Fundamenti

Kuçi: Thaçi s’dorëhiqet!

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Fakti që koalicioni qeverisës një ditë më parë nuk ia ka dalë ta sigurojë kuorumin e nevojshëm në Kuvendin e Kosovës, për ta votuar më pas shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës, nuk do të thotë që Qeveria e Kosovës është e dobët dhe i mungojnë votat për ta kaluar një dokument apo ligj në legjislativ.

Kështu mendon zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili gjatë një bisede për “Zëri” ka mohuar mundësinë që për shkak të situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku nuk kaloi privatizimi i PTK-së, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, të japë dorëheqje.

“Privatizimi nuk është çështje që i takon një qeverie apo një kryeministri. Natyrisht që ka njerëz edhe brenda koalicionit qeverisës që mendojnë ndryshe, nuk është sfidim kjo për qeverinë, aq më pak për kryeministrin, por është krejt normale që njerëzit të kenë perceptime të ndryshme, qoftë në kuptimin filozofik apo personal. Unë besoj që (koalicioni qeverisës) i ka mbi 61 numra në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

I pyetur se si do t’ia dalë Qeveria e Kosovës që t’i bindë partitë opozitare, veçanërisht Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që të jenë të pranishëm në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, ku planifikohet të votohet privatizimi i PTK-së, ai ka thënë se Qeveria nuk e merr ngatë zemre çështjen në fjalë, ndërsa ka theksuar se me këtë çështje duhet të merren grupet parlamentare dhe Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Madje, Kuçi nuk beson se mund të dështojë privatizimi i PTK-së, ngase, sipas tij, ky proces është në dorën e Kuvendit, ndërsa, Qeveria nuk merr vendime para se ato t’i marrë Kuvendi.

Edhe paralajmërimi i drejtuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që do të iniciojnë votëbesim për Qeverinë e Kosovës, dhe kështu do ta rrëzojnë atë, nuk e ka shqetësuar zëvendësin e kryeministrit Hajredin Kuçi.

Mobi Casa

“Është e drejtë e opozitës që të kërkojë votëbesim dhe çdo procedurë tjetër demokratike”, ka ironizuar ai me paralajmërimin e LDK-së.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka folur edhe për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it, përkatësisht doganierit ndërkombëtar në veri të vendit, gjë të cilën ai e ka vlerësuar si “hije e zezë” e Kosovës në botë.

“Kjo e ka forcuar bindjen tonë edhe të Brukselit dhe të tjerëve që ata (strukturat paralele) duhet të largohen dhe duhet të vihen para drejtësisë. Dhe e them me bindje të plotë se nuk do të ndalemi, por do t’i ndjekim ata që e kanë shkel rendin dhe ligjin. Nuk do të ndalemi ta vëmë rendin dhe ligjin atje.

Do të jemi atraktivë, tolerantë dhe fleksibilë për qytetarët e rëndomtë që do të marrin pjesë në zgjedhje, por përballë këtyre nuk do të ndalet asnjëri prej nesh”, ka theksuar Kuçi.

Ndërkaq, kur është pyetur nëse në muajt e parë të vitit 2014 do të mbahen zgjedhjet nacionale, ai ka thënë se Qeveria ndihet rehat dhe ndjehet me legjitimitet të plotë demokratik, por pavarësisht nga kjo, ekzekutivi do ta respektojë secilin veprim që bën legjislativi.