KKGJILAN

Kuçi: Thaçi është “Njëshi”, rreth njëzet tjerë jemi “Dyshat”

/ 24 minuta lexim

Hashim Thaçi është “Njëshi”, e nja njëzet tjerë jemi “Dyshat”. Ai do të jetë kandidati ynë për Kryeministër edhe në zgjedhjet e sivjetshme. Alternativë tjetër s’kemi. Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi duhet të kthehet në PDK. Pas përfundimit të mandatit të kësaj qeverie, do të tërhiqem nga postet institucionale dhe do t’i përkushtohem punëve të mija. Unë s’e bëra Rektor Mujë Rugovën, në fakt kisha dëshirë që atë pozitë ta zinte Muzafere Limani. EULEX do të ketë kompetenca ekzekutive në Veri pas 15 qershorit. Hajredin Kuçi, Nënkryetar i PDK’së, flet për Express.

Express: Deri kur do të jetë EULEX’i në Kosovë?

H. Kuçi: Në vitin 2012, në shtator, kemi shkëmbyer Letrat; Presidentja me zonjën Ashton dhe pastaj ajo letër është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Një ndër pikat e asaj Letre është thënë që ky mandat zgjat deri më 15 qershor të vitit 2014. Pasa asaj kohe do të jetë një evaluim i përbashkët. Pra, jemi në fazën e evaluimit. Çka do të thotë: çdo mandat i ri, çdo punë e re për EULEX’in pas 15 qershorit duhet ta fitojë legjitimitetin dhe legalitetin në Kuvendin e Kosovës, po ashtu, edhe me vendet e BE’së. Ne kemi dorëzuar një Strategji kohë më parë, njëkohësisht, edhe institucionet e BE’së e kanë përgatitur një draft strategji. Jemi në fazën e negocimit dhe besoj se do të vijmë në një marrëveshje të përbashkët. Por, jemi duke punuar në dy drejtime. Të arrijmë konsensusin nacional. Strategjinë e kam shpërndarë edhe me liderët e opozitës, edhe te bartësit e institucioneve, pushteteve gjyqësore, prokuroriale. Sikur që presim që kemi një konsensus brenda 28 vendeve anëtare.

Express: Kjo po i bie që EULEX’i do të vazhdojë të jetë në Kosovë edhe pas 15 qershorit të këtij vitit?

H. Kuçi: Forma se si do të vazhdojë është çështje e negociushme. Me siguri nuk do të jetë ky që është sot. Edhe në draft strategjinë që vet e kam propozuar – institucionet e BE’së kanë paraparë ndryshe misionin e tyre. Kanë paraparë një mision me kompetenca ekzekutive për Veriun. Kanë paraparë disa kompetencat ekzekutive për disa raste që janë në proces e sipër dhe kanë paraparë një mision monitorues dhe këshillëdhënës për institucionet e vendit. Jemi në harmonizim, unë nuk do ta them se do t’ia vëmë pikë, kështu apo ashtu do të duket për shkak se po negociohet. Por, ajo çka dua të them se Misioni i BE’së do të duket ndryshe.

Express: Gjykimi i krimeve të luftës ka qenë njëra prej sfidave të vendeve që kanë kaluar luftën. A do mbetet nën kompetencën e misionit të BE’së të hetohen dhe gjykohen këto krime?

H. Kuçi: Duhet ta pranojmë një fakt, Kosova ka qenë vendi më i menaxhueshëm në fushën e drejtësisë prej të gjitha vendeve të pasluftës. Ne po flasim për 15 vite pasluftës, kur deri në vitin 2008 krimet e luftës kanë qenë kompetencë e UNMIK’ut. Ka punuar edhe Tribuinali i Hagës në atë kohë, por prej 2008 e tutje kompetencë ekskluzive, po ashtu, edhe e EULEX’it. Unë them se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të merret me të gjitha veprat penale të parapara në kodet tona penale.

Express: Deri më tash s’ka pasur prokuror dhe gjykatës vendor që ka dënuar ndonjë njeri të fuqishëm në Kosovë?

H. Kuçi: Duhet me provu këtë. Ajo çka dua të them është se gjyqtarët dhe prokurorët kur e japin betimin nuk e japin betimin për vepra selektive. Por, e japin betimin se do t’i shqyrtojnë të gjitha rastet që paraqiten para tyre. Po ashtu duhet ta pranojmë se krimet e luftës janë sensitive. Perceptimi i opinionit, edhe i mediave, edhe i qytetarëve është pak më ndryshe. Ajo çka dua të them është se ne kemi kapacitete të përafërta. Bile në disa fusha edhe më të mira se vendet e rajonit. Unë i ka dy filozofi në raport me EULEX’in. E para, ta ushtroi sovranitetin 100 përqind; dhe e dyta, ta shfrytëzojmë ekspertizën e tyre për aq sa kemi nevojë, qoftë gjyqtar, qoftë hetues, qoftë prokuror.

Express: Ilir Deda, ish-këshilltar i Bajram Rexhepit, ish-Këshilltar i Presidentes, ka thënë se Kryeministri Hashim Thaçi në krye të Korporatës Kriminale të Kosovës. Cila është përgjigja e juaj?

H. Kuçi: S’merrem me deklarata individuale.

Express: Por, ju nuk reaguat ndaj një deklarate të Ilir Dedës apo jeni pajtuar me konstatimin e tij?

H. Kuçi: Jo, jo. Po e them prapë se nuk merrem me deklarata individuale të askujt. Por, a ka kryer dikush vepra apo jo, gjykata me aktgjykim të formës së prerë vendos.

Express: Pse po hezitoni t’i përgjigjeni z. Deda?

H. Kuçi: Nuk dua të bie nën nivelin e debateve të tilla, absolutisht. Nuk jam një njeri që secili njeri që flet në këtë vend t’i reagojmë ngase do të shkonte te rrethi vicioz. Secili raste me secilin.

Express: Prej 2007 PDK është në pushtet, ndërsa në zgjedhjet e fundit humbi disa komuna të rëndësishme. A ka ardhur koha që PDK të shkojë në opozitë?

H. Kuçi: Zgjedhjet e fundit lokale kanë kërkuar nga ne disa gjëra. E para, kemi të drejtë të jemi të gëzuar në kuptimin e asaj që jemi partia e parë me numrin e votave. Nuk është lehtë pas tri palë zgjedhjesh të dalësh i pari. Ka pasur edhe lëshime gjatë procedurave, gjatë qeverisjes e kështu me radhë. E dyta, kemi edhe arsye të hidhërohemi, po them, për shkak se kemi humbur disa qeverisje të komunave të mëdha. Këto zgjedhje kanë dhënë mundësi të reflektojnë. PDK, por edhe partitë tjera, në veçanti PDK duhet të reflektoj përball vullnetit të qytetarëve. Ta shohim çka kanë kërkuar qytetarët nga në më shumë dhe çka duhet të më shumë ne për ata.

Express: Çka po kërkojnë Limaj e Krasniqi nga PDK’ja?

H. Kuçi: Nuk jam në proces të negocimit me ta. Ka kohë që ata nuk po kërkojnë zgjidhje brenda PDK’së. Nëse kërkojnë nga PDK’ja, besoj se ka hapësirë të mjaftueshme që t’iu ofrojë PDK atë që dëshirojnë.

Express: Pse po e keni kaq të vështirë ndarjen me Limajn e Krasniqin?

H. Kuçi: Janë dy arsye: E para, unë si Nënkryetar i Partisë nuk e kam logjikën që të jem në një parti politike që përjashton njerëz. Bashkimi në parti politike është vullnetar. Edhe hyrja edhe dalja. Dhe, e dyta ne kemi edhe emocione dhe duhet ta pranojmë se edhe në kohën e themelimit, ndërtimit dhe të tjerat. Pikat ndarëse janë shumë më pak se pikat takuese. Edhe një fakt, ne nuk kemi dallime konceptuaele. Dallimet janë edhe për shkak të përceptimeve individuale.

Express: Edhe çka duhet të bëjnë Limaj e Krasniqi kundër PDK’së që ju t’i largoni?

H. Kuçi: Nuk e di a e kanë dëmtuar PDK’në, apo e kanë forcuar një krahë të PDK’së. Zgjedhjet e ardhshme nacionale duhet të na zënë në raporte të pastra.

Express: Në fakt, largimin e Limajt e Krasniqin e kanë kërkuar edhe zyrtarë të lartë të PDK’së. Ne mesin e tyre edhe Sokol Bashota, Isni Kilaj e Shkurti Buja…

H. Kuçi: Edhe mund të kenë të drejtë në momente të caktuar. Njerëzit e shprehin mllefin personal. E shohin fajin diku tjetër. Por, prapë po e them se ka hapësirë që të bëhet debat në PDK. Për të gjitha pozicionet, për të gjitha veprimet. Edhe të tyre, edhe të mijat edhe të dikujt tjetër. Por, unë asnjëherë s’do të votoj në një forum partiak që të largohet dikush nga partia. Unë mund të votoj për dikë që të ketë një pozicion apo jo, por largimin nga partia nuk do t’i bashkohem.

Express: Thirrjen tuaj për rikthim të Limajt e Krasniqit në PDK, Sokol Bashota e quajti diletantizëm politik….

H. Kuçi: Edhe më këtë s’merrem. Nuk merrem me deklarata individuale. Por, po e përsëris se i bën mirë PDK’së, skenës politike të kthehen ata aty ku kanë qenë. Kur e kam bërë atë ftesë kam menduar në radhë të parë për të mirën e partisë. Kam menduar pastaj për të mirën e atyre individëve. Se e dini, ndarja mund të jetë një eufori, mund të jetë një zhvillim. Por, ndarjet s’kanë dhënë efekte të gjata. Maksimumi kanë dhënë dy parë zgjedhje dhe jo më shumë. E dy parë zgjedhje nuk janë shumë. Sikur që e treta, kam menduar se uniteti dhe partia politike, po e them në kuptimin bukfal, një parti politike duhet ta ketë logjikën t’i ftoj edhe të tjetër. Unë po e ftoj publikisht edhe liderët e partive tjera t’i bashkohen PDK’së. Jo vetëm ata që kanë qenë në PDK. Dhe, është e natyrshme që një Nënkryetar partie t’iu thotë të gjithë qytetarëve ejani me ne.

Express: Po e relativizoni shumë çështjen e kthimi të Limajt e Krasniqit në PDK. Dihet se janë disa momente jo fort të mira mes tyre dhe Kryetarit të PDK’së. Në zgjedhjet e fundit pati edhe akuza të rënda mes Thaçit me Limajn e Krasniqin?

H. Kuçi: Krejt çka mund të them është se s’ka pasur diçka që s’mund të bashkëjetohet. Politika i njeh edhe këto. Ne jemi me njerëz që punojmë dhe me të tjerët. Ajo që mund të them është e mrekullia ndodh kur bashkohen të kundërtat dhe bashkëjetojnë. Nuk besoj se ka aq të kundërta. Sido që të jetë, mendimet individuale, politike dhe personale i respektoj.

Express: Me siguri se pas thirrjes publike për rikthimin e Limajt e Krasniqit në PDK jeni takuar me Kryetarin e PDK’së dhe e keni marrë reagimin e tij?

H. Kuçi: Unë e kam takuar Kryeministrin para se t’iu bëj ftesë publike dhe pasi që i kam thirr.

Express: Kjo po i bien se ju e keni marrë miratimin e tij kur iu keni bërë thirrje Limajt e Krasniqit të kthehen në PDK?

H. Kuçi: Jo, absolutisht dhe s’kam nevojë me marrë miratimin e tij. Edhe sot, po e zëmë, po i thërras kënd doni prej liderëve, edhe pse s’kam folur me Kryeministrin, po iu them ejani dhe bashkohuni me PDK’në.

Express: Cili ka qenë reagimi i Kryeministrit Thaçi për thirrjen e juaj për rikthimin e Limajt e Krasniqit në PDK?

H. Kuçi: Unë besoj se Kryeministri edhe me sjelljet e tij, edhe me veprimet e tij, edhe me bisedat që kam pasur qasje integruese. E keni vërejtur se Kryeministri ka qenë i përmbajtur gjithmonë duke lënë të bashkëpunohet prapë. PDK është partia që ka ruajtur unitetin qe 14 vite, e vetmja në Ballkan. Për këtë unitet e ka meritën Lideri, por duhet ta ketë përgjegjësi. Lideri i një partie ofron njerëz edhe kur gabojnë nga pak. Unë e kam thënë njëherë, të gjithë ne me gabu ai mundet me na përmirësu. Me gabu ai e kemi problem ne ta përmirësojmë. Kështu, që ai ka qasje integruese. Dhe, e ka mbështetur qëndrimin tim për qasje integruese.

Express: A ka gabu diku Thaçi me Limajn e Krasniqin?

H. Kuçi: Ato janë çështje personale. Çka dua të them, edhe unë dhe të tjerët, kemi momente që ndihemi mirë dhe më pak mirë. Por, të pozicionuar përball fuqisë politike të PDK’së që kemi pasur ne kemi qenë mirë. Asnjëri prej nesh nuk kemi arsye të themi se PDK s’ka qenë korrekte me ne. Kur e them për vete, e them edhe për të tjetër që kemi qenë edhe deputet për katër mandate. Edhe në Qeveri dhe në pozita të tjera. Pra, pozita e Kryetarit të Partisë s’ka qenë e sfiduar asnjëherë. Pozita e tij si Kryeministër s’ka qenë e sfiduar asnjëherë nga PDK’ja. Pozitat tjera kanë qenë për të gjithë ne tjetër.

Express: Por, lufta në PDK po shihet se po bëhet për pozitën e dytë?

H. Kuçi: Në PDK, mendimi im është ky: Ne e kemi një njeri që është i pari dhe jemi nja njëzetë që e ndjejmë vetën të dytin. Kjo e dyta është normale.

Express: A mund të jetë Limaj përsëri i dyti?

H. Kuçi: Absolutisht, me garë, me vota pse jo. Nuk ka vend me tapi. Edhe Kryetari i Partisë nuk e ka vendin me tapi. Çdo proces demokratike e bën të njëjtën gjë.

Express: Ndryshe kemi thënë në një intervistë televizive. Ju keni thënë se mund të kthehet kur të donë?

Eco Higjiena

H. Kuçi: Kur të donë mund të kthehet në pozitën e Nënkryetarit ku ka qenë. Unë e mbaj atë mendim dhe nëse ka problem PDK’ja unë tërhiqem nga ajo pozitë. Unë nuk e kam pozitën në PDK si Nënkryetar. Goethe thotë se identiteti është si hapësirë sa të zësh është e jotja. Cilido që hyn në parti e zë hapësirën dhe është e tij.

Express: Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm në fund të vitit 2013, e tha qartë se do të ketë ndryshime në PDK. Këto ndryshime a do të shkojnë deri te udhëheqja e PDK’së?

H. Kuçi: Në udhëheqja nuk e di si do të jetë. Por, PDK duhet të sforcojë pozicionin e saj, t’i integrojë njerëzit që i ka brenda, t’i fuqizoj edhe më shumë, të rris prezantimin e të arriturave që ka bërë ndër vite. Sikur që duhet t’i integroj edhe personalitet të reja dhe ka interesime të njerëzve të tillë.

Express: Çka do të ndodh me Qemajl Mustafën e Gjilanit, Avni Kastratin e Mitrovicës, Agim Aliun e Ferizajt dhe humbësit tjerë të PDK’së?

H. Kuçi: Logjika e PDK’së, duhet ta them, se nuk është me humb njerëz. Kjo është një garë. Gara e ka edhe fituesin edhe humbësin. Neve na ka pëlqyer kur kemi fituar garat me këta, sikur që është edhe e kundërta që tash s’na pëlqen shumë. Por, ata e kanë vendin e merituar në PDK. Gara politike vazhdon, konkurrenca politike brenda llojit dhe pozicionimi. Unë mendoj se ata janë njerëz të merituar ku është PDK sot dhe njerëz që mund të llogarisë PDK të shkojë më tutje.

Express: Si ndodhi që PDK humbi në Mitrovicë prej nga vijnë Kadri Veseli, Bajram Rexhepi, Bedri Hamza?

H. Kuçi: Unë nuk e lidhi me emra personal. Ajo që mund të them është se ka qenë një befasi e zgjedhjeve. E para, ka qenë një diskrepacë e madhe, rreth njëzetë përqind dallueshmëri në raundin e parë. Ne e kemi neglizhu pak duke menduar se është punë e kryer fitorja. Dhe, e dyta, që mund të them, ose një votë anti më shumë se sa për. Rezultati ka ardhur dhe PDK pa asnjë telashe e ka pranu rezultatin.

Express: A janë takuar me Thaçi me Limaj, ashtu siç u raportua sot?

H. Kuçi: Unë nuk e di. Por, unë jam takuar me Limajn. Por, jo për qëllime partiake. Takohem edhe me z. Krasniqi dhe me të tjerët por jo si ndërmjetësues apo për qëllime partiake, por miqësore. Po e them edhe sot edhe nesër se respekti personal dhe miqësia për mua nuk ndryshon.

Express: Cili ishte qëndrimi i Limajt për zhvillimet në PDK?

H. Kuçi: Ajo çka dua të them, ka raporte dhe sjellje njerëzore në raport me mua sepse njihemi më shumë se njëzet vite. Raportet politike dhe këto druhemi se edhe unë nuk kam që flas në emër të PDK me atë. E kam thënë publikisht se nuk jam personi adekuatë për të ndërmjetësuar.

Express: A do të kthehet Limaj në PDK?

H. Kuçi: E para, besoj se s’ka arsye që të mos jetë në PDK dhe e dyta, po të isha unë në vend të tij isha kthyer në PDK.

Express: Cili është qëndrimi i tij, me rikthye apo jo në PDK?

H. Kuçi: Nuk e kam biseduar këtë çështje.

Express: Të flasim edhe pak për zgjedhjet e fundit. Ramush Haradinaj po thotë se afërsia me Hashim Thaçin i ka kushtuar AAK’së me votë. Cili është qëndrimi i PDK’së?

H. Kuçi: Perceptimet dhe vlerësimet secila parti duhet t’i bëjë në mënyrë racionale. Edhe ne kemi arsye të themi që diçka tjetër, dialogu e kështu me radhë. Sjellja politike e një partie politike, natyrisht, sjell rezultate. Nëse e shohim nga prizmi tjetër i ka rritur votat, pra nuk ka humbur. Dhe, ata po e shohin në këtë prizëm. Sikur që unë e them edhe dy arsye. Nëse njeriu e sheh vetën në pasqyrë dhe nuk i del fytyra mirë, duhet ta dijë se nuk i ka fajet pasqyra. Dhe, po e parafrazojë Skender Shyngylin, e mbajë mend kur kam qenë dhjetë vjeçar, kur ka luajtur Prishtine me Olipmikun, e kanë pyetur se kush pati fajin për humbjen, tha lojtarët kundërshtarë. Nuk duhet të kërkohet faji te lojtarët kundërshtarë. Ne jemi kundërshtarët e tyre në zgjedhjet politike. Ne bashkëpunojmë për interes të përgjithshëm. Kur të hyjmë në zgjedhje, nëse hyjmë në garë, me cilindo subjekt politik, shikojmë të fitojmë më shumë. Aleanca e ka rrit votën, por i ka humbur liderët. Pra, i ka humbur dy komunat kryesore. Ata duhet të shohin pse kanë humbur. Mund të jetë një prej premisave, por nuk besoj se është e vetmja arsye. Edhe PDK’ja, mund të themi se e kemi humbur Ferizajn, Mitrovicën, do ta shohim se nuk është vetëm afria jonë që e kemi bërë koalicion me AKR’në ose e kundërta. Po e them edhe këtu, kur një ligj nuk i bien popullit duhet ta ndryshojmë ligjin jo popullin. Edhe këtu nëse nuk i kemi rënë taman popullin si parti, hajde ta shohim vetën ku duhet të ndryshojmë.

Express: Kur do të jenë zgjedhjet nacionale?

H. Kuçi: Nuk e di saktë muajin, por besoj par as të hyjmë në vjeshtë ose dimër.

Express: Kush është kandidat i PDK’së për Kryeministër?

H. Kuçi: Nuk është diskutuar për këtë çështje. Por, për aq sa ka vullnet dhe gatishmëri Kryeministri aktuale, Kryetari i Partisë ne nuk kemi alternativë. Në momentin që ai e shpreh vullnetin nuk besoj se të tjerët e shprehin një vullnet ndryshe.

Express: Si do të bëhet një koalicion i ardhshëm kur dihet se posti i Presidentit është i zënë. Në pazar janë vetëm Kryeministri dhe Kryeparlamentari?

H. Kuçi: Edhe një arsye duhet ta themi, koalicionet nuk mund të bëhen më vetëm me minoritetet. Në veçanti minoriteti serb do të jetë i shpërndarë. Dhe, po ashtu, më shumë do të jenë të ndikuar nga politika jashtë Kosovës se sa janë në Kosovë. Do të thotë duhet ta kemi një koalicion pak më të gjerë. Ju e dini se pozicioni i Presidentes është ashtu siç është, por do të ketë ndarje të pushteteve të tjera. Jo vetëm në këtë rast, por edhe në rastet tjera, kishim dashtë që Presidenti të jetë një figurë unifikuese dhe të mos paraqet pjesë të pazareve si pjesë e koalicioneve. Por, po ashtu, mund të themi se edhe President jo politik s’mund të kemi. Presidenti nuk është dhuratë, e as post i bamirësisë ai vend. Ai është post politik që duhet ta ushtroj dikush që ka legjitimitet demokratik. Momentalisht, pozita e Presidentit, është pjesë e kompromisit. Ka qenë rezultat i zgjidhjes së një krize. Kjo nuk do të thotë që kemi me pas kriza në të ardhmen dhe të vazhdojmë ndryshe.

Express: A do të përfundojnë bisedimet me Serbinë këtë vit?

H. Kuçi: Jo. Unë jam i bindur se bisedimet s’do të përfundojnë këtë vit. Bisedimet do të zgjasin deri në atë që e kam thënë unë traktat i paqes. Sa do të jetë ajo kohë, presioni ndërkombëtar, gatishmëria e dy vendeve, zgjidhja e probleme, mund ta shkurtoi këtë. Ose zhvillimet e brendshme nacionale, zhvillimet në Kosovë, zgjedhjet në Serbi, ndryshimet në Komision Europian mund ta ndryshojnë këtë. Por, duhet ta kemi një kondicion politik për këtë çështje. Edhe Qeveria e tashme, edhe Qeveria e ardhshme do të merret me çështjen e bisedimeve.

Express: Çka do të ndodh me vendet e rezervuara të minoriteteve në Parlament?

H. Kuçi: Duhet të ketë vullnet politik dhe konsensus të gjerë. Ajo nuk mund të bëhet pa 2/3 e deputetëve. Në këtë konsensus duhet të jap kontribut secili. PDK nuk është gardiane e atyre vendeve, por ne dëshirojmë që ta kemi integrimin e tyre. Por, pa konsensus politike, nuk jemi ata që vendosim ndryshe. A është demokratike apo jo? Ka dilema dhe e dimë secili prej nesh. Jam habit kur kam dëgjuar se me Komisionin e Venecias po tentohet të legjitimohet. Jo, ky është vendim politik dhe s’ka nevojë asnjë ekspert me pas në këtë drejtim. Nëse pajtohen liderët e partive politike dhe bëhet 2/3 në Kuvend s’ka nevojë kurgja tjetër. Unë e kam vërejt se kjo ose ajo parti është pengesë. Urdhëroni dhe pyetni partitë politike se cili është qëndrimi i tyre. Asnjëra s’ka qëndrim dhe s’ka zgjidhe përfundimtare për reformën zgjedhore.

Express: Por, kur është përmbyllur pavarësia e mbikëqyru me përjashtim të VV’së, partitë tjera kanë premtuar vazhdimin e mandateve të rezervuara për minoritetet?

H. Kuçi: Për të tjerët nuk e di. Por, unë dua ta them se unë si pjesëtar i Qeverisë kam negociuar me anëtarët e Qeverisë që vijnë nga komuniteti serb, me z. Petrovic, me shtetet anëtare të QUINT’it, në atë kohë ju kemi thënë votojeni përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur do të jemi tolerant për vendet e rezervuara. Se pavarësia e mbikëqyrur nuk kishte të përfundonte edhe pa votën e shumicës së deputetëve të minoriteteve. Për fjalën e dhënë s’i e marrim është çështje tjetër. Por, duhet të themi se nuk mundet PDK vetëm dhe PDK nuk është gardiane e vendeve të rezervuara për minoritetet. PDK kërkon konsensus dhe konsensusi është më i gjerë se PDK.

Express: Kush po e luan rolin e Zëdhënësit të Qeverisë?

H. Kuçi: Secila Ministri veç e veç i ka zëdhënësit. Nuk është mirë që nuk e kemi një Zëdhënës funksional. Ju e keni vërejt se unë me qellim jam tërheq prej deklarimeve të mëhershme dhe s’kam dashur të identifikohem, por nuk kam dashur të marrë një përgjegjësi të tillë. Unë jam ithtar që ta kemi një Zëdhënës që mediat të kenë një adresë. Ky zëdhënës duhet të jetë i pranueshëm për mediat, jo dikush që konfrontohet me media, por edhe një person që përfaqëson politikat e Qeverisë.

Express: Por, mandati i kësaj Qeveri po përfundon?

H. Kuçi: Edhe kjo kohë që ka mbetur, mendoj, se duhet ta kemi një Zëdhënës. Mund ta vazhdoj edhe mandatin tjetër.

Express: A po e luan Kryeministri në Facebook rolin e Zëdhënësit të Qeverisë?

H. Kuçi: Unë mendoj se futja e tij në Facebook e ka ndryshu skenën politike në kuptimin e mendimeve. E ka krijuar një hapësirë më të madhe. Ka bërë mirë që e ka bërë një veprim të tillë pasi na ka njohur Facebook’u. Dhe, e dyta tanimë qëndrimet e tyre nuk janë më të ngurta. Nuk janë ato që duhet me prit me javë, por janë qëndrime të përditshme. Është luftë për hapësirë dhe jemi në vitin elektoral, ku secili lufton për hapësirë dhe është mirë. Por, Facebook’un e kanë bërë edhe të tjerët.

Express: A do ta përmbyllni karrierën politike ashtu siç keni paralajmëruar pas dy mandateve në Qeveri?

H. Kuçi: Po, them se mandat Ekzekutiv qeverisës nuk marrë më në këtë vend. Nuk kam pasur shkëputje prej Universitetit, por do t’i kthehem më shumë jetës familjare, jetës studimore dhe punëve të mija. Nuk do të kem shkëputje nga PDK’ja. Nuk do të ketë revolucionaritet në tërheqjen time. Do të jem aktiv në funksionet që kam në PDK, edhe në punë tjera, por jo me pretendime për funksione institucionale.

Express: Ish rektori i UP’së e tha qartë se politika e ka bërë Rektor Mujë Rugovën. U patën publikuar edhe sms’e juaj. A i keni rënë pishman që e keni bërë Mujë Rugovën Rektor?

H. Kuçi: Nuk e kam bërë unë Mujë Rugovën rektor. Po e them për herë të parë, dhe me vjen keq, unë kam qenë për Muzafere Limanin që të jetë rektore në atë kohë. Bile kam pas kontakte me te dhe me vjen keq që nuk është zgjedhur ajo. Po i kërkoj falje edhe asaj. Por rrethanat e tilla kanë qenë dhe unë s’kam qenë njeri Ministër i Arsimit, s’kam qenë njeri që kam pasur ndikim të drejtpërdrejtë. Rrethanat kanë qenë të tilla. Unë nuk jam kundër Mujë Rugovës dhe të mos merret si individuale. Momentin e fundit, në orbiten time s’ka qenë Mujë Rugova. Në momentin e fundit është thënë ndryshe dhe unë s’kam qenë i gatshëm të konfrontohem me krejt njerëzit shkaku i një individi. S’kam pasur qasje personale as ndaj profesoreshës Limani.

Express: Përveç si profesor, në disa video të publikuara në internet jeni parë se edhe këndoni….

H. Kuçi: Po, është e vërtetë se kur të jem në ambiente familjare bëhet pjesë e saj. Nuk shkoj në vende vetëm të rri me kravat dhe me i vendos duart kryq mbi tavolinë. Në ambiente ku shkoj dhe ndihem mirë pse jo. Edhe unë jam njeri, edhe këndoj. Nuk di me këndu mirë, por këngë di shumë. Kam miq shumë këngëtarë. Këngëtarët më të mëdhenj në Kosovë, Ramadan Krasniqi, Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, Ismet Peja dhe shumë tjerë i kam miq të mirë. S’po them më shumë, por s’paku në muaj apo çdo dy muaj dëgjohem me ta. Nganjëherë e bëjmë ndonjë për qejf. Unë nuk jam kundër kësaj. Dhe, nëse merret vlerë që Clintoni që këndon me saksofon, Josipovici është kompozitor dhe merret vlerë. Absolutisht është diçka e mirë. Nuk ka qenë diçka antiligjore. Prapë po e them se kudo që shkojë do të këndoj me dëshirë.