Uji Dea

Ku jemi dhe ku do të duhej të ishim?

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Shefik Sadiku – Duke mos pretenduar se po jap formulën e zhvillimit apo të ngecjes sonë që nga çlirimi i Kosovës nga Serbia e këndej, mund të konstatojmë se krahas atyre pak zhvillimeve pozitive, shoqëria jonë, më në fund shteti ynë, deri më tani, ka dështuar në arritjen e synimeve tona të gjithëmbarshme.

Deshëm apo nuk deshëm, ditëm apo nuk ditëm, mundëm apo nuk mundëm më shumë dhe më mirë, përfundimisht e vërteta është se pakënaqësia qytetare është rritur dhe trendet e saj vazhdimisht shkojnë drejt rritjes.

Është e pajustifikueshme gjendja e zhvillimit të përgjithshëm, që jep pak shpresa për një të nesërme më të mirë; është e papranueshme gjendja në fushën e arsimit. Edhe gati 20 vjet nga çlirimi i vendit, për arsimin tonë as që mund të flitet se është drejt rrugës së duhur. Edhe përkundër gjithë atyre investimeve që janë bërë, pas gjithë atyre trajnimeve të panumërta, megjithatë nuk vërehen shenja optimiste se në një të ardhme të afërt do të kemi një arsim më cilësor dhe më bashkëkohor. Përjashto arritjet individuale të aty këtushme të disa të rinjve, si sistem i organizuar, arsimi ka dështuar t’u ofrojë mundësi, kushte dhe hapësirë gjithë nxënësve e studentëve. Kjo gjendje flet për ç`asjen e gabuar që shoqëria jonë ka ndjekur në këtë sferë të ndjeshme dhe jetike.

As pak më mirë nuk qëndrojnë as shëndetësia dhe as sistemi i drejtësisë. Mjafton të vizitosh institucionet publike shëndetësore, mjafton t’i dëgjosh rrëfimet e qytetarëve për trajtimet në këto institucione, për t’u bindur se kjo sferë, jo që ka pësuar ngritje cilësore, por ka pasur dhe vazhdon, kështu, të ketë degradim të këtij sistemi.

UBT

Po drejtësia ku është? Është aty ku pak kush dëshiron të jetë! Është atu ku nuk do të duhej të ishte. Me të drejtë qytetarët e kanë humbur besimin në institucionin që do të duhej të ishte më i besueshmi.

Kjo gjendje, përgjithësisht, e papranueshme është pasojë e mosdijes apo e mosdashjes sonë për të qenë ndryshe?

Ndoshta, e të dyjave, por më shumë e së dytës. Them më shumë e së dytës, sepse, në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, u mboll një vetëdije e mbrapshtë dhe e dëmshme se çka do dhe sido të punosh, përgjegjësia dhe llogaridhënia nuk kërkohet nga askush, prandaj si rrjedhim i kësaj mendësie, keqbërësit dhe të pandërgjegjshmit bën çfarë deshën dhe si deshën ata. Them se gjendja e papranueshme e jetës sonë shoqërore është më shumë pasojë e mosdashjes, sepse duket sikur tri rrafshet e pushtetit: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori, gjetën një lloj ta quaj “mirëkuptimi” reciprok që asnjëri nuk ia prish terezinë dhe rehatinë tjetrit: them kështu sepse si duket sikur dy nivelet e pushtetit: qendror dhe lokal, gjithashtu,”ranë” në ujdi, kuptohet, të panënshkruar, por t ë pranuar heshturazi, që asnjëri të mos i jep llogari tjetrit, u krijua një lloj rehatllëku pushtetor që vetëm në të mirë të qytetarëve nuk bëri asgjë, ose të jem korrekt, pak gjëra. Përjashto këtu infrastrukturën rrugore, asfaltimet e shumta, ishalla pa korruptime, dhe ngritjen e disa objekteve arsimore.

Mosinstalimi i institucionit të llogaridhënies dhe i përgjegjësisë, u mundësoi bartësve të institucioneve të të dyja niveleve të pushtetit që në forma të ndryshme ta “kapin” shtetin, varësisht nga fuqia e tyre e ndikimit, dikush më pak e dikush më shumë, por kur funksionojnë organet e shtetit, shteti ka forma dhe mundësi që t’i “përpunojë” si ata që e kapin shtetin shumë edhe ata që mendojnë se po e kapin apo e kanë kapur pak./rajonipress/