Fundamenti

Kuçi: Kosova do ta meritojë mbështetjen e SHBA-së

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në vazhdën e punimeve të konferencës Programi i Partneritetit midis shtetit të Iowas në SHBA dhe Kosovës, pati një prezantim me temën “Kosova sot dhe në të ardhmen”.

Gjatë prezantimit të tij, Kuçi u fokusua në prezantimin e prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe sfidat më të cilat përballen institucionet dhe shoqëria kosovarë.

Duke cilësuar se Kosova ka kaluar në dy faza kryesore në të kaluarën: fazën e mbijetesës, deri në vitin 1999, dhe fazën e ndërtimit të shtetit nga viti 1999 deri në vitin 2008, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Kosova sot kalon në një fazë të tretë, që e quajti fazën e konkurrencës me shtetet tjera, duke përfshirë këtu konkurrencën në kuptimin pozitiv me shtetet fqinje, Evropiane dhe më gjerë, me dije, kapacitetet njerëzore, me rininë e saj dhe të mirat natyrore, njofton Ministria e Drejtësisë.

Si prioritet të parë, Zëvendëskryeministri Kuçi paraqiti Sundimin e Ligjit dhe tha së Qeveria e Republikës së Kosovës synon ta arrijë me punë të devotshme përmes Kushtetutës së saj më moderne, ndërtimit të një Gjyqësori të Pavarur të cilin po e adresojnë çdo ditë përmes përmirësimit të infrastrukturës ligjore, fizike e materiale për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe bashkëpunimin me EULEX-in.

Si sfida kryesore në këtë fushë, Ministri Kuçi përmendi implementimin e ligjeve të miratuara dhe funksionalitetin e plotë të institucioneve, vullnetin politik, kapacitetet njerëzore që shpesh mungojnë, si dhe me theks të veçantë perceptimin e shoqërisë rreth sistemit të drejtësisë.

Sa i përket prioritetit të dytë të Qeverisë së Kosovës, Zhvillimi Ekonomik, Ministri Kuçi ka shquar burimet natyrore, përfshirë këtu minierat, territoret malore dhe punën e volitshme të fuqisë punëtore, investimet e huaja dhe diasporën e gjerë prej të cilës mundohemi të përfitojmë investime dhe përvojë të shquar në shtetet më të zhvilluara. Si sfidë kryesore nga zhvillimit ekonomik,

Kuçi përmendi krizën financiare botërore, kapacitet njerëzore, energjinë, ndërtimin e infrastrukturës dhe perceptimin mbi korrupsionin, thuhet në njoftim.

Integrimi Evropian, si prioritet i tretë, sfidohet kryesisht nga pesë shtetet që nuk e njohin shtetin e Kosovës, tha Ministri Kuçi dhe shtoi së kjo ngadalëson edhe procesin e liberalizimit të vizave, procesin e Stabilizim Asocimit, dhe vlerësimin e studimit të fizibilitetit.

Si arritje në drejtim të partneriteteve ndërkombëtare, që Kuçi i cilësoi si prioriteti i katërt, ai cilësoi marrëdhëniet e mira me shtetet fqinje dhe anëtarësimin në FMN dhe Bankën Botërore, si dhe procesin e anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). Sfidë në këtë drejtim mbeten marrëdhëniet më Serbinë dhe bllokada Ruse në Këshillin e Sigurimit, të cilat pamundësojnë promovimin e mëtejshëm të Kosovës në shumë forume dhe organizata ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Kuçi përmendi këtu punën e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për të rritur numrin e njohjeve dhe anëtarësimin në shumë organizata tjera ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen sa më aktive në forume të tilla nëpër botë.

Duke e prezantuar edhe sundimin e ligjit në veriun e Kosovës si prioritet të veçantë, Ministri Kuçi përmendi punën që po bëhet përmes dialogut teknik deri tani dhe që do të vazhdojë në të ardhmen, por paraprakisht duhet te implementohen marrëveshjet e arritura në thekës të veçantë ajo për menaxhimin e integruar të kufirit tha ai.

Hidromorava

”Veriu sfidohet ende nga prania e strukturave ilegale të Serbisë, dhe iniciativa e institucioneve të Kosovës për të vënë sundim të plotë të ligjit në këtë pjesë, nuk do të jetë nismë kundër qytetarëve serb të Kosovës, por vetëm kundërshtim i fuqishëm për kriminelët dhe strukturat ilegale që veprojnë në çfarëdo pjesë të Kosovës” , theksoi Kuçi.

Ministri Kuçi përmendi Traktatin e Paqes si një ide që duhet të jetë si qëllim final në raportet në mes të dy shteteve, për të arritur fqinjësi më të mirë me Serbinë, si njëra nga mënyrat për të stabilizuar gjendjen edhe më tej në rajon.

Ai elaboroi se aty duhet të mbyllet kapitulli i konfliktit në mes të dy vendeve dhe popujve, se duhet të përfshihet njohja reciproke në mes të dy shteteve, po ashtu edhe respektimi i tërësisë territoriale, mospengimi i njëri-tjetrit në fushat e integrimeve rajonale, Evropiane, në OKB dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtare, çështja e reperacioneve të luftës, kërkimi i faljes nga ana e Serbisë si dhe fushat e mundshme të bashkëpunimit ekonomik, transporti etj., sipas standardeve të shteteve të BE-së dhe kritereve të fqinjësisë se mirë.

Çdo luftë duhet të përfundojë me paqe, theksoi ai, dhe duke cituar Presidentin amerikan Uilson, Ministri Kuçi tha: “vendimi për të bërë paqen është po aq i rëndësishëm sa vendimi për të filluar luftën. Kjo nuk është kërkesë për ta harruar të kaluarën dhe dhunën nga Serbia, por për të mbyllur kapitullin e konfliktit dhe hapjen e kapitullit të bashkëpunimit dhe paqes mes vendeve, popujve dhe rajonit tonë”.

Ai për këtë ide kërkoi angazhimin e SHBA-së dhe BE-së si garantues dhe së ky Traktat duhet të ketë garanci ndërkombëtare, në këtë rast të këtyre shteteve, e pastaj në OKB.

Për fund, Ministri Kuçi u thellua në bashkëpunimet e mundshme në partneritet me shtetin e Iowas, duke veçuar këtu ngritjen e kapaciteteve njerëzore përmes punës së përbashkët në Kosovë përmes pranisë ndërkombëtare, si dhe trajnimet e vazhdueshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në rrafshin ekonomik, Ministri Kuçi theksoi mundësinë e bashkëpunimit në bujqësi, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira dhe avancimit të teknologjisë.

Gjithashtu bëri një ftesë të hapur ndaj pjesëmarrësve nga fusha të ndryshme edhe për shkëmbim studentësh në të gjitha fushat, si dhe shkëmbimin e mjekëve, për të ngritur kështu edhe kualitetin dhe kapacitetin e mjekëve në vend dhe përmirësimin e gjendjes së shëndetësisë përmes pranisë së kolegëve të tyre nga Iowa.

Si një fushë të veçantë për bashkëpunim dhe e cila tashmë ka dhënë frytet e saj, Ministri Kuçi përmendi bashkëpunimin me FSK-në, e cila tashmë ka përfituar shumë nga shkëmbimet e deritanishme me Gardën Nacionale në shtetin e Iowas dhe i ftoi pjesëmarrësit që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej.

Ministri Kuçi përfundoi prezantimin e tij duke e falënderuar jo vetëm shtetin e Iowas, por gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e thelluar që kanë me vendin tonë, duke thënë se Kosova do të vazhdojë të punojë për të merituar edhe më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre.