Kuçi: Patriot i mirë është mësuesi i mirë

Ngritja cilësore në zhvillimin e arsimit dhe reformimi i Fakultetit të Edukimit, ishin temat që u diskutuan të premten në konferencën ndërkombëtare “Edukimi në shoqëritë në tranzicion” që e organizoi Fakulteti i Edukimi i Universitetit të Prishtinës. Rektori Ibrahim Gashi ka thënë se UP-ja që nga viti 2000 ka aderuar në procesin e Bolonjës, me tendencë që shpejt të jetë edhe nënshkrues i Kartës së Bolonjës.
Institucionet e arsimit, sipas Gashit, janë në përpjekje për t’i avancuar programet për përgatitjen e mësimdhënësve për nivelet parauniversitare të arsimit në Kosovë. “Ish-studentët e UP-së sot janë bartës të proceseve më të rëndësishme në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe politik të shtetit të Kosovës”.
Sipas rektorit Gashi, një nga sfidat e arsimit në Kosovë por edhe e UP është reformimi dhe avancimi i programeve për përgatitjen e mësimdhënësve. Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se investimi në arsim është investim edhe në zhvillim ekonomik edhe në zhvillim politik. “Ne duhet ta pranojmë një fakt, universiteti dhe arsimi ynë ka qenë jo vetëm vatër e dijes por një kala prej nga është mbrojtur interesi kombëtar. Mësues i mirë është ai që ka qenë patriot deri në vitin 1999. Tani patriot i mirë është ai që është mësues i mirë”, ka shtuar Kuçi.(Tribuna)