Eko Higjiena

Kuçi: Fajtore Serbia, nuk mund të dalin nga trauma e së kaluarës

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Qeveria e Republikës së Kosovës është e zhgënjyer me refuzimin që pala Serbe i bëri propozimit të dhënë nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i tha RTK-së se propozimet e dhëna nga BE-ja ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit dhe do të shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon.

Duke e komentuar refuzimin e Serbisë për pranimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovës, Kuçi, tha se Kosova asnjëherë nuk do të pranojë që të jetë fajtor kujdestar dhe të ndëshkohet për dështimin e marrëveshjes.

Ai tha se Kosova e ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga Ashton dhe sipas tij, fajtor kryesor është pala serbe e cila ende përballet me probleme psikike.

KKVITI

“Ne nuk i kemi besuar Serbisë që do të jetë ndryshe. Ata e kanë një problem psikologjik apo një traumë në të kaluarën që nuk mund të dalin lehtë. Por, në anën tjetër presim një presion të shtuar nga BE-ja dhe SHBA-të. Unë besoj se BE-ja tani e ka marrë një goditje, nëse më lejohet të them, më shumë se sa ne, ngase ne kemi qenë në këto pozita”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Kosova tashmë ka bërë një varg kompromisesh duke përmendur Pakon Gjithëpërfshirëse të Presidentit Ahtisaari. Ndërsa, shton se nga refuzimi i Serbisë për të arritur marrëveshje, janë sfiduar të tri palët e përfshira në procesin e bisedimeve.

“Dje është sfiduar Serbia në radhë të parë, jemi sfiduar edhe ne, por në veçanti është sfiduar edhe BE-ja. Pas këtij dështimi i mbetet BE-së që ta jep një orientim të qartë. Unë besoj se kryeministri Thaçi do të konsultohet edhe me partitë politike të vendit tonë edhe me partnerët tanë ndërkombëtar dhe do ta shohim rrugëzgjidhjen”, theksoi Kuçi.

Sipas tij, Kosova do t`i përdor të gjitha mjetet demokratike për integrim të territorit dhe sundim të rendit e ligjit në secilën pjesë të vendit. /Telegrafi/