka shkëmbim të zjarrit ndërmjet ushtarëve indianë dhe atyre pakistanez.

3. Afganistan dhe Pakistan (gjatësia: 2.414 km)

Pse është i rrezikshëm: Anarkia e “Al-Qaedas” dhe grupacioneve të tjera militante, sulmet me fluturake pa pilot.

Prapavija: Ky kufi prej kohësh është një prej më të rrezikshmëve në botë dhe një prej vendeve në të cilat mbizotëron anarkia më e madhe. Kabuli refuzon që ta organizojë vijën kufitare 2.400-kilometërshme si një kufi ndërkombëtar me Pakistanin, por ka pretendime për territoret pashtune në veriperëndim të Pakistanit. Sipas OKB-së, në Pakistan jetojnë më shumë se 1.7 milionë refugjatë të regjistruar afganë. Incidentet e dhunshme nga të dyja anët janë shpeshtuar që nga okupimi amerikan i Afganistanit, pasi rajoni ndërkufitar është dëshmuar si vendstrehim i grupeve të dhunshme militante, të cilat luftojnë kundër forcave amerikane dhe shtetit pakistanez, ndërsa administrata Obama ka shtuar sulmet me aeroplanë pa pilot mbi forcat e “Al-Qaedas” përgjatë kufirit.

4. SHBA dhe Meksikë (gjatësia: 3.138 km)

Pse është i rrezikshëm: Në Meksikë që nga viti 2007 jetën kanë humbur 40.000 njerëz, pothuajse gjysma prej tyre nëpër shtetet ndërkufitare.

Prapavija: Pak pas ardhjes në pushtet më 2006, presidenti Phelipe Calderon dërgoi me dhjetëra e mijëra ushtarë dhe policë në luftë kundër karteleve të drogës. Dhuna shpërtheu në të dyja anët, ndërsa vrasjet mizore nga hakmarrja janë shndërruar në pothuajse përditshmëri në këtë vijë kufitare, në të cilën kartelet e drogës operojnë efektivisht. Gjatë pesë vjetëve të fundit jetët kanë humbur rreth 50.000 njerëz, para së gjithash në gjashtë shtete federale meksikane përgjatë kësaj vije kufitare.

5. Kamboxhia dhe Tajlandë (gjatësia: 804 km)

Pse është i rrezikshëm: Dhjetëra të vrarë dhe dhjetëra e mijëra të zhvendosur nga të dyja anët e kufirit, për shkak të kontesteve territoriale që datojnë qysh nga kohërat kolonialiste.

UBT

Prapavija: Kamboxhia dhe Tajlanda kanë një kontest të kamotshëm rreth tempullit Preah Vihear, të vendosur përgjatë kufirit. Pas një përleshjeje të gjatë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi më 1962 që tempulli hindus t’i takonte Kamboxhias, mirëpo kontesti rreth territorit përreth tempullit, prej rreth 2.5 kilometrash katrorë, nuk ka reshtur asnjëherë. Tensionet eskaluan herë pas here gjatë viteve të fundit, ndërsa prej vitit 2008 luftimet kufitare paraqesin një dukuri të zakonshme.

6. Republika Demokratike e Kongos dhe Angola (gjatësia: 2.510 km)

Pse është i rrezikshëm: Me mijëra gra dhe femra kongoleze të dëbuara nga Angola kanë qenë viktima të përdhunimeve dhe keqtrajtimit seksual nga forcat kongoleze dhe angoleze të sigurisë.

Prapavija: Angola i ka ndihmuar Qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos në luftën kundër kryengritësve, të cilët mbështesnin Ugandën dhe Ruandën në luftërat e përgjakshme të viteve 1998-2003. Pas kësaj, pasoi megjithatë një përkeqësim i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, përfshirë këtu edhe kontestin rreth kufirit, pronësisë mbi naftën në fundin e detit dhe përafrimin e Kongos me fqinjët e saj, Ruandën dhe Ugandën. Rezultat i kësaj ishte një seri e dëbimeve nën kërcënimin e goditjes me gurë të qytetarëve të të dyja anëve, për ç’arsye rreth 211.000 persona janë detyruar të iknin nga vendin 2009.

7. Indi dhe Bangladesh (gjatësia: 4.023 km)

Pse është i rrezikshëm: Gjatë 10 vjetëve të fundit janë vrarë afro 1.000 qytetarë të Bangladeshit.

Prapavija: Indinë dhe Bangladeshin i lidhin historia dhe gjeografia. Bangladeshi, ish-Pakistani Lindor, është pavarësuar nga Pakistani Perëndimor pas luftës së përgjakshme qytetare të vitit 1971, me ndihmën e Indisë – përleshje kjo në të cilën kanë vdekur më se një milion njerëz, derisa ekonomia dhe infrastruktura e Bangladeshit janë shkatërruar. Vlerësohet se aktualisht në Indi jetojnë 10 deri 20 milionë emigrantë ilegalë nga Bangladeshi. Me pretendimin se duhet të mbrohen nga terrorizmi, emigrantët ilegalë që ua marrin vendet e punës indianëve dhe nga kriza potenciale e refugjatëve, India para 25 vjetësh ka nisur të ndërtojë një mburojë përgjatë kufirit, e cila do të duhej të përfundojë sivjet.

8. Koreja Veriore dhe Koreja Jugore (gjatësia: 241 km)

Pse është i rrezikshëm: Përgjatë gjithë kufirit ndodhen postblloqe ushtarake me rreth afro dy milionë ushtarë, e në gjithë këtë punë përfshihen edhe armët bërthamore të Veriut.

Prapavija: Që prej vitit 1948, 38 paralele e ndajnë Korenë Veriore nga ajo Jugore. Prej përfundimit të luftës koreane më 1953, të dyja anët janë pajtuar që të tërheqin forcat e tyre nga vija e frontit, duke krijuar kështu një zonë sigurie 2.5 kilometra të gjerë, të njohur si zonë e demilitarizuar. Asnjë marrëveshje paqësore nuk është nënshkruar, për ç’arsye dhe dy Koretë janë ende praktikisht në luftë.

9. Arabia Saudite dhe Jemeni (gjatësia: 1.448 km)

Pse është i rrezikshëm: Kryengritësit houti në veri të Jemenit, “Al-Qaeda” në gadishullin arab dhe potenciali për vërshim masiv të refugjatëve, si pasojë e trazirave në Jemen.

Prapavija: Arabia Saudite në vitin 2003 filloi të ndërtonte një barrierë sigurisë, mirëpo më 2004 u dha fund punimeve. Pas luftës së shkurtër ndërmjet ushtrisë saudite dhe kryengritësve jemenas më 2009, Riadi investoi me miliarda dollarë në përfundimin e murit të nisur. Luftimet intensive e frikësuan Riadin se Irani do të mund të ishte i gatshëm që të mbështeste houtët, të cilët janë edhe shiitë.

10. Izrael dhe Siri (gjatësia: 80km)

Pse është i rrezikshëm: Jostabiliteti në Siri ushqen shqetësimet se regjimi i atjeshëm do të mund ta shfrytëzonte përleshjen kufitare me Izraelin për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme.

Prapavija: Gjatë 37 vjetëve, de facto kufiri ndërmjet Sirisë dhe Izraelit, shtete këto që zyrtarisht janë ende në luftë, ka qenë i qetë. Funksionarët izraelitë e akuzojnë Assadin se po i trimëron demonstruesit që ta kalojnë kufirin, në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga luftimet e përgjakshme me kundërshtarët e regjimit në Siri. Në situata të tilla, ushtarët izraelitë kanë hapur zjarr dhe disa dhjetëra persona kanë humbur jetët.