Mobi Casa

Kthimi në pikën zero

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Nga Blerim Shala-Rendi i të marrit vesh përmes porosive publike nuk është. Këtë do të duhej ta dinim të gjithë. Mesazhet e këtilla paralajmërojnë vetëm telashe dhe përplasje, ku dikush duhet të fitojë, e dikush të humbë, me një kosto të papërballueshme për Kosovën.

Çka ndodhë, nëse nuk ndodhë? Apo, thënë më qartë, çka do të bëhet me ndryshimin e Kushtetutës, në kaptinën e Presidentit të Kosovës, dhe me reformimin e sistemit zgjedhor në Kosovë, po qe se nuk do të ketë ri-fillim të punës së Komisioneve parlamentare (që merren me këto çështje), dhe nëse nuk do të përmbyllet ndërmarrja e hapur si pasojë e krizës së madhe politike të shkaktuar me zgjedhjet e mbrapshta të dhjetorit të vitit 2010, dhe me shkeljen e Kushtetutës gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, në shkurtin e vitit 2011.

Asgjë nuk ndodh.

Pra, në atë rast, në fuqi mbeten formulimet e tashme për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit (përmes Kuvendit të Kosovës, e jo me votën e qytetarëve), si dhe Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, i cili nënkupton Listat e Hapura të kandidatëve për deputetë dhe të drejtën e votuesve për të shënjuar deri në pesë kandidatë, si dhe Kosovën si një njësi të vetme zgjedhore.

Në shikim të parë, askush më shumë se opozita nuk është e interesuar që të ketë ndryshime në Kushtetutë dhe në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Ndërsa realisht, ky proces është interes jetik i demokracisë kosovare, sepse mund të imagjinohet lehtë se cilat do të ishin pasojat për shoqërinë kosovare, nëse edhe një herë, siç ndodhi në dimrin e egër politik të viteve 2010-2011, si vend, do të afrohemi një hap rrëzë humnerës.

Lehtë është të mbërrihet tek ky konkludim, ndërsa shikuar nga perspektiva e tanishme, mbase, është e pamundur të gjendet një shtegdalje nga ngecja e plotë që karakterizon ndërmarrjen e madhe të ndryshimit të Kushtetutës dhe të kornizës ligjore të zgjedhjeve, të nisur në prillin e vitit të kaluar.

Thënë shkurt e shqip, pas 20 muaj pune, si politikë kosovare jemi kthyer në Pikën Zero, pa ditë fare se çka mund të bëhet tash e tutje, për ta ri-fituar gjithë këtë kohë dhe punë të bërë në periudhën e kaluar, e cila është dashtë të finalizohet në javët vijuese, ashtu që viti 2013 të jetë vit i zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe komunale.

Në epokën e mundësive të panumërta të komunikimit, politikanët dhe partitë në Kosovë, jo vetëm në këtë temë, por edhe në të gjitha të tjerat, çfarë bëjnë ditë dhe natë është që t’i çojnë ‘selame’ njeri-tjetrit përmes mediave, me gjuhë përplot nerva, akuza, sharje, kushtëzime dhe kërcënime, duke mos provuar fare që të aplikojnë atë mënyrën e moçme por të pazëvendësueshme në politikë (dhe në jetën fare të zakonshme): Të bisedimeve të drejtpërdrejtë, rreth tavolinës, pa kamera, me zë normal, duke shfaqur gatishmërinë për tu marrë vesh.

Rendi i të marrit vesh përmes porosive publike nuk është. Këtë do të duhej ta dinim të gjithë. Mesazhet e këtilla, si në politikë (ashtu edhe në përditshmëri), paralajmërojnë vetëm telashe dhe përplasje, ku dikush duhet të fitojë, e dikush të humbë, me një kosto të papërballueshme për Kosovën.

Në fakt, diçka e tillë (fitorja), është e paarritshme kur bëhet fjalë për ndryshimin e Kushtetutës dhe të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme. Ndryshimet këtu mund të bëhen vetëm përmes Kuvendit të Kosovës, dhe vetëm me pëlqimin e qeveritarëve dhe opozitarëve sepse kërkohet vota e dy të tretave të deputetëve.

RCCOLA

Sa të ketë përplasje të këtilla të cilat nisin e sosin çdo ditë të lume të politikës kosovare tash e sa javë, nuk ka aspak gjasa që të ri-kthehemi në binarët që në mënyrë të organizuar, të rregullt, me një orar të mirëfilltë, mund të na shpijnë në zgjedhjet që do të mbaheshin ashtu siç do të duhej, me rezultatin e tyre që do të pranohej prej të gjithë pjesëmarrësve.

Pra, si qëndrojnë punët tani, as nuk do të ketë amandamentim të Kushtetutës, as nuk do të ndodhë reformimi i sistemit zgjedhor, si pasojë, zgjedhjet, kurdo që do të organizohen në Kosovë, do të jenë një përsëritje e çorodisë së vitit 2010, por kësaj radhe, me pasoja edhe më të rënda për Kosovën, e cila ato do t’i mbajë, pa pasur Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe mbikëqyrjen e pavarësisë përmbi kokë.

Vetëm ne pra, në atë rast, do të jemi përgjegjës për të mirat dhe të këqijat që do të lidhen me themelin e një demokracie funksionale: zgjedhjet.

Skenar i keq, gjithsesi, shumë i rrezikshëm, poashtu, është ky i shtruar tashmë. Dhe ai është fare real, pos nëse nuk nisë këndellja e politikës kosovare e cila në masë të madhe, shumë më tepër preferon dehjen dhe dalldinë e të gjitha llojeve, skemat dhe klishetë që janë për një përdorim, duke iu shmangur, me një kokëfortësi tipike vendore (prodhimi më autentik vendor është ky), gjetjes së udhëve të mbara për politikën dhe për shoqërinë vendore.

Pa marrë parasysh se kush është shkaktar, politika kosovare ka ngecë me ka krejt (apo është në bllokadë), në këtë detyrë vendimtare për fatin e demokracisë kosovare.

Nuk shihet një rrugëdalje tjetër nga kjo situatë ndjellakeqe, pos asaj që njeh instalimin e procesit të takimeve formale dhe joformale midis protagonistëve kryesorë të krizës së tanishme politike.

Në rrethanat e tjera, ky do të ishte pikërisht roli a detyra që i takon Presidentit të vendit, gjithsesi, edhe në bazë të mandatit kushtetues që ka. Por kësaj radhe, punët qëndrojnë ndryshe: Presidentja është pjesë e problemit, e jo e zgjidhjes së tij. Apo, ajo e ka humbur këtë shanse menjëherë pas bërjes të ditur të mendimit të Gjykatës Kushtetuese për amandamentin e propozuar për qartësimin e periudhës kohore kur duhej të mbaheshin zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë. Ajo ka mundur ta thërrasë atëherë një mbledhje të këtillë, duke iu dhënë garanci liderëve politikë që do të respektojë Marrëveshjen.

Tash është vonë për një gjë të tillë.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)