UBT

Kuçi: Nesër përafrim qëndrimesh, jo nënshkrim

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë në emisionin Zona e Debatit të Baton Haxhiut se nesër më shumë pritet përafrim i qëndrimeve mes Kosovës dhe Serbisë rreth normalizimit të raporteve përderisa marrëveshja, apo ceremonia e saj e nënshkrimit, mund të shkruhet në ndonjë ditë tjetër pasi dy palët të pajtohen.

“Kemi pasur përafrim të qëndrimeve. E them me përgjegjësi të plotë se në Kosovë do të ketë sistemi unik të drejtësisë dhe do të ketë ndryshim të strukturës organizative të gjykatave. Njëjtë do të jetë edhe në polici dhe emërimi i secilit komandant do ta bëjë drejtori i përgjithshëm dhe Ministri i Brendshëm. Ne besojmë se përafrimi do të ndodh nesër ndërkaq nënshkrimi është çështje formale që mund të ndodhë në ditët në vazhdim”, ka thënë ai.

Ndryshe, këto fjalë Kuçi i ka thënë gjatë këtij debati ku në studio kanë qenë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, këshilltari i presidentes Ramush Tahiri , analisti Shkëlzen Maliqi dhe Ilir Dedaj nga Instituti KIPRED, të cilët gjatë debatit, më shumë janë ndalur në pikën 14 të marrëveshjes e cila thotë se palët nuk duhet të ndalojnë njëra tjetrën për anëtarësim nëpër organizatat ndërkombëtare, por edhe pëe komptencat që mund të kenë serbët e Veriut pas marrëveshjes.

Edhe delegacioni serb udhëton në Bruksel

Delegacioni serb i kryesuar nga kryeministri Ivica Dacic do të udhëtojë sonte drejt Brukselit, raportojnë mediat serbe.

Në Beograd ende s’ka vendim për të udhëtuar drejt Brukselit

Kreu shtetëror serb ka filluar konsultimet për të marrë një vendim rreth udhëtimit ose jo në Bruksel.

Sipas mediave serbe, konsultimet pritet të vazhdojnë deri vonë. Aktualisht dilemat më të mëdha kanë të bëjnë me pikën 14 të propozimit të Baroneshës Ashton. Ajo ka të bëjë me anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Zyrtarët serbë kanë thënë se kjo çështje nuk ka qenë pjesë e bisedimeve deri më tani.

Eco Higjiena

Sipas njoftimeve konsultimet janë zhvilluar ndërmjet Presidentit të Serbisë Tomislav Nikolic, Kryeministri serb Ivica Dacic, dhe Zëvendëskryeministri I Parë Aleksandar Vucic.

Thaçi nga Lubjana kthehet në Bruksel, afër arritja e marrëveshjes

Kryeministri Thaçi dhe anëtarët tjerë të Delegacionit të Kosovës, pas kërkesës së Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Baroneshës Catherine Ashton, janë kthyer nga Aeroporti i Lubjanës për në Bruksel për të vazhduar takimet në kuadër të dialogut, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

“Delegacioni shtetëror i Kosovës, i udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi do të vazhdojë angazhimin për arritjen e marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal, dhe të proceseve integruese për të gjitha shtetet e rajonit”, thuhet në komunikatë.

Burime të Gazetës Express thonë se mbrëmë Kryeministri Thaçi ia ka bërë të qartë Baroneshës Ashton se mund të rikthehet në tavolinën e bisedimeve, nëse ka garanci nga pala tjetër se do ta nënshkruajë marrëveshjen.

“Fakti që Baronesha ftoi Kryeministrin të kthehet, është shenjë se Serbia do ta pranojë marrëveshjen”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në bisedime, në kushte anonimiteti për Express.

Mediat serbe kanë njoftuar se edhe delegacioni i Beogradit ka marrë ftesë për t’u kthyer në Bruksel, por thuhet se vendimi pritet të merret gjatë ditës.

Baronesha Ashton, e cila ka dërguar ftesat, sot është duke qëndruar për vizita në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.(express)